Pse kriptomonedhat janë pak a shumë skema piramidale


Njerëzimi ka eksperiencë të gjatë në krijimin e parasë, në mënyrë të tillë që të jetë sa më ekonomike dhe sa më e besueshme. Rruga kryesore e krijimit të parasë ka kaluar përmes shtetit. Kriptomonedha pretendohet se krijon para të besueshme dhe ekonomike pa u mbështetur te shteti. Por sado e bukur që mund të ngjajë, kjo fabul është tepër e bukur për të qenë e vërtetë.​






Në historinë e gjatë të njerëzimit janë kryer disa shpikje për të krijuar atë që sot e njohim si para. Në Egjiptin e lashtë, p.sh., një perandori e madhe u ngrit duke u mbështetur te përdorimi i drithit si mjet pagese. Në mënyrë të përmbledhur kjo funksiononte kështu: një punëtor paguhej afërsisht 6 kilogramë grurë për një ditë pune. Ai merrte grurin në fund të ditës së punës dhe shkonte në treg për të blerë gjëra të tjera të domosdoshme, fjala vjen, peshk. Ai paguante peshkun me një pjesë të grurit që kishte marrë pagesë për punën. Tregtari i peshkut me gjasë paguante peshkatarin me grurin që i kishte marrë punëtorit. Në rast se, fjala vjen, kishte një thatësirë dhe prodhimi i grurit ishte i paktë, çmimi i grurit rritej dhe çmimi i të gjitha mallrave të të tjera binte.
Në shekullin e gjashtë p.e.s., në Greqinë e Lashtë u shpik monedha metalike ndërsa në shekullin e pesëmbëdhjetë, në Kinë u eksperimentua me dështim prodhimi për herë të parë i parasë kartëmonedhë, e cila sot dominon mjetet e pagesës.
Për shekuj me radhë, vende të ndryshme përdorën atë që njihet si standardi i metalit; në disa raste ky ishte “standardi i arit”, në raste të tjera, “standardi i argjendit” e në akoma më shumë raste, një përzierje e këtyre të dyjave. Thelbi i standardit të arit ishte që një monedhë të shkruante atë vlerë që përkonte me gramaturën e metalit që kishte brenda. Më i famshmi nga këto sisteme ishte standardi i arit i Bashkimit Monetar Latin, (shekulli i nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë), sistem që u shkatërrua nga Lufta e Parë Botërore dhe kriza e vitit 1928. Në këtë sistem mori pjesë edhe Shqipëria gjatë viteve 1924-1939.
Që nga vitet 1970, bota ka përdorur sistemin aktual që njihet gjerësisht si paraja Fiat. Qeveritë emetojnë monedha dhe kartëmonedha të pambështetura nga ndonjë valutë ose rezervë ari por bankat qendrore garantojnë vlerën në kohë të kësaj paraje përmes pasjes dhe ruajtjes së një objektivi inflacioni, zakonisht 2-4%.
Përgjatë të gjithë historisë së njerëzimit, edhe në rastin e të lakmuarit Standard Ari, qeveritë jo rrallë herë ia kanë futur qytetarëve duke ia inflacionuar monedhat apo kartëmonedhat dhe duke i lënë me letra pa vlerë në duar. Perceptimi në përgjithësi është që Standardi i Arit e bën të pamundur për qeveritë që të inflacionojnë paranë por ky është vetëm iluzion. Në Mesjetë, kur monedhat kryesore në përdorim të qytetarëve ishin prej argjendi, shpesh princërit, mbretërit apo qeveritë, i grumbullonin këto monedha përmes taksave dhe i riemetonin e përmbajtje më të ulët argjendi. Fjala vjen, nëse një vend kishte monedha që peshonin pesë gramë argjend, qeveritë ishin në gjendje t’i grumbullonin këto, t’i shkrinin dhe t’i riemetonin duke i përzierë me metale të pavlera ose më të vogla. Edhe në historinë e Romës së Lashtë njihet fakti se si monedha e tyre kryesore ishte fillimisht tërësisht prej ari ndërsa brenda disa shekujve, monedhat në qarkullim ishin vetëm bakër i lyer me ar.
Sistemi aktual i një banke qendrore që emeton monedha dhe kartëmonedha me vlerë imagjinare por që ka edhe një objektiv të qartë për nivelin e inflacionit të pranueshëm është me gjasë sistemi më i mirë i shpikur deri më sot. E para, për shkak se paraja që ne përdorim ka një kosto minimale. Një kartëmonedhë 10 mijë lekëshe e ka koston e prodhimit pak qindarka. Diferenca mes vlerës 10 mijë lekë dhe pak qindarkave që ka kushtuar letra dhe shtypja e monedhës përbën fitim të Bankës Qendrore, fitim që njihet si e drejta e senjorazhit dhe që është një fitim që normalisht i kalon buxhetit të shtetit, pra taksapaguesve. E dyta për shkak se banka qendrore e ka shumë të lehtë të kontrollojë sasinë e parasë në qarkullim.
Pavarësisht kësaj qeveria e ka mundësinë në çdo kohë (dhe as nuk i mungojnë incentivat), të na e bëjë me hile dhe të na inflacionojë paranë kombëtare në çdo kohë.
Në këtë kontekst, dikush (vijon të mbetet anonim), doli me një ide për krijimin e një paraje elektronike të njohur si kriptomonedhë. Në thelb një program kompjuterik, kriptomonedha përbën një marrëveshje private mes qytetarëve për të emetuar një njësi paraje, një vlerë të caktuar, jashtë mbikëqyrjes së qeverisë. Në këtë mënyrë supozohet se njerëzimi mund t’i shpëtojë pasjes së një qeverie të keqe që abuzon me paranë.
