Shëmbëlltyra paradoksale e Ernst Jungerit

78588445_886445471750431_3353240547497082880_n-1-905x395.png
Moikom Zeqo

(PER IDETE NEONAZISTE QE PO PERHAPEN SOT NE EUROPE)

Në librin tim “Laborator i Ëndrrës, – Fjalor Figurash, 1970” në 2018 kam përfshirë dhe shënimet e mia për shkrimtarin gjerman Ernst Junger (1895-1998).
Pse vallë, qe në moshën 20 vjeçare më kishte tërhequr vëmendjen Ernst Jungeri?

Po kush është në të vërtetë Ernst Jungeri?

Një nga shkrimtarët e famshëm por me apoteozën e ideve naziste të kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Ai u mbeti besnik deri në fund këtyre ideve të rrezikshme. Meqenëse sot janë ringjallur idetë neonaziste në Europë, për çudi edhe në Shqipëri, që i kundërvihen egërsisht Antifashizmit Botëror, por edhe Antifashizmit Shqiptar e gjej më mend dhe me vend të them diçka më të plotë se çfarë përfaqëson figura e Ernst Jungerit!

Nëse e kam përmendur në 1970 kjo ka kuptim, si parandjenjë, për të folur dhe shkruar edhe tani, kur idetë naziskine dhe neonaziste po ringjallen edhe sot ne Europe ,-por edhe ne Shqiperi.

***

Shkrimtari gjerman Ernst Junger ka qenë i famshëm në vjetet e Republikës së Vejmarit dhe në vjetët e hitlerizmit.
Tani, ndonëse në moshë të kaluar, ai jetoi rininë e tij të tretë letrare.
Tirazhet e librave të tij kishin arritur në qindra mijë ekzemplarë.
Pak kohë më parë doli një përmbledhje në dhjetë vëllime e veprave të tij; secili vëllim ka nga pesëqind faqe e lart gjer në gjashtëqind e lart.
Vëllimet kanë një pamje hijerëndë – ashtu siç botohen veprat e klasikëve.
Tregonjësi bibliografik përfshin 111 vepra të kushtuara Jungerit.
Ky, Jungeri, ka fituar në Republikën Federale Gjermane dy çmime letrare: më 1956 dhe më 1960.

Ndokujt kjo mund t’i duket e çuditshme.
Është fjala se librat e Jungerit (këto janë, kryesisht, ditarë dhe traktate filozofike-letrare) janë tmerrësisht të mërzitshme, monotone, pompoze, pa shkëlqim letrar.

***

Në romanin e tij “Heliopolis” dhe në novelat e tij s’ka as subjekt, as fytyra.
Aty befas shfaqen disa hije pa fytyra dhe zhduken po aq befas.
Novela “Në shkallët e mermerta”, që konsiderohet si kryevepra e Jungerit, nuk mund të lexohet pa ndjellur një ndjenjë neverie.
Traktatet e Jungerit janë të fryra dhe plot psudomendimesh “të thella”.
Le të marrim, fjala vjen, shkrimin e Jungerit “Lavdia të zëshmëve”, fruti i punës së tij shumëvjeçare.

“A” do të thotë lartësi dhe gjerësi;
“O” – lartësi dhe thellësi;
“E” – zbrazësi dhe madhësi;
“I” – jetë dhe kalbje
“U” – zanafillë dhe vdekje.

Nëpërmjet të shkronjës “A” ne bëjmë thirrje për pushtet, nëpërmjet të shkronjës “O” – për dritë;
nëpërmjet të shkronjës “E” për frymë;
nëpërmjet të shkronjës “I” – për trup,
dhe nëpërmjet të shkronjës “U” te nëna tokë…

Kështu, me ndihmën e disa pak çelësave, ne zbulojmë tërësinë e botës, aq sa mund ta kapë veshi ynë këtë në të folmen njerëzore”.

