“Mukoza detare” në detin Marmara është vetëm maja e ajsbergut


Vetëm duke ndalur ndotjen industriale, Turqia mund të shpëtojë nga një lëndë e trashë në formë mukoze që ka filluar të përhapet në sipërfaqen e detit Marmara.​



Lënda e trashë në formë mukoze në detin Marmara, Turqi.
Një shtresë e trashë pisllëku në formë mukoze po përhapet në të gjithë sipërfaqen e Detit Marmara në Turqinë veriperëndimore, duke kërcënuar jetën detare dhe industritë e peshkimit dhe turizmit.
Rajoni është shtëpia e 40 për qind të industrisë turke dhe 25 milionë banorëve, përfshirë 16 milionë në qytetin e madh të Stambollit.
Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike dhe ndotja janë fajtorë për këtë fenomen.
“Deti Marmara u vra shumë kohë më parë dhe tani trupi ka filluar të qelbet”, tha Goksal Cidem, zëdhënësi i Platformës për Trakinë, një organizatë mjedisore.
“Për dekada, fabrikat dhe bashkitë kanë shkarkuar mbetjet industriale dhe ujërat e zeza në det pa kontroll të duhur”, tha ai për BIRN dhe dënoi mungesën e masave efikase nga ana e qeverisë.

Kërcënim për jetën detare dhe shëndetin publik

Sipas Gokce Sencan, një studiuese e politikës së ujit me bazë në SHBA, lënda e trashë në sipërfaqen e detit formohet përmes një procesi të quajtur eutrofikim, në të cilin kombinohet një fluks lëndësh ushqyese si mbetje organike ose plehra dhe faktorë të tjerë, të tillë si temperaturat e larta, kombinohen duke shkaktuar një bum algash që mbulojnë sipërfaqen e ujit.
“Më pas këto alga do të fillojnë të vdesin dhe të dekompozohen, një proces që përdor oksigjenin dhe oksigjeni në ujë do të shterojë”, tha ajo. “Ujërat e ngrohta nxisin rritjen më të shpejtë të algave dhe ulin sasinë e oksigjenit dhe e përkeqësojnë problemin.”
Lënda e trashë në sipërfaqen e detit mbyt çdo jetë detare që varet nga oksigjeni, tha Sencan për BIRN.
“Peshqit dhe jovertebrorët e detit ose do të ngordhin ose do të largohen nga zona, dhe dyshemeja e detit do të mbulohet me këtë lëndën e trashë.”
Shëndeti publik është gjithashtu në rrezik pasi që gërmimi i detit krijon një mjedis pjellor për baktere dhe viruse të rrezikshme.
“Përveç shkatërrimit të ekosistemit detar, kjo lëndë e trashë në det tërheq gjithashtu baktere, viruse dhe patogjenë të tjerë dhe u siguron atyre një mjedis të favorshëm”, tha Sencan. “Këta patogjenë mund të sëmurin njerëzit dhe krijesat detare. Kështu që Deti i Marmaras përfaqëson një rrezik të madh për shëndetin për momentin.”
Bulent Sik, një inxhinier ushqimi dhe aktivist i mjedisit dhe i të drejtave të njeriut, paralajmëroi për rrezikun e një shpërthimi të kolerës.
“Studimet dhe gjetjet e mëparshme kërkojnë që ne të marrim parasysh se mukoza në sipërfaqen e që është përhapur në zona të mëdha mund të çojë në shpërthime të sëmundjeve ngjitëse”, tha Sik për Bia.net.
Ai tha se lloji i mikroalgave që mbulonin sipërfaqen e Detit Marmara ishin planktone bimore, veçanërisht dinoflagelate, të cilat janë lidhur më parë me përhapjen e kolerës.

Në këtë proces kanë kontribuar vite të tëra krizë

800px-Sea_of_Marmara_02-600x400.jpg

Pamje nga deti Marmara. Foto: Wikipedia.

