Ndjesi urbane...

Katia

Hmm kureshtar-e?
V.I.P
robert-doisneau.jpg

Flokët e saj u përhapën në ajër teksa ajo lëvizi kokën për të gjetur një pozicion nga ku mund të merrte frymë lirisht. Ai pothuajse i ndjeu mbi fytyrë flokët e saj të njomë, dhe një drithërimë e përshkoi. Ishte përkëdhelia e tyre e pa menduar, ose ndoshta ajri i freskët që i përshkoi lëkurën. Qëndronte fare pranë asaj, gati i ndjente frymëmarrjen e shqetësuar. Po ti afrohej edhe një milimetër me siguri do i dëgjonte rrahjet e zemrës. Tashmë ishte ngrohtë. Të gjitha dyert ishin mbyllur dhe ajri ishte ngrohur nga ato frymëmarrje gati të afshëta që përhumbeshin në atë pak hapësirë të mbetur. Ajo i qëndronte me shpinën kthyer, duke mos bërë tashmë asnjë lëvizje, asnjë tingull. Ai ishte më i gjatë se ajo, po mendonte se nëse do të ishin në diell do ti bënte hije dhe ajo do të ndjehej mirë. Por ashtu siç ishin, të ngucur trup më trup, i dukej se ajo e mallkonte nga brenda saj. Autobusi frenoi, një frenim i papritur dhe i fortë. Ai u mundua të ruante ekuilibrin por nuk u shmang dot aq sa duhej, dhe kështu pa dashur e preku lehtas në sup vajzën. Ajo nuk reagoi, ndoshta nuk e kishte ndjerë atë përplasje të lehtë. Duhet ti kërkonte të falur, por ajo ishte me kurriz, me siguri zëri i tij do ti vinte tejet i largët. Një sekondë kaloi, ai është ende në kohë për ti kërkuar falje, por nuk mundi. Ndoshta ju duk e tepërt, përderisa ajo nuk reagoi. Ashtu nga sipër arrinte të dallonte vetëm kokën e saj të vogël, me flokët e gjatë të zinj. Kishte lëkurë të butë. Prit, vërtet ja ndjeu lëkurën në atë përplasje të vogël? Ndoshta jo, por kishte diçka të butë tek ajo, mbase thjesht kështu i dukej. Përsëri një frenim, dera e fundit hapet dhe gjithçka fillon të lëvizë, njerëzit zbresin në stacionin e tyre dhe të tjerë hipin. Ajo nuk zbriti. Diku një qoshe e lirë, ajo nuk lëviz. Ai shikon me bisht të syrit, ndoshta duhet të lirojë rrugën. Tashmë atë qoshe e zë një grua e shëndoshë. Ai nuk lëviz, me ose pa dashje është rehatuar në atë copë vend ku nuk ndjen të ftohtë. Hedh sytë përreth, të njëjtat shikime udhëtarësh të mërzitur, që shtyjnë njëri-tjetrin për një vend ku të hedhin këmbën. Përjashta shiu ka pushuar. Kur do të zbresë ajo? Ai ka edhe dy stacione dhe pastaj do të largohet, ndoshta do ti kërkojë me mirësjellje që ajo të spostohet pakëz. Ndoshta ajo zbret para tij, dhe kështu nuk do mund t’ia shohë fytyrën. Vërtet, si duhet të duket ajo nga përballë? Ashtu me kurriz ajo i ngjason çdo vajze që mund të takosh, por përsëri me një pamje të ndryshme, ndoshta shpatulla më të imta, ose duar më të vogla. Zgjat pak kokën, duke dashur të nuhasë flokët e saj, është ajo, ose shiu që kanë atë aromë të dallueshme nga të tjerët përreth. Nuk është e lehtë të kuptosh diçka nga ajo, sepse aroma, flokët e silueta e saj përzihen me të gjithë rrëmujën në autobus dhe kështu ajo humbet diku nëpër shikime. Por është ende aty, ende pranë trupit të tij që tashmë ka filluar të djersijë. Nuk është prej saj, ajo nuk ka asgjë të veçante nga femrat e tjera, ndoshta pikërisht për këtë, ai kërkon të dallojë diçka. E përkul pak qafen dhe ndoshta arrin ti dallojë sytë, më kot, flokët e saj ja kanë zënë të tërë pamjen. Një tjetër frenim, shikon sesi ajo fillon të lëvizë, duke prekur flokët me dorë si për ti rregulluar. Pastaj hedh çantën në sup. Arrin ti shohë kyçin e dorës, ajo po bëhet gati të zbresë. E shikon teksa i afrohet derës, dhe sesi ajri i freskët i prek flokët, një ndjenjë lehtësie qe i ka shpëtuar atij ajri mbytës. Fytyrën përsëri nuk mund t’ia shohë, por të gjitha këto i merr me mend. Të tjerë njerëz hipin dhe hapësira e lënë zbrazët nga ajo, zihet nga një tjetër kalimtare. Ajo ka flokë gështenjë, me onde. Hedh sytë përreth, udhëtimit të tij po i vjen fundi, edhe një stacion dhe përsëri në rrugë. Shikon në këmbët e tij një çadër ngjyrë rozë, është ditë me shi, dikush duhet ta ketë harruar. Kërkon me sy përreth, nuk është çadra e askujt. Ndoshta gjatë atij frenimi të fortë, ndoshta ajo, duhet të jetë çadra e saj, ajo as që e ka ndjerë ti ketë rënë nga dora. Shiu nuk ka filluar akoma, por pritet të fillojë përsëri nga çasti në çast. Mban në duar çadrën e saj, teksa e shikon me vëmendje sikur të dojë të kuptojë nëse është vërtet e saj. Nuk e ndjen frenimin, por dëgjon dyert të hapen, ai zbret, me çadrën e saj në dorë. ثshtë i çuditur, nga ai jo-takim që i ka lënë tashmë një kujtim, me të cilin nuk di çfarë të bëjë. Ta kërkojë, po si? Nëpër flokët e saj të zinj ai nuk kishte gjetur asgjë të veçantë, ajo është një ndër mijëra vajzat e atij qyteti. E mban atë çadër në dorë, duke mbajtur në mendje siluetën e vajzës që pak nga pak ka filluar të humbasë në trurin e tij. Ecën nëpër rrugën e tij, duke shijuar ajrin e freskët e të lagësht. Mbase minutë pas minute nëpër përhumbjen e tij do ta humbasë edhe ai atë çadër rozë. Kështu do të shuhet çdo kujtim e bashkë me shiun do të avullojnë edhe ndjesitë e trupit të saj të njomë.
"Tiranacalling"

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top