“Nuk jemi skllevër të teknologjisë, por zotërues të saj”

Shiko fotografinë 1928898

Nuk jemi të destinuar që t’i nënshtrohemi superfuqisë së makinave, teknologjia nuk është tjetërsim, por zbulim i humanes, automatizimi na ka çliruar dhe do të vazhdojë të na çlirojë nga lodhja, pa na e hequr humanizmin tonë, që qëndron kryesisht në të qenin konsumator. Në librin e tij të fundit, “Documanità. Filosofia del mondo nuovo”, filozofi Maurizio Ferraris çmonton klishe të ndryshme që sidomos nga e majta rëndojnë mbi raportin midis njerëzve e teknologjisë dhe na fton që të shikojmë me optimizëm nga e ardhmja.


Gjuha dhe aftësia e jashtëzakonshme për të dokumentuar e transmetuar dije janë midis karakteristikave që kanë mundësuar zhvillimin e jashtëzakonshëm e Homo sapiens. Me rrjetin këto kapacitete janë rritur në mënyrë eksponenciale. Jemi përballë një revolucioni antropologjik? Çfarë duhet të presim nga e ardhmja?

Ne jemi rritur në mitin e Homo faber, atë të përfaqësuar me çekanin dhe kudhrën e monedhave të vjetra prej 50 liretash. Tani padyshim ajo e Homo faber ka qenë një epokë e rëndësishme e historisë së njerëzimit, ama një epokë që ka pasur një fillim (paraardhësit tanë në fakt nuk qenë faber, nuk qenë prodhues, por qenë mbledhës) dhe padiskutim që mund të ketë një fund. Faktikisht asgjë nuk na pengon që të mendojmë se automatizimi mund të arrijë një nivel të tillë sa të bëjë që të mos kihet më nevojë për njeriun si prodhues. Nga njëra anë e gjitha kjo na ngjall frikë, por sa e frikshme dhe e tmerrshme që mund të jetë kjo botë e re që shfaqet përpara, nuk do të jetë aq e frikshme dhe aq e tmerrshme si bota e vjetër që po lëmë prapa. Ne vuajmë nga një lloj kompleksi i epokës së artë sipas të cilit mendohet se më parë ishim jashtëzakonisht më mirë. Megjithatë, le të bëjmë një llogari.


Le të kthehemi 100 vjet prapa dhe gjejmë gripin spanjoll për shkak të të cilit njerëzit vdisnin si mizat. Një epokë ku dukej krejtësisht normale të dërgoheshin dhjetëra mijëra të rinj 20 vjeçarë që të vriteshin njëri me tjetrin dhe konsiderohej se ishte e denjë që një qenie njerëzore të qëndronte për 10 orë duke punuar në një zinxhir montimi. Duke ecur më këtej në kohë, deri jo shumë dekada më parë, ishte krejtësisht normale që një njeri të shkonte në zyrë në orën 9 të mëngjesit dhe të shkruante në diktim për 8 orë me radhë, më pas e ndërpriste dhe kthehej në shtëpi. Tani që kemi kompjuterin kjo na duket çnjerëzore. Kështu që nuk ka dyshim se jemi çliruar nga shumë aspekte të lodhshëm të punës. Të tjerë do të thonë: ama jemi çliruar edhe nga puna, në kuptimin që ka shumë njerëz që nuk kanë më një punë. Është ky problemi, por që mund të zgjidhet vetëm duke kërkuar të konceptualizuar bota e re që shfaqet përpara në vend që të vazhdohet të shikohet ajo me kategoritë e botës së vjetër.