Dhe megjithatë Jungerin e lexojnë dhe e nderojnë, e përkthejnë dhe e botojnë.
Cila është e fshehta e suksesit të tij?
Ai nuk është aspak një yll i rastit në kupën qiellore të letërsisë së sotme ne Europe.
Shkrimet e Jungerit tërheqin ndaj tyre, si magnet, një kategori të caktuar lexuesish dhe kritikësh.
Dhe kjo mund të shpjegohet vetëm me një fakt: librat e këtij shkrimtari janë njëfarë enciklopedi e antihumanizmit.
Në këto libra paraqitet në një trajtë sa më të përqendruar dhe çiltas filozofia e urrejtjes, e luftës dhe e dhunës.
Kështu, pra, a mund të themi se Jungeri s’është gjë tjetër veçse një hitlerian, një nga ata kalemxhinjtë që i patën thurur lavdi fjalësh Fyhrerit Fashist, patën kënduar xhelatët e veshur me uniforma të murrme?

Jo, puna nuk është kaq e thjeshtë…

***
Në bibliografinë e Jungerit thuhet se “ai nuk kaloi nëpër denazifikim”, në të cilin, pas vitit 1945, kishin qenë të detyruar të kalonin të gjithë personat që kishin marrë pjesë në një mënyrë a tjetër në regjimin fashist.
Jungeri gjendej në zonën amerikane dhe, si të thuash, amerikanët e “gëlltitën” atë.
Por ta zëmë për një çast se Jungerin do ta kishin thirrur para gjyqit.
Dialogu midis Historise dhe Jungerit do të zhvillohej afërsisht kështu:

HISTORIA: Në vjetët e Republikës së Vejmarit ju morët pjesë aktive në disa botime të tilla minonjëse profashiste si: “Di Shtandarte”, “Noje Shtandarte”, “Arminius”. Në këto organe ju kini kërkuar asgjësimin e republikës…

JUNGERI. Unë kam shkruar se sistemi i Vajmarit nuk ka qenë i përsosur, por nuk kam paraqitur kurrë një program të përcaktuar. Unë nuk kam marrë pjesë në grushtet fashiste, nuk kam qenë anëtar i partisë naziste. Organet e drejtësisë së Vejmarit nuk më kanë thirrur të jap llogari përpara tyre.

HISTORIA . Ju njiheshit me Gebelsin dhe me Hitlerin. Ata u sollën me shumë dashamirësi ndaj jush dhe ndaj veprave tuaja.

JUNGERI. Njohja ime me këta subjekte ka qenë e cekët. Unë s’kam qenë kurrë në rrethin e afërm të Hitlerit dhe të Gebelsit. Vallë a kam ndonjë faj se ata u sollën me dashamirësi ndaj meje?

HISTORIA : Ju botuat libra një pas një, ndërsa krerët e rajhut të tretë ndiqnin bijtë më të mirë të popullit gjerman, ndër të cilët edhe shkrimtarët gjermanë.
Katoliku Vihert u dergj në “pyllin e vdekjes”, Vajzemborni dhe dhjetra shkrimtarë të tjerë u mbajtën në burgje dhe në kampe përqendrimi. Henrik dhe Tomas Man mërguan nga Gjermania, Leonard Franku bridhte i rreckosur dhe i uritur në Francë, me frikë se mos bjerë në duart e hitlerianëve. Ndërkaq ju vazhdonit gjakftohtë afarizmat tuaja.

JUNGERI. (i fyer): Nuk jam unë që e futa Vuhertin në kampin e përqendrimit.
Nuk jam unë që e dëbova Tomas Manin.
Unë personalisht nuk kam vrarë asnjeri.
Tregomëni nenin në bazë të të cilit nen mund të më gjykoni për këtë?

***

Në Ditarët e tij Jungeri tregon për një mik të tij, për një baron shtatëdhjetëvjeçar që mbante një “besnikëri komode”.
Ky kish katër sirtarë.
Në sirtarin e sipërm ruante përshëndetjet e Kajzerit.
Në të dytin ruante adresat e personaliteteve të Republikës së Vejmarit.
Në të tretin ruante letrat dhe dedikimet e Gebelsit dhe të Fyhrerve të tjerë të Rajhut Fashist.
Sirtari i katërt më 1945 ishte i zbrazët…
Ky priste çastin e tij.

