Rreziku i luftës: A mund ta shmangë Evropa krizën energjitike?

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues

Rreziku i luftës: A mund ta shmangë Evropa krizën energjitike?​

1644238774034.png

Nga James McBride

“Council on Foreign Relations”


Perspektiva e një sulmi të madh rus ndaj Ukrainës, ka shkaktuar shumë diskutime lidhur me varësinë evropiane ndaj energjisë ruse,si dhe ka nxiur një kërkim të ethshëm për alternativa.Kërcënimi i një pushtimi rus në shkallë të gjerë të Ukrainës, i ka vendosur pjesërisht Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë në një gatishmëri të lartë, për shkak të potencialit për ndërprerje të mëdha në tregun evropian të energjisë, i cili mbetet shumë i varur nga nafta dhe gazi rus.

Një sulm rus mund të shkaktojë anulimin e projekteve që janë në pritje të certifikohen, duke përfshirë gazsjellësin “Nord Stream 2” që çon gazin rus direkt në Gjermani, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar të kufizojë eksportet e energjisë.

Në përpjekje për ta zbutur një krizë të tillë, Shtëpia e Bardhë po përpiqet që t’i orientojë më shumë eksportet e saj energjitike drejt Evropës, por ekspertët thonë se çdo zgjidhje do të ketë një kosto jashtëzakonisht të lartë.

Por cila është situata energjetike aktuale në Rusi? Ky vend është një gjigant në këtë fushë. Prodhuesi i tretë më i madh në botë i naftës, dhe prodhuesi i dytë më i madh i gazit natyror. Sipas disa vlerësimeve, lëndët djegëse fosile përbëjnë 14 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Të ardhurat nga ky sektor, garantojnë më shumë se 40 për qind të buxhetit federal. Gjatë viteve të fundit, Rusia i ka përdorur të ardhurat nga energjia për të grumbulluar rreth 630 miliardë dollarë rezerva valutore. Për shembull, në vitin 2021Kremlini e balancoi buxhetin e tij që kishte një pritshmëri relativisht të ulët, për shkak të çmimit të naftës prej 45 dollarësh për fuçi.

Në fakt vitin e kaluar çmimi ishte mesatarisht rreth 70 dollarë për fuçi. Siç e vë në dukje historiani i ekonomisë, Adam Tooze, kjo qasje konservatore fiskale, i ka dhënë mundësi Putin ta izolojë qeverinë e tij nga efektet e sanksioneve ekonomike të vendosura pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Pjesa më e madhe e prodhimit energjetik të Rusisë, shkon për plotësimit e kërkesës evropiane, dhe sidomos për gaz që dërgohet nëpërmjet një rrjeti të ndërtuar në epokën sovjetike, që përshkon Ukrainën dhe vendet e tjera të Evropës Lindore.

Por Moska ka synuar të ndërtojë linja të reja të transportit, duke përfshirë “Nord Stream 2” që aktualisht ka shkaktuar shumë debate, për të anashkaluar rrjetet më të vjetra. Gjithashtu, ajo po mendon të ndërtojë një gazsjellës të ri për furnizimin e Kinës, edhe pse shitjet e tij ndaj këtij vendi fqinj, do të ishin sërish vetëm një pjesë e vogël në krahasim me sasinë e shitjeve në Evropë.

Por sa mbështetet Evropa mbi energjinë ruse? Në fakt ekziston një varësi e ndërsjellë:Kremlini varet nga të ardhurat që merr nga Evropa, ndërsa Evropa është e varur nga energjia ruse. Por shumë analistë thonë se kjo e fundit, nënkupton se vendosja e sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë, rrezikon që të dëmtojë seriozisht furnizimin e saj me energji.

Në përgjithësi, Rusia furnizon rreth një të tretën e konsumit evropian të gazit natyror, që përdoret për ngrohje gjatë stinës së dimrit, por edhe për prodhimin e energjisë elektrike dhe prodhimin industrial.

Ndërkohë Bashkimi Evropian merr nga Rusia më shumë se një të katërtën e importeve të saj të naftës bruto, burimi i vetëm më i madh i energjisë për bllokun. Disa shtete të BE-së janë shumë më të varura se të tjerat.

Portugalia dhe Spanja përdorin pak nga energjia ruse, ndërsa Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, merr nga Rusia më shumë se gjysmën e gazit natyror dhe më shumë se 30 për qind të furnizimeve të saj me naftë bruto.

Franca e garanton pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga energjia bërthamore, por mbështetet sërish në importet ruse për të plotësuar nevojat e saj për lëndë djegëse fosile. Analistët thonë se planet e Gjermanisë dhe vendeve të tjera për të hequr dorë nga energjia bërthamore dhe qymyri, mund ta rrisin këtë varësi.