Nëse miti i Homo faber zbehet, nëse nuk jemi më kryesisht prodhues, atëherë çfarë jemi?
lg.php

Jemi konsumatorë. E di, është një fjalë që tashmë është shndërruar thuajse në një fjalë të keqe, por nëqoftëse e mendojmë mirë, teksa mund të imagjinojmë lehtësisht makina që mund të na zëvendësojnë në të gjitha detyrat e prodhimit, nuk mund ta imagjinojmë një makinë që të mund të na zëvendësojë si konsumatorë. Njëri që do të thoshte “kam shpikur një makinë për të konsumuar sushi” do t’i ekspozohej talljes universale sepse i gjithë sistemi ë prodhimit të sushit ekziston vetëm pse ka njerëz që më pas duan ta hanë atë. Nëqoftëse bën një makinë për të ngrënë sushin bën një makinë absurde, të kotë, vetë kontradiktorë. Ashtu siç mund të imagjinojmë një makinë që riprodhon besnikërisht piktura apo deri që prodhon të reja, nuk mund të imagjinojmë një makinë që gëzohet përballë një pikture (as edhe një që gëzon kur e bën, për këtë edhe më e sofistikuara e makinave nuk mund të jetë artist). Duhet ta pushojmë me këtë demonizim të konsumit. Si të gjithë ata të gjeneratës time që janë rritur në një botë ku flitej shumë keq për konsumin dhe vazhdon ta bëjë akoma sot. Kjo në thelb sepse kur mendohet për konsumin mendohet për forma shumë pak domethënëse të tij dhe shpesh për shpërdorimin. Sikur të lexosh një libër apo të dëgjosh muzikë klasike të mos jenë forma konsumi! Në dënimin e disa konsumeve ka shpesh motive shëndetësore apo moraliste, por thelbi i konsumit është i njëjti.

Revolucioni pas të cilit jemi zhytur vërtitet rreth uebit: cila është karakteristika kryesore e tij?

Përkufizimi më i përhapur i uebit është ai i “infosferës”, por ta mendosh uebin si një infosferë nënkupton ta ngatërrosh me Wikipedia dhe mbi të gjitha me Wikipedia e shkruar në gjuhën e kujt e konsulton. Sepse nëqoftëse gjej një zë në Wikipedia në gjuhën tamile, informacioni për mua është baraz me zero. Ta përkufizosh uebin më së pari si një aparat informacioni nënkupton të mos e keshë kapur diferencën thelbësore midis analoges dhe dixhitales, që domethënë se me dixhitalen regjistrimi, dokumentimi – që në analogen ishte një fazë e mëtejshme dhe opsionale ndaj çfarëdo veprimi – përkon me vetë veprimit. Çdo veprim që kryejmë në ueb – kujdes: veprim, jo informacion – regjistrohet default. Në këtë mënyrë ne prodhojmë një sasi dokumentesh – të ashtuquajturit Big Data – pa krahasim më të mëdha respektivisht të gjitha epokave të mëparshme të njerëzimit sepse procesi i prodhimit të këtyre dokumenteve nuk është i qëllimshëm, por i ndërlidhur me çdo veprim. Ajo që ne e konceptojmë si infosferë është në realitet një dokusferë, domethënë një oqean gjigand i përbërë nga dokumente dhe këto dokumente janë akumulimi i të gjitha veprime të njerëzimit të depozituara në ueb.

Dhe kështu që mënyrë jo të vetëdijshme prodhojmë vlerë, e gjitha në avantazh të pronarëve të platformave…

Pikërisht dhe këtu qëndron problemi dhe ndryshimi që duhet të qeverisim. Pasi është e natyrshme që një fabrikë që nuk paguan punëtorët të realizojë plusvalenca të mëdha. Në këtë rast “punëtorët” as e kuptojnë që punojnë, sepse thjesht po jetojnë dhe, duke jetuar, prodhojnë vlerë. Por nëse ka vlerë, atëherë është punë dhe, nëse është punë, duhet shpërndarë.

Dhe si ta qeverisim këtë ndryshim?

Ka dy zgjidhje: e para është ajo që ka ndërmarrë Kina, që e ka kapur këtë mbivlerë të madhe, e ka shtetëzuar dhe e ka rishpërndarë. Sigurisht që në këtë sistem ekziston problemi i vockël që duke qenë shteti pronar i platformave të fut hundët në jetën tënde. Ama ky është rregulli i lojës i komunizmit: do të keni siguri sociale dhe në këmbim nuk do të keni liri sociale. Kurse në liberalizëm problemi aktualisht është: jeni të lirë, por edhe të lirë që të vdisni të dehur në një anë rruge pse keni humbur punën. Ka ardhur momenti që të futen mekanizma – sigurisht, taksimi i shumëkombësheve të dixhitales shkon në këtë drejtim por nuk është i mjaftueshëm – me qëllim që edhe në një sistem liberal të arrijmë të garantojmë një minimum garancie sociale pa hequr dorë nga liritë tona.

