Pse SHBA vendosi të luftonte në Vietnam dhe pasojat e luftës

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
Pse SHBA vendosi të luftonte në Vietnam dhe pasojat e luftës



Lufta e Vietnamit ka qenë një nga episodet më kontraversale në historinë e Shteteve të Bashkuara. Konflikti filloi me Trumanin dhe zhvillimin më të madh e pati gjatë administratës se Lindon Xhonsonit. Për njëzet vjet komunistët nën Ho Shi Minin luftonin për çlirimin e vendit të tyre në fillim nga francezët e pastaj nga amerikanët. Pas tërheqjes së forcave franceze në 1955, SHBA futi trupat e saj duke injoruar marrëveshjen ndërkombëtare të Gjenevës që deklaronte për zgjedhje të lira dhe instaloi në Vietnamin e Jugut një qeveri antikomuniste. Politikanët amerikanë e shikonin Ho Shi Minin dhe qeverinë e Vietnamit të Veriut si një pjesë te konspiracionit botëror komunist të drejtuar nga Moska dhe Pekini.


Për ta, nëse komunizmit nuk i vihej fre në Vietnam, atëherë Azia juglindore do të binte pre e tij. Ndërsa Ho Shi Mini ndihmonte guerrilet në Vietnamin e Jugut, Amerika shtonte ndihmën ushtarake dhe këshilltarët e saj në Sajgon. Në fillimet e presidencës së Xhon Kenedit numri i tyre u rrit nga 650 në 23000. Por Kenedi u deziluzionua shpejt nga situata dhe kërkoi të hartohej një plan i mosangazhimit, i dhënies fund të luftës në Vietnam pak para se t’i bëhej atentati. Nëse ai plan do të zbatohej apo jo, kjo nuk mund të thuhet me siguri, por sidoqoftë presidenti Xhonson që erdhi në fuqi pas tij, e anuloi atë projekt dhe me këshillat e këshilltarëve të Kenedit vazhdoi “asistencën” në Vietnamin e Jugut. Sidoqoftë ai ishte hezitues. Shpesh herë thoshte se “ne nuk do të dërgojmë më djemtë e Amerikës 10 mijë milje larg për të bërë atë që duhet të bëjnë vetë vietnamezet për veten e tyre.” Sidoqoftë e gjithë kjo ndryshoi në dhjetor të vitit 1964 kur guerrilet vietnameze vranë 7 këshilltarë amerikanë dhe plagosën më shumë se 100 të tjerë në një sulm me bomba. Presidenti nuk duroi më. Ai mendoi se duhej ndërmarrë patjetër diçka drastike për të mbrojtur trupat e për të rritur prestigjin e dëmtuar të Amerikës.

Me sugjerimin e këshilltarëve të vet, Presidenti Xhonson vendosi të “amerikanizonte” luftën në Vietnam duke dërguar njëherësh një valë të menjëhershme avionësh amerikanë mbi qiellin e Vietnamit të Veriut dhe mbi 3200 trupa në jug. Kjo ndërmarrje u bë në fshehtësi të plotë nga populli amerikan. Në të kundërtën opinioni publik amerikan disinformohej si nga sekretari i shtypit i presidentit edhe nga vetë presidenti të cilët nuk tregonin asnjëherë të vërtetën kur vinte puna tek kostoja e luftës, të vrarët, të plagosurit, etj. Nga qershori i vitit 1965 në Vietnam kishte më shumë se 75 mijë ushtarë amerikanë, ndërsa tre vjet më vonë në tokën vietnameze luftonin 500.000 ushtarë amerikanë ose ½ milioni. SHBA kishte hedhur bomba në qiellin e Vietnamit më shumë se në gjithë luftën e dytë botërore dhe shpenzimet e luftës shkonin në 2 bilion dollarë në muaj. Për Pentagonin ishte e papranueshme që fuqia më e madhe e më moderne botërore të mos fitonte në një vend të vogël siç ishte Vietnami. Lindon Xhonsoni vuante dilemën e luftës. Sadoqë dëshironte t’i jepte fund kësaj lufte, ai nuk mund të pranonte kurrsesi të dilte i mundur. Ndërkohë, qeverisë se Hanoit ndeshja me Amerikën i kishte rritur prestigjin.


