Marin Barleti

WxP

Staf në FV.AL
Historiani i shquar Marin Barleti është figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane. Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun "nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s'mund të shkruaj pa lot në sy". Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik me 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut", shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-10. Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë se vepra e Barletit "fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë".
Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet; e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.
Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut është, në rradhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësine dhe lehtësinë e frazës. Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftrave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar.
Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre.
Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kjo është një nga idetë e mëdha të veprës. Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër, shkruan Barleti.
Duke folur për qëndresën e shqiptarëve gjatë shekullit XV, Barleti ka vënë në qendër të veprës së vet protagonistin dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla; ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë.
Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim , të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.
Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar - e tillë të mbetet në mendje figura e heroi , skalitur si me daltë nga pena e Barletit.
Në veprën "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut„ autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve.
Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell. Pa këtë vepër historiografisë për Skënderbeun do t'i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë t'a ushqejnë edhe sot. Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e‚ sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime. Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme vepra i përmbahet së vërtetës historike.
Me librin e tij Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqiptare, e cila e nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë këtij argumenti madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë.
 
Marin Barleti

Humanist i shquar, historian, i pari autor i njohur dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqiptare. Për jetën e tij dihet fort pak. Lindi në Shkodër, përjetoi, ende i parritur, rrethimin e parë osman të qytetit, ndërsa në rrethimin e dytë, më 1478-79, mori pjesë me armë në dorë në mbrojtjen e vendlindjes. Pas rënies së Shkodrës jetoi në mërgim si prift në trevat venedikase. Këtu plotësoi kulturën e tij humaniste dhe u bë një njohës i thellë i letërsisë klasike dhe i gjuhës latine, në të cilën shkruajti veprat e veta. Në mjedisin e të mërguarve të shumtë shqiptarë, mjaft nga të cilët kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, fitoi njohuri të gjera për epokën e heroit dhe luftën e madhe të popullit shqiptar për liri, të cilat i zgjeroi edhe me të dhënat e literaturës.


Prej Marin Barletit njihen tri vepra; Rrethimi i Shkodrës (De obsidione Scodrensi, Venedik 1504) jep historinë dramatike të luftës për jetë a vdekje të banorëve të qytetit të rrethuar për një vit nga osmanët. I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë, libri jep një tregim të saktë të ngjarjeve politike-ushtarake, por sidomos të aspektit të brendshëm, të vetëdijes së lartë patriotike të banorëve të qytetit. Vepra pati tre ribotime latinisht dhe 5 përkthime në gjuhë të tjera.

Vepra madhore e Marin Barleti është Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut (Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi, Romë midis 1508 dhe 1510). Ajo e tregon autorin si një shkrimtar të nivelit të lartë dhe si historian që përpiqet të ndërtojë kuadrin e saktë të jetës së heroit dhe, me gjithë vështirësitë objektive për të siguruar burimet, jep njohuri të gjera për «ا'ka ngjarë në shek.XV dhe çfarë zhvillimi ka pasur në atë kohë shoqëria jonë, fshatarësia shqiptare, jo vetëm nga ana historike, por edhe nga ana kulturore, ekonomike dhe drejtime të tjera».

Shkurtore e jetës së papëve dhe perandorëve (Compendium vitarum pontificum et imperatorum, Venedik 1553) është vepra e vetme e Marin Barleti që nuk ka të bëjë me historinë Shqiptare, përveç parafjalës-kushtesë për Pjetër Engjëllin, një nga bashkëluftëtarët kryesorë të Skënderbeut, i cili e pat nxitur dhe ndihmuar autorin në punën e tij. Vepra i përket Marin Barleti vetëm për pjesën që arrin deri në vitin 1512, kurse vazhdimi është prej një dore tjetër. ثshtë pikërisht kjo datë që na lejon të caktojmë datën e vdekjes së Barletit rreth këtij viti.