Jungeri është pajisur në një mënyrë ende më të shkathët me një të tillë “besnikëri komode”.
Ai mblodhi me kohë “dokumente”, që vërtetonin pabesnikërinë ndaj gjithë regjimeve që kishin ekzistuar në Gjermani, veçanërisht ndaj regjimit nazist.
Në arkën e hekurt të Jungerit në hotelin “Mazhestik” të Parisit gjendej një shpallje e cila në një farë mënyre, mund të quhej antifashiste.
Më 1944 ai ua dha ta lexojnë këtë shpallje miqve të tij më të afërm, ndërsa pas vitit 1945 zuri të përhapë me vrull…

Jo, Gjyqi Antinazist nuk mund ta hidhte në burg Ernst Jungerin!

***
Siç thamë, aforizmat nuk janë një karakteristikë e “stilit personal” së Ernst Jungerit.
Megjithatë, prapëseprapë ai “futi” një aforizëm në Ditarin e tij: nganjëherë është më e ndershme për luftën të përpilosh një fjali të përsosur prej njëzet fjalësh se sa të hedhësh njëzet regjimente në fushën e betejës në çastin e duhur.

Gjatë jetës së tij të gjatë Jungeri ka përpiluar mijra fjali të tilla “të përsosura” nxitëse, fjali që mbajnë erë gjaku.
Qysh në dhjetëvjetorin 1920-1930 ai lajmëroi se lufta është trajta e vetme e denjë e ekzistencës së një shoqërie njerëzore dhe e çdo individi veç e veç.

“Lufta është babai i çdo thelbi, dhe gjithashtu yni, i të gjithëve, – shkruante ai. – Lufta na ka krijuar ne, na ka çelikosur dhe forcuar… Dhe lufta është gjithashtu pjella jonë; ne krijuam luftën dhe ajo na krijoi ne”.

Në qoftë se një komb nuk e do luftën, “ai vdes”.

Për forcimin e një race “torturat janë të domosdoshme”.

Njerëzit janë bisha, thotë Jungeri.

Vrasja e të tjerëve është “një kërkesë e gjakut”, një “instinkt’ i fuqishëm “është po aq i fortë si edhe instinkti i zgjatjes së fisit”.
Njeriu rron në një mënyrë të vërtetë vetëm atëherë kur sytë e tij përhapin një “mjegull të përgjakshme’.
Sa më absurde të jetë lufta, aq më e mirë është, thotë Jungeri.
Ideali i saj është “xhungla” ku secili përleshet fyt për fyt me secilin në “ekstazën e vrasjes”.
Landknehtët – ushtarët mercenarë – janë kurora e Krijimit.

***

Në dhjetëvjetorin 1930-1940 Jungeri përpunon një sistem të tërë për shndrimin e një pjese të madhe të njerëzimit në landknehtë.
Nga miliona njerëz ai kërkon të krijojë një racë të veçantë: “ushtarët që mbajnë një thelb të ri lufte”, “që i shërbejnë në mënyrë krejt të pavetëdijshme një teknike luftarake, të re”.

Kur shfleton faqet e shkrimeve të Jungerit, të vjen të flakësh tutje vëllimet e fryra e të botuara bukur dhe, padashur, të kujtohen ato fletët e ndyra të zhubrosura plot njolla të murrme gjaku: fletët e ditarëve të ushtarëve që vërshuan në atdheun tonë.
Edhe atje gjendeshin shpesh fjali të tilla.

Jungeri kish thënë ato “njëzet fjalët” e tij dhe këto vlenin sa për “njëzet regjimente” njerëzish të budallepsur dhe të dehur.