Cidem tha se mukoza në sipërfaqen e detit ishte vetëm maja e ajsbergut e krizës mjedisore me të cilën përballet Deti Marmara dhe Trakia turke, me rrënjët e saj në ngritjen e industrisë së rëndë në pellgun e lumit Ergene në vitet 1960.
“Ujërat nëntokësorë u përdorën për fabrika dhe mbetjet e tyre të rrezikshme u derdhën në lumin Ergene”, tha Cidem.
“Ne kishim vetëm një lumë në rajonin tonë dhe ai është kthyer në helm. Trakia turke dhe Marmara nuk mund ta përballojnë dot këtë industri të pakontrolluar dhe mbipopullimin e zonës”, tha ai për BIRN. “Këto ujëra helmuese përdoren për bujqësi dhe blegtori dhe pastaj ne i hamë këto produkte. Shkalla e kancerit është shumë më e lartë se mesatarja e Turqisë për shkak të ndotjes.”
Sipas Agjencisë Turke të Statistikave, TurkStat, shifrat e vdekjeve nga kanceri në Turqi janë më të lartat në Traki. Në vitin 2020, kanceri ishte shkaku i një të katrës së të gjitha vdekjeve në Traki, ndërsa tre provinca të rajonit janë ndër pesë të parat në Turqi kur bëhet fjalë për vdekjet për shkak të kancerit.
Ekspertët thonë se 90 për qind e popullsisë së Trakisë turke rrezikohet nga kanceri për shkak të niveleve të larta të ndotjes dhe normave të metaleve të rënda dhe plastikës që gjenden në tokë dhe burimet ujore.
Cidem tha se ujërat e rrezikshëm filluan të hyjnë në Detin Marmara në nëntor të vitit të kaluar kur autoritetet filluan të pomponin mbeturinat nga lumi Ergene për t’i pastruar ato, një strategji që ai e përshkroi si “shumë të gabuar”.
Sencan tha se autoritetet kishin bërë pak për t’u përballur me këtë problem.
“Kjo zonë është shumë e industrializuar dhe rregulloret e duhura mjedisore ose nuk janë në fuqi ose nuk zbatohen”, tha ajo. “Kështu që shumë fabrika dhe impiante të ujërave të zeza i hedhin shkarkimin e tyre në det pa pasoja. Ose ata përdorin hendeqe për të shmangur rregulloret plotësisht. Dhe qeveria nuk u vihet nga pas këtyre ndotësve.”

“Ndaloni shkarkimin e mbetjeve”
Sencan veçoi Gjirin Izmit dhe Saros në Detin Egje si pikat kryesore të ndotjes industriale në Marmara dhe Trakinë turke. Provinca e Izmitit përtej Bosforit vuan nga nivele të larta të kancerit të lidhura me ndotjen e ajrit.
Sipas një raporti të publikuar nga Akademia e Solidaritetit Kocaeli më 28 maj, banorët e Izmit kanë 2.4 herë më shumë gjasa të preken nga kanceri i mushkërive.
Në komunën Dilovasi të Izmit, një nga zonat më të industrializuara në vend, 32.3 për qind e vdekjeve midis 2008 dhe 2020 ishin shkaktuar nga kanceri i lidhur me ndotjen.
Ekspertët thonë se fyti i detit mund të trajtohet vetëm për një kohë të gjatë duke trajtuar problemin e ndotjes.
“Meqenëse nuk mund të ftohim detin, lëndët ushqyese janë e vetmja gjë që mund të kontrollojmë”, tha Sencan.
“Për këtë, ne duhet të ndalojmë të gjitha shkarkimet e mbetjeve në Marmara për një kohë të pacaktuar dhe të detyrojmë ndotësit t’i trajtojnë mbetjet e tyre para se t’i shkarkojnë ato në Marmara. Komunat dhe qeveria qendrore duhet gjithashtu të mobilizojnë burimet e tyre për të filluar një pastrim, por nuk ka gjasa të jetë efikase pa ndalur shkarkimin e mbeturinave.”

“Marmara mund të shërohet vetë me kalimin e kohës, por ne duhet t’i japim atij një mundësi fillimisht duke mos e ndotur atë dhe duke mos ndërprerë shërimin e tij”, tha ajo. “Tani për tani, gjëja më e mirë që të gjithë banorët e Marmarës mund të bëjnë është të kërkojnë nga qeveria që ajo të ndalojë shkarkimin e mbeturinave dhe të zbatojë standarde të larta të trajtimit të ujit.”

/Reporter.al
 
Top