Pavarësisht nga një varg dobësish që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet ekzaltuese që u vihen në gojë heronjve, imitimi i autorëve klasikë deri në hollësitë, pavarësisht nga pasaktësitë kronologjike dhe mungesa e të dhënave për faza e ngjarje të tëra, veprat e Marin Barleti qëndrojnë si një burim i dorës së parë e i pazëvendësueshëm për historinë e shek.XV të Shqipërisë, si dhe të Evropës Juglindore. Krahasimi me të dhënat dokumentare që kemi në dorësot, na jep të drejtë të themi se nuk qëndrojnë kurrësesi vlerësimet negative të bëra në të kaluarën për vlerën e Marin Barleti si burim. Koncepti i lartë i Marin Barleti për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar, tek i cili kleriku zhduket prapa humanistit; historia për të ishte fryt i veprimit të njerëzve dhe jo të fuqive hyjnore. Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të vet; ajo nuk do të kishte një funksion thjesht estetik, por do t'i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t'i mësonte njerëzit për «të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit. «Historia e Skënderbeut» e Barletit u bë burimi më i rëndësishëm, nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e luftërave të lavdishme të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe frymëzoheshin për përpjekjet e tyre për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë.
.
 
'Rrethimi i Shkodres' libri me i magjishem i Barletit

“Rrethimi i Shkodrës” (1504) i Marin Barletit i përkthyer në anglisht nga David Hosaflook (“The Siege of Shkodra”, 304 f., Onufri, 2012), promovohet sonte, ora 18.00, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Libri përshkruan historinë e rrethimit osman në qytetin e fortifikuar të Shkodrës. Sipas përkthyesit Hosaflook, ky libër është i rëndësishëm për të kuptuar të kaluarën sidomos marrëdhëniet midis Venedikut dhe Stambollit, për historinë e konfliktit fetar, ndër të tjera është një vepër letrare dhe estetike. “Sot anglishtfolësit mund të lexojnë për trimërinë shkodrane dhe për kurajën heroike që e mbrojti Evropën nga pushtimi turk për një dekadë pas vdekjes së Skënderbeut”, thotë përkthyesi. Versioni në anglisht është përmirësuar me shënime të reja dhe ilustrime.

“Rrethimi i Shkodrës” (1962) u përkthye për herë të parë nga latinishtja në shqip nga Henrik Lacaj, autori i Fjalorit Latinisht-Shqip. Por për mbi 500 vjet, ky libër mbeti i papërkthyer në anglisht. Kështu, mjaft studiues të huaj nuk patën mundësi të gjykonin të dhënat e Barletit, priftit shkodran, i cili ka marrë pjesë personalisht në luftimet e rrethimit të dytë të Shkodrës. Për këtë janë detyruar të mbështeteshin tek vërejtjet dhe opinionet e të tjerëve (që mund të kenë lexuar origjinalin në latinisht). David Hosaflook është nënshtetas amerikan dhe pastor ungjillor në Shqipëri. Ka punuar me Fondacionin Shpresa për Botën, për 15 vite ka punuar në Shkodër me pasion për besimet e tij, për të shpërndarë fjalën e Ungjillit të Jezusit në kishën biblike.

Përse vendosët ta përktheni “Rrethimin e Shkodrës” të Marin Barletit?

Nuk e di nëse e kam vendosur unë apo e vendosi vetë libri. E gjeja librin në një trotuar të Shkodrës. Më tërhoqi kopertina e botimit e vitit ’80 me kalanë e Rozafës në kopertinë, sepse asokohe banoja në qytetin e Shkodrës. Mendoja çfarë është ky libër që flet për kalanë. E kështu vendosa ta blej për 100 lekë të reja. Më pas zbulova se sa i mirë është. Një profesor i gjuhës Nuri Goka, ish-drejtor i departamentit të Gjuhësisë në Shkodër, ma dha si detyrë të përktheja diçka në gjuhën angleze. Atëherë po punoja për të mësuar gjuhën shqipe, pasi nuk dija as fjalën rrethim, mendoja se ishte njëlloj si fjala “rreth”.

