Kenga e Gjergj Elez Alise

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Sipas folkloristit të madh shqiptar Qemal Haxhihasani “ky hero, që gëzon një popullaritet të gjerë në epikën tonë heroike, nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me cetën e Mujit e të Halilit, prandaj është marrë edhe si personazh i një nëncikli më vete në kuadrin e këngëve të kreshnikëve.” (Q.H. në Folklori shqiptar, Tiranë 1977 f.76). Si në rastin e këngëve rreth Mujit dhe Halilit, kënga e Gjergj Elez Alisë u botua në “Visaret e Kombit” (Vëll.II, Tiranë 1937 f.42). Të gjitha këto materiale ribotoheshin nga Instituti i Folklorit në “Folklori Shqiptar II Epika Legjendare” (Tiranë 1966). Këtë libër të cmuar e mora si dhuratë nga Biblioteka e Universitetit të Tiranës në vitin 1972 dhe e mbaj si thesar në bibliotekën time shqiptare. Material me vlerë është edhe studimi i Fatos Arapi “Këngë të mocme shqiptare” (Tiranë 1986), të cilin e mora si dhuratë nga autori po ai vit. Bashkë me folkloristin suedez Sven-Bertil Jansson përpilova më vonë një artikull shkencor për hulumtimet e Fatos Arapit në lidhje me motivin e Vëllaut të vdekur (Kënga e Halil Garrisë/Kënga e Dhoqinës/Kënga e Kostandinit e Garentinës). Ky artikull u botua anglisht në vjetorin e Arkivës së Këngës popullore suedeze ARV – Scandinavian Yearbook of Folklore 1986. Jam shumë i lumtur të di se me këtë artikull kemi bërë dicka për të përhapur njohur për kulturën popullore shqiptare nepër botë. – Do të kthehemi tani te motivi i Gjergj Elez Alisë.

Të dhëna burimore

Gjergji (Shën Gjergi) ishte një burri i shenjtë, një dëshmor fetar, i cili u lidh me kultin e krishterë, por për biografinë e tij nuk dihet gjë me siguri. E qartë është vetëm se emri Gjergj (Georg, George) u përhap në Evropë. Më vonë, në kohën e mesjetës, Gjergji në shumë vende u bë një figurë legjendare. Ai u paraqit si një kalorës, i cili vra një dragua dhe me aktin e tij të trimërisë e shpëtoi jetën dhe nderin e një princeshe. Lidhjet midis Gjergjit dëshmor fetar dhe Gjergjit kalorës janë të pasigurta. “Kënga popullore shqiptare “Gjergj Elez Alija” dhe shumica e varianteve të saj nuk kanë asnjë element të përbashkët me legjendën kristiane për Shën Gjergjin.” (Sadri Fetiu: Aspekte krahasimtare të këngës popullore “Gjergj Eliz Alija” në “Kultura popullore” nr 2/1980 f. 95)

në Suedi Gjergi, nën emrin Sankt Gِran (Shën Gëran), u bë i njohur përmes një skulpture që gjindet në Kishën e Madhe të Stokholmit. Kjo skulpturë, me trimin, princeshën dhe dragoin, u krijua midis viteve 1484 dhe 1488 nga skulptori gjerman Bernt Notke, i thirrur në Stokholm nga pushtetmbajtësi Sten Sture i vjetër për këtë projekt. Simbolika kuptohet lehtë: Princesha (Suedia) shpëtohet nga kthetrat e dragoit (Danimarka) nga kalorësi trim (Sten Sture). Disa vite më përpara suedezët kishin fituar mbi danezët në një betejë afër Stokholmit, dhe Suedia kishte mbrojtur pavarësinë e vet pas disa vitesh unioni me Danimarkën.

Në Angli Shën Gjergji u bë shenjtor kombëtar dhe lëvizja e vëzhguesve (Scouting) e ka zgjedhur Gjergjin si simbolin e saj.

Do të përqëndrojmë vëmendjen te kënga e Gjergj Elez Alisë. Sipas të gjitha gjasave, pra, ajo nuk ka asgjë të përbashkët me legjendën kristiane për Shën Gjergjin. Nga ana tjeter kjo këngë ka përhapje ndër popujt e Gadishullit Ballkanik, ose më mirë të themi subjekti në variante të ndryshme gjendet te rumunët, serbët, kroatët, maqedonët dhe bullgarët përgjithësisht me emrin Bolani Dojçin. Te grekët dhe turkët kënga është e panjohur.