Pavarësisht nga sukseset në politikën e brendshme, Lindon Xhonsoni e ndjente që lufta po i shkatërronte presidencën dhe as që bëhej fjalë për të vënë kandidaturën në zgjedhjet e ardhshme. Rreth tij politikanët ishin ndarë në dy kampe ekstremistësh. Në njërën anë qëndronin “skifterët” që përfaqësoheshin nga krahu i djathtë i republikanëve dhe demokratët konservatorë që e shikonin konfliktin në Vietnam si një element esencial të luftës globale kundër komunizmit.


Vetë presidenti Xhonson besonte në efektin domino, që do të thoshte se po qe se Vietnami do të binte në duart e komunistëve atëherë e gjithë Azia juglindore do binte si dominotë. Ndërkohë lëvizja kundër luftës në Vietnam kishte arritur përmasa të jashtëzakonshme në vend. Në të ishin përfshirë personalitete e figura të njohura në të gjithë vendin si doktori Benxhamin Spok, boksieri Muhamet Ali, aktorja Xhejn Fonda, autori Norman Meiller, Dr. Martin Luter Kingu dhe senatori i Arkanzasit J. Uilliam Fullbrajt. Pjesëmarrësit në demonstrata shpreheshin hapur kundër luftës. Protestuesit mblidheshin para Shtëpisë se Bardhë dhe thërrisnin:
“Hey, hey, hey Mr. President, how many kids have you killed today?”

Të rinjtë nëpërmjet manovrimeve të ndryshme filluan t’i shmangeshin shërbimit ushtarak. Nga fundi i vitit 1967, lufta në Vietnam u bë simbol i të keqes që kishte zënë shoqërinë amerikane. Mungesa e besimit ndaj qeverisë qe kthyer në krizë. Një krizë e tillë e brendshme shoqërore nuk ishte parë që nga koha e Depresionit të Madh ekonomik të viteve 30-të. Vetë presidenti ndihej i “rrethuar’ në Shtëpinë e Bardhë nga sulmet private që i bëheshin. Ai ankohej që të gjithë kritikonin por asnjeri nuk jepte rrugëdalje. Nga ana tjetër, si president, ai ishte i ndjeshëm ndaj imazhit që do të linte në histori. Ishte çështje sedre. Presidenti Xhonson fillimisht nuk e kishte dashur luftën në Vietnam, por që nga ajo kohë që u angazhua, ai investoi në të prestigjin e tij në atë shkallë që e bëri të pamundur kthimin prapa. Ai i qëndronte atij kursi pasi nuk shikonte një alternative që ta nxirrte nga ai qorrsokak pa pranuar se kishte dështuar.” Ne nuk dorëzohemi, përsëriste ai, ne do ta mbyllim me një paqe me nder”

Në ditën e fundit të Janarit 1968, Vietkongu ndërmori një sulm të gjerë në Vietnamin e Jugut. U goditën 12 baza amerikane madje edhe vetë ambasada amerikane në Sajgon. Dështimi i aksionit ushtarak të qeverisë amerikanë në Vietnam u bë i qartë. Në 1968 Lindon Xhonsoni u largua nga posti i presidentit, duke refuzuar të rivinte kandidaturën për president. Arritjet në planin e brendshëm nuk mund ta ndihmonin për këtë qëllim. Ndaj ai ndihmoi Riçard Niksonin të ngjitej në këtë post, i cili premtonte se do ta mbyllte konfliktin në Vietnam. Në të kundërt, Niksoni vazhdoi aty ku e kishte lënë Lindon Xhonsoni pasi edhe ai ishte i shqetësuar për kredibilitetin amerikan e nuk gjente dot një zgjidhje “me nder”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i hoqën trupat e tyre nga Vietnami në vitin 1975 dhe Vietnami i Jugut iu bashkua Veriut.



Nga Albana Lifschin
(Marrë nga libri “Udhëtim në historinë e Amerikës”
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top