Makinat e revolucionit dixhital kanë një karakteristikë të veçantë: përdorimi i tyre është shumë i thjeshtë dhe në gjendje të bëhet nga të gjithë, ndërsa funksionimi i tyre është jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe janë të pakët ata që e kuptojnë deri në fund. Veç kësaj, ka studime të fundit që demonstrojnë sesi algoritmet fusin stereotipat dhe natyrisht, nëse ky nuk është faji i makinave, por i informacioneve që ne u japim atyre, atëherë është po aq e vërtetë se ndërsa jemi të gatshëm të tolerojmë një gabim të kryer nga një qenie njerëzore, jemi më pak të gatshëm që të tolerojmë gabimin e bërë nga një algoritëm.

Në të vërtetë, të kesh të bësh me mekanizma kompleksë që nuk i kuptojmë nuk është një karakteristikë e veçantë e raportit tonë me makinat. Për shembull, raporti ynë me shoqërinë është kështu: pjesën më të madhe të gjërave që ndodhin brenda një shoqërie nuk e kemi të qartë. Lidhur me çështjen e gabimit e të justifikimit: sigurisht, nëse një algoritëm më refuzon një kredi, unë dua ta dai se mbi bazën e kujt është marrë ky vendim. Edhe pse problemi i mosdijes që të justifikosh se pse algoritmi ka dhënë një rezultat në vend të një tjetri nuk më duket vendimtar, pasi shumë gjëra brenda botës njerëzore funksionojnë pikërisht kështu: ne nuk e dimë se pse ndodhin. Por le të arsyetojmë mbi një aspekt tjetër: në epokën e flluskës imobiliare është zbuluar se bankat u jepni kredi personave që nuk mund ta përballonin atë vetëm për të spekuluar. Ja, kjo është një sjellje tipike njerëzore, një makinë nuk do ta kishte lejuar kurrë një gjë të tillë. Ashtu si vetëm një njeriu nuk mund të japë favore në këmbim të marrëdhënieve seksuale apo vetë një njeri mund t’i jap makinës në gjendje të dehur. Pra, kur krahasojmë makinën me njeriun krahasojmë një imazh shumë të lartë të njeriut, si i urtë i iluminuar i çinteresuar. Ama gjërat nuk janë kështu.

Sidoqoftë, nuk ka dyshim se makinat po bëhen gjithnjë e më të fuqishme. A ekziston vërtet rreziku që herët a vonë ne do të bëhemi skllevër?

Kjo ide se jemi apo po bëhemi skllevër të teknikës është krejtësisht e gabuar: nuk jemi ne që kemi nevojë për teknikën, por është kjo e fundit që ka nevojë për ne. Sikur të mos ishin njerëzit, uebi do të zhdukej në 30 sekonda. Teknologjia është krejtësisht e varur nga njerëzit dhe sa më shumë që ajo është e sofistikuar, aq më shumë është e varur nga njerëzit: një shkop mund të shërbejë për shumë qëllime, po ashtu edhe një kafshë, ndërsa smartfoni, në përdorimin e tij, mund të kryhet vetëm nga një njeri. Kështu teknika nuk është tjetërsim i njeriut, por zbulim i njerëzores.

Çfarë do të thotë që makinat do të marrin pushtetin? Si të mendosh se ora e dorës apo smartfoni im të ishte i interesuar për postin e kryeministrit! Makinat nuk janë të interesuara për pushtetin thjesht pse nuk kanë interesa. Për të pasur interesa duhen patur nevoja dhe, mbi të gjitha, duhet patur një kohë jete të kufizuar, duhet të jeshë i vdekshëm dhe makinat nuk janë të tilla. Kur një makinë prishtet, nganjëherë themi “kompjuteri im vdiq”, që natyrisht është metaforë. Është një mënyrë për të thënë se është prishur në mënyrë të pariparueshme. Ama nuk është se kanë munguar procese që nuk mund të rivendosen. Unë mund të krijoj një kompjuter tjetër identik dhe vetëm për arësye praktike – ndoshta sepse nuk ka më pjesë këmbimi – nuk e “rilind” këtë kompjuter. Kështu që vetëm njerëzit janë të vdekshëm dhe kjo shënon një diferencë të pakalueshme me makinat.