(Vazhdon)
 
Diçka për variantet kryesore të këngës

Në variantin shqiptar Gjergj Elez Alia, një malësor, ka nëntë plagë të rënda mbi trup dhe dergjet në shtratin e vdekjes. Shumë ka luftuar kundër shtypësve të huaj; nënë e babë e kanë vdekur, por motra e Gjergjit kujdeset për të natë e ditë te kryet. Dhe në këtë situatë një baloz i zi, një trim i prapë, ka dalë prej detit. Ky baloz rrënon e shkatërron vendin, duke prerë gjithë trimat që kanë guxuar t’i dalin në log të luftimit. I ka ardhur radha Gjergjit. Ai duhet të luftojë për nderin e shtëpisë dhe të motrës.
Ai e urdhëron të motrën që të shkojë dhe t’i mbath gjokun (kalin) e luftës te nallban-probatini. Po ky tregohet njeri i mbrapshtë, se i lyp vajzës “faqet e sytë”. Vajza i përgjigjet atij rëndë me fjalë dhe niset e bie në derë të nallban-jaranit (kumbarës). Ky ia mbath kalin mirë e bukur e të nesërmen Gjergji i del në log të burrave bajlozit të tmerrshëm.
Trimat në fillim hakërrohen me fjalë, pastaj nis një dyluftim nga më të egërit, dhe Gjergj Elez Alia më në fund del fitimtar – ai ia pret kryet armikut. Ai kthehet në shtëpi, thërret përreth tij fshatarët, u fal atyre gjithçka ka nga pasuria e vet dhe u lë amanet të motrën. Por pikërisht në atë çast kur ai përpiqet ta përqafojë motrën për herë të fundit, që të dyve u pushojnë zemrat në kraharor, dhe vëlla e motër vdesin të përqafuar. Fshatarët hapin një varr të gjerë e të gjatë dhe i varrosin ata ashtu siç janë të pushtuar njeri me tjetrin. Dhe u mbjellin tek kryet në shenjë jete një bli. (Njeriu kthehet në drurë – mbeturinat e totemizmit primitiv).

Në variantin maqedonas një “harap i zi” ka dalë në fushat e Selanikut dhe ka ngritur shatoret e tij të bardha. Ai merr nëpër këmbë nderin e njerëzve dhe i ka vënë vendit një haraç të rëndë. Harapi kërkon çdo ditë nga një nuse të re e çdo mbrëmje nga një vashë me të cilat bën dashuri dhe pastaj i vret. I ka ardhur radha Angjelinës, së motrës së Dojçinit të sëmurë. Duke fshirë avllinë ajo qan dhe i derdh lotët breshër. I vëllai e sheh dhe e pyet se ç’ka. Motra i tregon të vërtetën: “Erdhi radha ime, mua do të më marrin.” Dojçini e porosit të motrën që të shkojë tek Ymer Biçakçiu dhe të mprehë shpatën e mejdanit që ka nentë vjet që nuk punon dhe është ndryshkur. Ymeri i kërkon vajzës “sytë e zez” dhe Angelina duke qarë largohet prej tij. Kthehet në shtëpi dhe i tregon të vëllait se ç’i ka ndodhur. Ky e urdhëron që ta lerë aty shpatën e pamprehur e të marrë kalin e të shkojë te nallbani Mitro Pomerjançe për ta mbathur. Por edhe nallbani i kërkon Angjelinës “fytyrën e bukur, si dielli i kthjellët”. Dhe vajza qan dhe kthehet përsëri në shtëpi me gjokun e pambathur. Atëherë i vëllai i sëmurë kërcen në këmbë dhe i thërret së motrës: “Shko e merr armët e ftohta dhe çoja Pletikosa Pavles (“flokëgërshëtuari Pavel” – figurë në disa këngë të sllavëve të jugut) që t’i lajë.” Vajza bën ashtu siç i thotë i vëllai, por edhe armëlarësi i kërkon asaj “shtatin e hollë si një kallam deti.”
اupa kthehet në shtëpi duke qarë e lebetitur: “As miq e as vëllezër besnikë / Ata janë që të gjithë turq të pabesë.” Atëherë Dojçini i armatosur por me armë të pamprehura, me kalin e pambathur niset e shkon në qytetin e Selanikut. Pasi vret Harapin e zi kthehet prapa e në rrugë e sipër u pret kokat Ymer Biçakçisë, Mitre Pomerjançit dhe Pletikosa Pavlit. Me të ardhur në shtëpi ai kërkon që të vijnë priftërinjtë e shenjtë, i ndezin qirinjtë dhe heroi jep shpirt.