Por gjatë punës po zbuloja ngjarje që nuk i dija. Zbulova se Mehmeti i dytë, “Pushtuesi” që pushtoi Kostandinopojën, kishte ardhur deri në Shkodër, por nuk mundi të fuste këmbën e tij brenda kalasë, prandaj iku me dështim. Në fund Venediku e dorëzoi Shkodrën, por Mehmeti nuk e mori me forcë. Thashë: si ka mundësi që nuk e di betejën e fundit që e udhëhoqi personalisht Mehmeti. Dhe mendova se duhet të jetë e përkthyer me patjetër në anglisht.. Pyes kudo, por nuk e gjeta të përkthyer nga asnjë. Prandaj meqenëse kisha përkthyer 25 faqe thashë përse të mos vazhdoj më tej, pak nga pak për 18 vite.

Mbi çfarë versioni jeni mbështetur?

Jam bazuar në disa versione në shqip, pavarësisht se Marlin Barleti ka shkruar dhe në latinisht në 1504-ën. Kam punuar me versionin shqip të 1967-ës dhe të vitit ’80. Ndryshimet midis këtyre versioneve nuk janë shumë të mëdha. Por kam bërë krahasime dhe me origjinalin në latinisht. Më e mira është të përkthehet një libër nga origjinali, siç ka bërë Henrik Lacaj në gjuhën shqipe, por unë nuk di mirë latinisht.

اfarë pengesash keni hasur?

Ky libër është mbushur me emra njerëzish, me emra popujsh, me pika gjeografike, me ngjarje historike etj. Prandaj ka qenë dhe një punë kërkimore, përveçse përkthimi. Një punë studimore për të cilën kam punuar me arkeologë, me gjeografë, me gjuhëtarë etj. Kam nxjerr dhe shënime të cilat orientojnë lexuesin gjatë leximit të mëtejshëm. Në fund të librit kam shtuar treguesin apo indeksin, që versioni i parë nuk e ka. Që një studiues që ka dëshirë të mos e lexojë krejt librin, por nëse është i interesuar që a ka folë ose jo Barleti për këtë popull apo këtë vend, mund ta gjejë këtu. Pra të përdoret dhe si vegël studimore për historianët.

Barleti në hyrje të librit thotë se pothuajse nuk e mori dot përsipër sepse nuk e dinte nëse ishte i aftë për të shkruar diçka nga ana historike. Në radhë të dytë kishte frikë se mos shkruante një libër të mërzitshëm. Por kur kuptoi barrën që kishte në shpirt dhe kur kuptoi meritat e Shkodrës, nuk mund ta linte ngjarjen në heshtje. Atëherë i lindi dëshira për të paraqitur një libër me vlerë historike, por dhe estetike. Pra, në këtë histori gjen letërsi dhe histori. Prandaj vështirësia për ta kthyer në anglisht, është ajo që unë jam përpjekur ta kthej me frymën e Barletit, për të qenë i saktë nga ana historike, për të pasur një rrjedhje të bukur poetike. Prandaj pranoj dhe vërejtje, pasi të dalë në qarkullim.

Si i keni siguruar materialet grafike apo fotografike që i keni pjesë të këtij botimi?