E lindur 12 vjet më parë, BITCOIN ka njohur luhatje të mëdha të vlerë, ka tërhequr investitorë të mëdhenj dhe ka sjellë fitime të konsiderueshme për disa. Por për shumë të tjerë, larg të qenit një shpëtim nga tutela e qeverive, BITCOIN dhe kriptomonedhat e tjera të lindura nga ky format, janë në vetvete asgjë më shumë se sa skema piramidale. Një komentues në Financial Times i krahasoi ato me skemat piramidale shqiptare të viteve ’90 duke paralajmëruar nevojën e ndërhyrjes së autoriteteve rregullatorë para se një skemë e tillë, e cila ofron fitime marramendëse të shpejta, të shkaktojë destabilitet social. Qeveria e Kinës ka ndërhyrë sakaq për të ndaluar prodhimin e kriptomonedhave përmes fenomenit të njohur si mining dhe ndalimit të transaksioneve nga kriptomonedhat te institucionet financiare konvencionale.
Përkundër kësaj ideje, pra sugjerimit që kriptoparaja thjeshtë të ndalohen, ka disa që sugjerojnë që ato mund të rregullohen ndërsa ka të tjerë që besojnë se teknologjia pas kriptomonedhave, ndonëse jo vetë kriptomonedhat, është e vlefshme dhe do të krijojë në të ardhmen një valutë botërore, e cila do të lehtësojë tregtinë dhe pagesat në rang botëror. Libra
Nëse pyesim se pse BITCOIN ekziston sot, një pikëpamje optimiste mund të jetë që gjithnjë e më shumë njerëz janë libretarë ekonomikë mjaftueshëm sa të zgjedhin përdorimin e kësaj paraje në vend të parasë konvencionale. Por kjo nuk ngjan shumë e arsyeshme. Më e arsyeshme është të mendohet se BITCOIN ekziston dhe vlera e saj rritet për shkak se gjithnjë e më shumë njerëz janë të joshur nga ideja se vlera e saj do të rritet dhe ata do të bëjnë fitime të shpejta. Akoma më tutje, ka që besojnë se suksesi i BITCOIN është për shkak se pas saj fshihet një gjenialitet i cili vlen shumë para. Për fat të keq, kjo është edhe mënyra e arsyetimit të të gjitha skemave piramidale, për të cilat Shqipëria ka një eksperiencë të dorës së parë dhe goxha të freskët. Jo më shumë se 25 vjet më parë, disa skema financiare jokonvenciale premtonin pasurim të shpejtë, shoqëruar kjo me supozimin se kanë një aktivitet ekonomik novator. Investitorët fillestarë merrnin fitime për shkak se për çdo investitor fillestar shfaqeshin disa investitorë dytësorë. Por njerëzit nuk janë të pafundmë dhe investitorët mbarojnë, duke bërë që skemat piramidale të rrëzoheshin duke zhdukur kursimet e shumicës dhe duke prodhuar destabilitet social e krim të organizuar me shumicë. Dhe kur ndokush sugjeronte se këto janë skema mashtruese, dikush tjetër argumentonte se nuk është punë e shtetit të ndërhyjë në marrëdhënie ekonomike private. Ose qeveritarë të ndryshëm të kohës përpiqeshin të gjenin se cili prej institucioneve mundej ose mund të mos bënte diçka për këto skema financiare.
BITCOIN dhe kriptomonedhat e tjera janë krijuar nga një teknologji dhe teknologjia mund të ketë një jetë më vete nga kriptomonedhat. Por në tërësi, është e vështirë të shohësh se pse njerëzit duhet të përdorin BITCOIN në vend që të përdorin lekë, euro apo dollarë. Arsyeja e vetme duket se është premtimi për fitime të shpejta. Vetëm se këto fitime të shpejta do të vijnë për sa kohë BITCOIN do të ketë mundësinë të tërheqë investitorë të rinj, siç ndodh zakonisht me skemat piramidale. Akoma më i absurd është prodhimi i BICTOIN përmes procesit mining, gjë që nënkupton vendosja e kompjuterëve dhe harxhimi i sasive të konsiderueshme të energjisë elektrike për të prodhuar atë që në fund fare është një impuls elektronik. Kjo është një skemë që funksionon praktikisht vetëm nëpër vende ku energjia elektrike është e lirë, si Islanda, sepse në vende të tjera, prodhimi i BITCOIN sjell fitime shpesh më të ulëta se sa fatura e energjisë elektrike.
Për fat të mirë, BITCOIN nuk është një lloj investimi ku mund të investojnë të gjithë, të pasur apo të varfër, siç ndodhi me skemat piramidale. Për këtë arsye, nuk ka pse të shqetësohemi shumë për ata që po eksperimentojnë me BITCOIN si mjet investimi pasi kanë para mjaftueshëm për të rrezikuar edhe në biznese të tilla.
Sa për të tjerët, përfshirë ata që nuk kanë shumë para por që e shohin kriptomonedhën si një mënyrë pasurimi të shpejtë, këta duhet ta kenë parasysh se gjasat janë që ne jemi në fazën e rënies së spekulimit me këtë mjet.


/Reporter.al
 
  • Më pëlqen
Reactions: NGU
Nuk jane keq...nese di ti perdoresh
 
Screenshot_20210916-143102_One UI Home.jpgpervec ato me x ata tjerat jane apps qe i le on dhe punojne per crypto
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top