Si mund ta ndryshonte këtë marrëdhënie “Nord Stream 2”? Ky projekt është një zgjerim i gazsjellësit origjinal “Nord Stream”, që përfundoi në vitin 2011 dhe që transporton gaz natyror nga Rusia Veriperëndimore përmes Detit Baltik direkt në Gjermani.

“Nord Stream 2”u miratua nga qeveria gjermane në vitin 2018, dhe ndërtimi i tij përfundoi në shtatorin e vitit 2021. Por vënia e tij në punë është përballur me vonesa nga entet rregullatoresi dhe nga tensionet në rritje midis Perëndimit dhe Rusisë.

Në rast se miratohet, ky gazsjellës do të lejojë që më shumë eksporte ruse të gazit natyror drejt Gjermanisë të anashkalojnë Ukrainën dhe vendet e tjera tranzite. Ky projekt ka qenë që në fillim shumë i diskutueshëm. Kritikët, përfshirë Uashingtonin, kanë paralajmëruar se ai do t’i japë Moskës më shumë ndikim mbi vendet evropiane, dhe do të thellojë potencialisht ndarjet politike në kontinent mbi mënyrën se si duhet reaguar ndaj agresionit rus.

Ndërkohë, vendet e Evropës Lindore si Polonia dhe Ukraina, janë shumë të shqetësuara për shkak se “Nord Stream 2” do t’i privojë ato nga miliarda dollarë që merrnin në formën e tarifave vjetore të tranzitit, dhe se ai do t’i lërë akoma më shumë në mëshirën e Rusisë.

Për shumë analistë, këto rreziqe u përforcuan sërish në fundin e vitit 2021, kur Rusia pezulloi furnizimin shtesë edhe pse kishte një rritjeje të kërkesës për energji. Rezultati ishte trefishimii çmimeve dhe kërcënimet e mungesës në të gjithë Evropën. Për Francën, ai episodi konfirmoi se ishte e drejtë mbështetja e saj tek energjia bërthamore.

Çfarë do të ndodhë më pas?Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë, janë shumë të shqetësuar mbi skenarin e ndërprerjes së madhe të furnizimeve energjetike, në rastin e një pushtimi rus në shkallë të plotë të Ukrainës. Qeveria gjermane ka thënë se nëse ndodh ky sulm, mund ta anulojë plotësisht “Nord Stream”.

Megjithatë, një veprim i tillë do të përbënte një sfidë të madhe:si të garantohet furnizimi i Evropës me karburant, duke e ndëshkuar në të njëjtën kohë Rusinë. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka premtuar t’i shkaktojë “kosto të rënda” Rusisë në rast se pushton Ukrainën, duke përfshirë përjashtimin e bankave ruse nga sistemi financiar global.

Por nëse Putin do t`i përgjigjet me ndërprerjen e furnizimit me gaz, kjo mund të rrisë akoma më tej çmimet e energjisë, të rrisë inflacionin, dhe të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike të Evropës. Prandaj aktualisht po bëhen përpjekje për të mbështetur nevojat evropiane për energji.

Evropa ka një rezervë strategjike për vetëm rreth 1 muaj, të cilën mund ta përdorë në rast urgjence. Për më tepër, ekziston një kërkesë e mjaftueshme për rreth 9 javë që zakonisht përballohet nga furnitorët tregtarë,ndërkohë Shtëpia e Bardhë po bën përpjekje për të grumbulluar furnizime shtesë të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Një qasje e ngjashme ndihmoi në furnizimin e Japonisë pas katastrofës bërthamore të Fukushimës në vitin 2011. Por analistët thonë se flitet për pjesën më të madhe të furnizimit në botë, dhe ndonëse masa të tilla mund ta lehtësojnë krizën në një periudhë afatshkurtër, kostot do të jenë të larta.

Ekspertja e energjisë në Universitetin Tafts, Amy Myers Jaffe, thotë se në rastin e një ndërprerjeje të plotë të furnizimeve energjitike nga Rusia, ka të ngjarë që “Evropa të gjejë një rrugë” alternative. Jaffe thotë se prodhuesit mund të ridrejtojnë disa dërgesa për LNG ose të përdorin energjinë e qymyrit apo burimeve të tjera.

Megjithatë, paralajmëron ajo “çdo ndryshim në krahun e ofertës do të vinte me çmime më të larta, duke i detyruar konsumatorët evropianë të përballen me një faturë edhe më të madhe”.
b.bota.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top