Si një fjalë e moçme shqipe ka ndihmuar gjuhët e tjera

Nga vjen emri i sotëm shqip “dru”, në cilat gjuhë të tjera e gjejmë dhe kuptimet që ka marrë në rrjedhën e kohës.

TAULANT HATIA*

Druri ka qenë bashkudhëtar i njeriut në jetë të jetëve, që kur qenia njerëzore ende nuk ishte bërë e vetëdijshme se ishte me ndërgjegje. Kurse, me shkëndijat e para të vetëdijes dhe me fillesat e njohjes së botës, druri, pema, ishte një nga sendet e para që u nderua dhe adhurua. Druri u përdor nga njeriu si lëndë djegëse, lëndë ndërtimi, për vegla, armë, orendi, letër, e shumë të tjera.

Njeriu ka lidhur shpesh jetën dhe fatin e tij me drurin, madje e ka përdorur edhe si orakull. Kjo vinte ngaqë druri, pema, i ka rrënjët nën tokë, në botën e nëndheshme, dhe degët në qiell, duke i lidhur këto dy botë. Duke qenë kaq i lashtë, i kudondodhur e i dobishëm, druri ishte edhe një nga sendet e para të cilit njeriu i vendosi emër. Po nga vjen emri i sotëm shqip DRU?

Po të kthehemi pas në kohë, do të shohim se kjo fjalë ka qenë në gjuhën shqipe pothuajse e pandryshuar, duke na treguar kështu se ajo mund të jetë nga më të vjetrat, jo vetëm në gjuhën tonë, por është huazuar edhe nga popuj të tjerë apo ka shërbyer si fjalëformuese në gjuhë të tjera të vjetra e të reja.

Në shqipen e vjetër, fjalën dru e ndeshim në formën druva, ndërsa një formë dialektore e saj është drun. Por banorët autoktonë të këtyre trojeve duhet të kenë përdorur fjalën dru, si varianti më i shkurtër, njërrokësh, “primordial”.

Në gjuhën proto-indo-europiane, për të cilën ia vlen të theksoj se është një “gjuhë” e sajuar, me qëllim gjetjen e rrënjëve burimore të fjalëve të gjuhëve të vjetra e të reja të kësaj familjeje, fjala për drurin është druho. Në sanskritisht, fjalën e kemi identike me atë të shqipes: dru (ose daru) – dru, pemë, trung. Prej saj, rrjedh një varg fjalësh të tjera: drugana – sëpatë; drumaja – si dru; drumamaja – prej druri, i drunjtë; druvaja – tas druri; druta – pemë; mahadruma – pemë e madhe; drumari – elefant (armik i pemëve).

Në greqishten e lashtë, ndeshim fjalën drus, emri kolektiv i fjalës doru – lis. Nga e njëjta rrënjë rrjedh edhe emri doru – trung, pemë, heshtë, ushtë, apo druos – dushk (ta druma – pyll dyshku, dushknajë), e në dialektin maqedonas darullos – dushk. Te Homeri haset fjala druma me të cilën thirret pylli, një fjalë që, në shekujt pasues, u bë drumos apo dendron, siç haset në tekstet e Hesiodit.

Në greqishten e sotme, drurit i thonë ksilo, kurse rrënja dru ka mbetur në emrin e lisit – drus. E njëjta rrënjë, dru, duket si pjesë përbërëse e një morie gjuhësh të vdekura e të gjalla. Kështu, në gjuhën hitite kemi taru (pemë), në atë avestane dauru (trung druri).


dru.jpg


Në irlandishten e vjetër daur (dushk), në galisht drullia (dushk), në uellsisht deruen (dushk). Në gjuhën gotike pema quhej triu, në islandishten e vjetër tre, në anglishten e vjetër treo, në saksonishten e vjetër trio.

Në lituanisht kemi derva – pishë, në sllavishten e vjetër kishtare, drievo – dru, pemë, në rusisht derevo – pemë, në çekisht drva – dru. Në gjuhët veriore kaukaziane druri quhet daro, ndërsa në gjuhën e fisit të hundëzakëve, të izoluar në Pakistanin e sotëm (për të cilët thuhet se kanë origjinë ilire), druri quhet toro.

Mund të krijohet njëfarë hutimi pse e njëjta rrënjë (dru), në gjuhë të ndryshme, ndonjëherë edhe brenda një gjuhe, herë përcakton drurin si material, herë pemën dhe herë lisin apo dushkun. Fakti që fjala me të cilën të lashtët thërrisnin lisin u përdor më pas për pemën apo drurin në përgjithësi, tregon sa i rëndë- sishëm ka qenë lisi për popullatat e lashta të Europës. Në fakt, kuptimet e fjalëve “pemë”, “dru” dhe “lis” gjenden të shoqëruara rregullisht me njëra-tjetrën. Edhe në gjuhën shqipe, dru dhe d(r)ushk duhet të kenë qenë dikur e njëjta fjalë.