***

Ernst Jungeri vuri edhe një armë tjetër në duart e hitlerianëve: “teorinë” e tij të plebes dhe të aristokracisë, të zotërinjve dhe të skllevërve – teorinë e vjetër të të gjithë antihumanistëve, të ndryshuar në përputhje me kërkesat e rrymave militante reaksionare të shekullit XX.

Më 1939 Jungeri shkruante: “Mbi tokë, që kur është ndërtuar bota, ekzistojnë dy raca: zotërinj dhe skllevër”.
Por racat “u përzien”, thotë Jungeri. Ato “duhet të pastrohen përsëri”.
Në dhomat e gazeve të Osvenshimës dhe të Liublinit, të Buhenvaldit dhe të Ravensbrykut fashistët “pastruan” racën e zotërinjve.
***

Ernst Jungeri është biri i një farmacisti.
Njëfarë kohe ai studioi në fakultetin e shkencave natyrale. Pastaj u bë shkrimtar.
Por shkrimtar i një lloji të veçantë.
Tërë jetën e tij i biri i farmacistit, Jungeri, ka përhapur helme ideologjike, një esencë të posaçme urrejtjesh.

Siç thamë më lart, Jungerin nuk e gjykuan.
Ai me të vërtetë nuk kish qenë hitlerian, ose më saktë nuk kish qenë vetëm hitlerian.
Në fakt Jungeri nuk bënte pjesë në Partinë Naziste.
Më shumë se kaq, si besnik ndaj “teorisë se pabesnikërise”, që kish farkuar vetë, ai nuk u lidh me regjimin hitlerian jo vetëm si njeri, po edhe si shkrimtar.

***

Në Ditarët e tij Jungeri e quan vetveten “qenie të veçantë”.
“Veçansia” e Jungerit si letrar qëndron në faktin se kllapitë e tij të urrejtjes njerëzore janë universale, ato mund t’i përdorë çdo parti e dhunës dhe e luftës, çdo vrasës mercenar në të gjitha pjesët e botës.
Duke i thurur lavdi kastës së zotërinjve, Jungeri nuk ka thënë askund se kjo kastë janë gjermanët.
Jo vetëm revanshistët , po edhe naziskinet e sotem i nënshkruajnë me kënaqësi tezat e Jungerit se lufta qenka e mira më e lartë e njerëzimit.

Në librushkën kureshtare të Petelit mbi Ernst Jungerin, të botuar anglisht, përmendet Ditari i një esesi që rron në Amerikë, në të cilën, sipas fjalëve të autorit, dëgjohet drejtpërdrejt zëri i Jungerit.

Nazistët “nuk përmbushën misionin e tyre të madh historik: nuk është fjala sepse ata e humbën luftën, po sepse ata nuk asgjësuan nga rrënja qytetërimin.
Ky është krimi i fyhrerëve tanë”.
Dhe më tej: “Bomba atomike kish qenë në fakt arma jonë… Vetëm se ne nuk mundëm të përdorim plotësisht forcën e saj shkatërruese të përbindshme…”

Kështu pra, Jungeri jetoi rininë e tij të tretë letrare.
Por “rehabilitimi” i Jungerit ka qenë një proces mjaft i gjatë.
Në fillim të dhjetëvjetorit 1950-1960 atë filluan ta lëvdojnë me druajtje, duke thënë se ai paska qëndruar “jashtë përleshjeve”, paska qenë një shërbenjës i artit të kulluar.

***

Por kaluan edhe disa vjet dhe Jungeri e botoi librin “Nyja gordiane”, kurse në novelën “Bletët e qelqta” lavdëroi kalimthi Frankon dhe “kalorësit” e tjerë të qytetërimit perëndimor, që i përngjasin Frankos.

Tani po shkruhet pak e më pak për Jungerin si shërbyes i Artit të Kulluar.

Këngëtari i Luftës dhe i landknehtëve i nevojitet sot ideve te djathta neonaziste, si të thuash, në aspektin e tij të mëparshëm.

Esencat e kobshme të Jungerit u vunë përsëri në qarkullim.

Gazeta Dita
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top