Shumë fotografi të kalasë i kamë shkrepur vetë, sepse kam banuar në Shkodër për 15 vjet. Disa të tjera i kam marrë me leje nga të tjerët. Janë imazhet e veprave të artit të bëra nga artisti Paolo Veronese që lidhet me Rrethimin e Shkodrës etj. Gjithashtu kam përdorur hartat e vjetra ku paraqitet qyteti i Shkodrës. Fatkeqësisht nuk e kemi zbuluar në hartat shkodrane të kësaj periudhe, pavarësisht kërkimit të Lucia Nadin-it. Në bashkëpunim me arkeologun Ardit Miti dhe një hartograf gjerman, kemi bërë disa harta të reja të asaj kohe, për shembull harta e Rrethimit e bazuar në të dhënat arkeologjike dhe në të dhënat që jep Barleti, vendndodhja e lumenjve, e topave osmanë, e kishave etj. Por këto harta mbajnë shënimin e vitit 2012 dhe që nuk duhet të merren si harta autoritare të asaj kohe, por lexuesi kur lexon, për shembull, për topin e madh që hidhte gjyle me 392 kg., do të mund ta shikojë për të krijuar një përshtypje e të thotë, o këtu ishte ai.

Përmendët studiuesen Lucia Nadin, me cilët autorë të tjerë keni bashkëpunuar?

Kam fatin të kem punuar me shumë njerëz. Meqenëse nuk jam historian i mirëfilltë kisha nevojë patjetër të kërkoja ndihmën e tyre. Prandaj kam kërkuar ndihmën e Lucia Nadinit, David Abulafia-s, Vili Kamsit dhe Robert Elsie-t, por dhe me shqiptarë si historianin Ferit Duka, Gazmend Shpuzën, arkeologun si Ardit Miti dhe Zamir Tafilicën, me gjuhëtarët si Xhevat Lloshi në Tiranë dhe Teuta Toska në Elbasan etj.

Mendoni një lexues specifik të “Rrethimit të Shkodrës” në gjuhën angleze?

Versioni në anglisht është bërë për shqiptarë anglishtfolës që jetojnë jashtë dhe nuk dinë shqip, për studiues të periudhës osmane që kanë dëgjuar dy llafe për këtë histori, por që nuk kanë burime parësore.

Ju vetë jeni pastor që keni përkthyer një libër i cili nga ana historike merret me një pikë kthese në historinë tonë të mesjetës: konvertimi i fesë. Si e shikoni kalimin e popullsisë së Shkodrës nga katolike në myslimane?

Barleti tregon vetë që shkodranët ishin katolikë, por osmanët i kthyen në myslimanë. Libri ka dhe kronikat osmane. Ata tregojnë pikëpamjet e tyre dhe përdorin një gjuhë fetare. Pasi Barleti është prift katolik, prandaj mendoj se kjo është pjesa e historisë prej së cilës shpresojmë të kuptojmë. Unë si pastor ungjillor nuk jam as katolik, as mysliman, prandaj ka raste që kam përkthyer diçka nga osmanët dhe nuk jam dakord me të, apo diçka që shkruan Barleti dhe nuk jam dakord me të. Kjo është preferencë teologjike personale, e një besimi personal.

Kush është Marin Barleti për ju?

Marin Barleti është një historian, një autor, një shkodran, një prift që ka përcjellë një burim parësor, për historinë e krejt Ballkanit. Me vlerësimet që janë thënë për të nga shqiptarët, anglezët apo turqit në hyrje të librit e kupton më mirë këtë. Mendoj se ky libër është shumë më i mirë sesa vepra më e madhe e Barletit, Historia e Skënderbeut. Sepse Barleti ishte i pranishëm në Shkodër, është dëshmitar okular, nuk ka marrë nga të tjerët.

Dhe së fundi kush është David Hosaflook?

Jam një amerikan që kam ardhur në Shqipëri në 1992, për të ndihmuar fëmijët që ishin strehuar në shtëpinë e fëmijës në Tiranë. Kam punuar me fondacionin Shpresa për Botën, më pas kam punuar dhe në Shkodër për fjalën e Ungjillit të Jezusit në kishën biblike. Unë jam një pastor ungjillor, një familjar, një shqiptar-dashës dhe tani jam bërë pak historian meqenëse kam kaluar kaq kohë me Marin Barletin (qesh).Shkruar nga: Valeria Dedaj, Shekulli
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top