EMRAT SIPAS DRURIT

Siç pritej, fjala dru ka shërbyer edhe për t’u dhënë emra njerëzve, grupeve, fiseve e popullatave të caktuara. Në historinë e Greqisë së lashtë, thuhet se fisi i dorëve apo dorët, që jetonin në afërsi të malit të Pindit, u larguan nga vetmia e zymtë e pyjeve të tyre, për të kërkuar toka më të mira dhe pjellore.

Që do të thotë se dorët kanë qenë banorë të zonave me pyje, me pemë, me dru. A nuk kemi të drejtë të mendojmë se fjala dor vjen nga fjala dru? Tekstet më të bukura të dialektit të dorëve kanë qenë poemat pastorale dhe dorët kanë qenë barinj e blegtorë, sepse bujqësia ka qenë e pamundur të zhvillohet në mes të pyjeve. Po nga rrënja dru rrjedh edhe fjala driadë. Driadat, në mitologjinë e lashtë greke, ishin nimfat e drurëve, të pemëve, në veçanti të lisave. Miti thotë se, kur lindte një driadë, nga toka shfaqej menjëherë një dru i rritur. Kur vdiste nimfa, thahej edhe druri apo e anasjelltas.

Me siguri keni dëgjuar edhe për druidët, pjesëtarët e klasës së ditur të keltëve të vjetër. Të dhënat e para për druidët vijnë nga mijëvjeçari i tretë p.e.s. Druidët i zhvillonin ritet si priftërinj, mësues, shëronjës e gjykatës në pyjet e lisave. Në gjuhën kelte, druid do të thotë “njohës i drurit të lisit”. Në gjuhën e Uellsit quheshin deruid, kurse në gjuhën e vjetër islandeze, drui. Fjala druid shfaqet për herë të parë në vitin 650 të erës sonë në një poezi të Blatmakut e, më pas, në shumë rrëfenja mesjetare. Vetë fjala e rindërtuar proto-keltike na paraqitet në formën druuid, ku rrënja dru duket më se e qartë dhe, me këtë fjalë, thirrej druri i lisit. Fjala e sotme irlandeze për lisin është dair.

DISA SHMANGIE TË DOBISHME

Anglo-saksonët kanë përdorur të njëjtën fjalë për drurin (pemën, trungun) dhe për të vërtetën, duke e quajtur treou. Kjo fjalë rrjedh nga fjala protogjermane treuam apo norvegjishtja e vjetër tre, gotikja triu, friziania tre, saksonia e vjetër trio, të gjitha rrjedhoja të rrënjës indoevropiane deru – dru. Madje, nga rrënja dru rrjedh edhe fjala angleze dry – i thatë. Në anglishten e vjetër, këtë fjalë e gjejmë në format drye, drie, dri ose dryge, në kuptimin e diçkaje të thatë e të fortë.

Nga fjala proto-gjermanike kanë dalë më pas variantet holandeze droog, friziane druuch apo drug, islandeze draugur (trung i thatë) dhe fjala e gjermanishtes së sotme trocken (i thatë), danezja drøj (i fortë), suedezja dryg (i fortë). Nga e njëjta rrënjë, ka rrjedhur edhe fjala sllave sdrav ose zdrav – i shëndetshëm, në kuptimin i fortë si pemë.

Një nga kuptimet e para shoqëruese të fjalës dru është kuptimi “i fortë”, me siguri mbështetur mbi karakteristikën e drurit të lisit. Në sanskritisht kemi daruna – i fortë, armenisht tram – i fortë, latinisht durus – i fortë, irlandishte e vjetër dron – i fortë, lituanisht drutas – i fortë, anglishte e vjetër trum – i fortë, madje edhe në greqishten e lashtë droón – i fortë. Më pas, fortësia e drurit të lisit mund të ketë qenë burimi i nocionit “i vërtetë, i besuar”, siç dëshmon fjala gjermane treu – i vërtetë, gotikja trauan – besim, ndoshta të lidhura me prusishten e vjetër druvis – besim.

Tani, a do të na qortonte kush po të thoshim se fjala e stërmoçme shqipe dru ka ndihmuar shumë gjuhë të tjera, duke u dhënë hua këtë rrokje të vetme? Ndoshta ka ardhur koha ta themi, mbështetur edhe në thënien popullore: Druri ndreqet mbë të njomë.


Panorama.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top