Shajeni sa të mundni Shqipërinë!

Nga Sokrat Habilaj


...e shani sa të mundeni Shqipërinë! E shani egër, mundësisht ja bëni nënë e babë sa herë ju jepet rasti! Nëse një çast, nuk gjeni arsye për ta sharë, shpikni nga vetja të tilla raste që më pas, t’ju kap dufi e ta shani më denjësisht! Po mos u mundoni shumë. Ka plotë gjëra që Shqipërinë ta shani me libër shtëpie. Ka plotë shkaqe që të ndiheni të qetë se Shqipëria e meriton dufin e sharjeve tuaja.

Edhe nëse rrëshqisni pa dashje nga lëkurë bananesh që dikush i ka hedhë udhëve të saj gjithë pluhur, shajeni Shqipërinë. Edhe kur ngecni në ashensor, shajeni Shqipërinë! Edhe kur ju prishet brava e derës, edhe kur ju digjet një llambë, edhe kur s’ju punon si duhet rubineti i dushit, edhe kur ju mbytë zagushia, edhe kur lodheni për të gjetur vend parkimi, mos mendoni dy herë që ta shani Shqipërinë! Edhe kur tradhtoni njëri tjetrin, edhe kur burrin apo gruan e kapni me dikë, e më pas ju kap sedra e të parëve e rrëmbeni armën për të venë nderin në vend, shajeni Shqipërinë!
Edhe kur ju kap menopauza a impotenca, edhe kur ju neveritet burri, edhe kur s’bëheni për grua, shajeni Shqipërinë, se në fund të fundit, stresi i saj ju stopon. Edhe kur Shqipëria drejtohet nga qeveritarë të padenjë, mos e shtyni më tej! I lini të qetë ata se fundja një lugë përshesh po hanë, dhe shani vetëm Shqipërinë! Edhe kur turma politikanësh vjedhin sa mundin, e mendoni këtë gjë si një rit i lashtë i fisit tuaj, dhe shani vetëm Shqipërinë. Edhe kur ju kap kapsllëku nga ushqimet pa cilësi, edhe kur ju bezdisë e lehura e qenit nga ballkoni përballë, nuk keni kë të shani tjetër veç Shqipërisë!

Edhe kur shikoni fytyrat e trishta të etërve që i keni lënë vetëm, besoni vërtet se nuk është malli për ju që po i gërryen pak nga pak si bokërima të ngrata. Besoni se kjo mplakje, ky ugarizim i fytyrave të tyre, kjo zbehje e dritës së syrit të tyre, nuk është nga malli për ju, po vetëm nga fakti se fatkeqësisht jetojnë në Shqipëri, prandaj shajeni edhe për ta Shqipërinë! Nëse kur shkoni tek ata, i gjeni thjesht një grumbull dheu si kube, hidhni ca pika loti dhe mallkoni Shqipërinë, se ata nuk i treti malli juaj, po thjesht Shqipëria. Harrojeni dhe faktin se të paktën, ajo pra Shqipëria, do t’i mbajë përjetësisht në gjirin e saj, po juve nuk ka çfarë ju duhen këto trille poetike dhe shajeni Shqipërinë!

Shajeni Shqipërinë, duke e mallkuar se Shqipëria nuk bëhet! Mendoni se vërtet ju jeni pordhë e madhe që të bëni dhe filozofin, dhe mund të flisni për mijëra vite që kanë ikur dhe mijëra të tjerë që do vinë më pas.
Shajeni Shqipërinë pa pasur arsye të mendoni filozofira koti, si përshembull se Shqipëria (nëna), as bëhet, e as nuk bëhet, po Shqipëria( nëna), thjesht të bënë! Dhe pasi ta shani sa të mundeni, pasi ta keni konsumuar fjalorin tuaj sharës, deri në masturbim, ktheheni dhe njëherë kokën, e në inat e sipër, i hidhni Shqipërisë një gurë, a një pështymë në fytyrë. Mos u druani ta bëni këtë! Të jeni të bindur se ajo nuk do ua kthejë, as gurin, as pështymën! Po në fund…Në fund mos harroni se do vijë një ditë, (qoftë sa më e largët kjo ditë), do vijë një ditë pra që do ndodheni në rrëzë të gardhit të jetës suaj, ku matanë gardhit nuk ka më asgjë.
Do vijë një ditë që një zë qiellor do ju pëshpëritë si verdikt i pamëshirshëm dënimi: Dikur ju keni pështyrë në fytyrë nënën tuaj! Mos harroni se për fatin tuaj të keq, nëse vërtet pas gardhit nuk ka më asgjë, ky gjykim vazhdon edhe matanë gardhit, si rënkim i fundit i jetës nga vini. Nuk është mallkimi i nënës, sepse nëna kurrë nuk e bënë një gjë të tillë, po atje matanë gardhit gjithçka që ndodhë është punë e Zotit. E pra, mundohuni t’i paraprini një çasti të tillë të sikletshëm që mund t’ju ndodhë, kudo që të jeni, vite më vonë.
E folura juaj do t’i ngjajë një lutje në boshllëk, sepse nuk keni më kohë as të sqaroheni, as të justifikoheni. Gjithçka është e kotë. Nuk ju dëgjon askush! Thjesht do ndjeni një refren, si i vetmi kujtim që nuk vdesë: Ju keni pështyrë në fytyrë nënën tuaj! Për fatin e tuaj të keq, ky verdikt vazhdon edhe matanë gardhit. E pra, mundohuni t’i paraprini një çasti të tillë, sepse do ju shfaqet si fantazmë edhe nën dhè!
Tema
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top