Por pikërisht zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe i teknologjisë sidomos në aspektin biomjekësor fillon ta vërë në pikëpyetje edhe këtë postulat. Mosha mesatare është rritur ndjeshëm dhe tashmë paraqiten probleme lidhur me kur dhe si t’i jepet fund jetës, pasi ka momente ku, pa një vendim aktiv të dikujt, faktikisht jeta do të duket sikur nuk do mbaronte kurrë. Çfarë bëhet në momentin ku zhvillimi teknologjik arritën në pikën që të vërë në diskutim të njëjtin postulat dallimi midis nesh dhe makinave, domethënë vdekshmërisë së qenie njerëzore?

Kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Heidegger thoshte deri që kafshët nuk vdesin dhe se vetëm njerëzit vdesin. Tani qartazi çdo organizëm vdes dhe organizma të caktuara dinë edhe të vdesin pa qenë qenie njerëzore. Kështu dallimi midis njeriut dhe kafshës nuk qëndron në qenien një organizëm, por në faktin që njeriu është një organizëm i lidhur sistematikisht me mekanizmat, ndërsa kafsha jo. Të qenit sistematikisht i lidhur me mekanizma do të thotë se jeta jonë është ngushtësisht e lidhur me teknologjitë që vetë ne shpikim dhe përcjellim. Tashmë ne jetojmë shumë sesa paraardhësit tanë dhe asistojmë në shtimin dhe në plakjen e popullsisë botërore. Banalisht sikur të mos kishte qenë dikush që në Mesjetë që ka shpikur syzet, unë tashmë prej disa dekadash do të isha tejet i paaftësuar në aktivitetet e mia pasi jam miop. Tani, siç sugjeroni ju, mënyra e vetme për ta bërë njeriun makinë do të ishte ta bësh të pavdekshëm, por arrijmë edhe vetëm ta konceptojmë një gjë të kësaj natyre? Kur flitet për rritjen e moshës mesatare flitet për të jetuar deri në 120 vjeç apo aty afër, por a mundet një njeri të jetojë 2 miliard vjet? Mendoni për stërvitjen e vazhdueshme që do të duhej të bëhej, sa gjuhë ndryshojnë në 2 miliard vjet dhe pastaj kujtesa: takohesh me një mikun tënd të fillores, vetëm se filloren e keni bërë miliona e miliona vite më parë! Nëse ne krijojmë diçka që mund të zgjasë në pafundësi, nuk e di a mund të quhet më formë jete njerëzore.

/BM
 
Dicka te tille kam lexuar dhe per leket. Nuk duhet te jemi skllav i lekut,por ta zoterojme ate.
 
Nuk e lexova artikullin,por kam ndjekur nje dokumentar para ca kohesh ne lidhje me kete.
Do thoja, skllever nuk jane ata qe e krijuan dhe e perdorin per tu pasuruar me miliona.
Fatkeqsisht masat e gjere, e sidomos rinia,nuk mund te them qe qendron kjo gje.
Ndoshta ne kohe gjerat do ndryshojne dhe do dalim ne nje rezultat tjeter.
 
???nuk mund te ndahen, ca e zotrojne e të tjeret skllever??
 
ehe....
 
Çka të thotë plaku, që historia njerëzore në kohëra të ndryshme nuk është njëlloj por ka shumë ngjashmëri. Dihet se teknologjia po pasuron të pasurin , do të ishte më mirë të ishim më të pasur të gjithë që ta kolektivizonim një çik atë në mënyrë që fuqinë politike ta socializonim . Më pas teknikën ta përdornim per zhvillimin e qënies njerëzore. Zio Sam e ka fajin më të madh , e ka lëshuar pa duar fare.
 
Duke pasur teknologjinë dhe shijuar të mirat e saj, pranojmë të bëhemi të varur, por kush ngopet, fillon t'i afrohet natyrës.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top