Në variantin serb trimi quhet Xherxhelezi, person negativ dhe i dorës së dytë, kundërshtar i hidhët i heronjve protagonistë të tyre të krishterë.

Në këngët boshnjake Xherxhelezi ( d,m.th.me emrin si në këngët serbe) është një mejdanxhi i sulltanit.

Kjo mjafton për të treguar se as këngët serbe, as ato boshnjake, kanë asnjë përqasje me heroin e këngës shqiptare, i cili është simbol vetëmohimi për lirinë e vendit dhe mbrojtjen e nderit të familjes.

Në pjesën e III-të do të diskutojmë rreth dallimeve midis këngës shqiptare dhe asaj maqedonase. Pastaj do të thellohemi në një analizë të tekstit të këngës shqiptare duke shqyrtuar hollësirat e këngës me konkluzionet përkatëse.

(Për këtë pjesë të studimit kam shfrytëzuar në plan të parë veprën e cituar të Fatos Arapit.)
__________________
 
KثNGA E GJERGJ ELEZ ALISث - PJESA E TRETث
Elementet e këngës shqiptare dhe ato të këngëve sllave

Prof. Eqrem اabej - më i madhi lingvist shqiptar - ka vënë në dukje rolin dhënës të poezisë popullore shqiptare ndaj poezisë sllave. Ndër elementet më me rëndësi thekson Profesori, janë emrat tripjesësh të heronjve Gjergj Elez Alia, Gjeto Basho Muji, Dezdar Osman Aga etj. Këta emra vazhdojnë të jetojnë edhe sot në emrat e banorëve të Veriut: Ded Gjo’ Luli, Prel Memë Ujka etj.

Sadri Fetiu (Prishtinë) thekson se ne kemi shumë arsye që Këngën e Gjergj Elez Alisë ta konsiderojmë si bazë më të hershme të këtij motivi në letërsinë popullore shqiptare. Së pari, pohon Sadri Fetiu, kjo këngë është shënuar në Nikaj të Malësisë së Veriut, mu në zonën që studiuesit e epikës legjendare e kanë vështruar si trevë të truallit të kësaj epike ndër shqiptarë. Mandej, kënga në strukturën e vet poetike dhe kompozicionale përmban elemente të veçanta arkaike dhe rrin shumë afër baladave shqiptare, që trajtojnë tematikën problemore të raporteve të caktuara familjare.

Në këngët sllave, me këngën maqedonase si varianti më me rëndësi dhe sigurisht më afër burimit, elementet fetare dhe kishtare janë të dukshme. Sipas legjendës fetare kristiane, të kushtuar Shën Dhimitrit, ky e mbrojti Selanikun dhe ka trajta të ngjashme si figurë me legjendën e Shën Gjergjit. Në këngën shqiptare elementet fetare gati mungojnë, me përjashtim të përfytyrimeve shumë të lashta me mbjelljen dhe tharjen e blirit mbi varrin e heroit si dhe me paraqitjen e shpendit, qyqes, në fund të këngës. Po nxjerr përfundimin se protagonisti sllav ka më shumë të përbashkët me Shën Gëranit në Kishën e madhe të Stokholmit, që përmenda në fillim të studimit, se sa me Gjergj Elez Alinë në këngën shqiptare.

Konteksti historik i këngës së Gjergj Elez Alisë është i lidhur me rrezikun që shqiptarëve u vinte gjithmonë nga deti. Sadri Fetiu bën vërejtje se ky fakt mund të na çojë në përfundime të gabuara, sepse sulmet nga deti kanë qenë realitet gjatë një pjesë të madhe të historisë shqiptare. Sadri Fetiu përcakton këtë hapësirë kohore – që nga kolonizimi helen deri te koha e Bizantit dhe të sundimtarëve të anzhuve dhe të Venedikut. Mua më ka tërhequr pikërisht fjala ‘baloz’ dhe fakti se ky luftëtar erdhi nga deti. Këtu kemi të bëjmë me fjalën latine baiulus, fjalë që u përdor edhe në kohën bizantine, ndërsa me titullin bailo shënoheshin sundimtarët e Venedikut.

Kjo fjalë është shumë kuptimplotë, sepse në kohën e kryqëzatave (1096-1204) porti i Durrësit kishte rëndësi të jashtëzakonshme dhe dihet se mjaft nga pjesëmarrësit e kryqëzatës – të përdorim fjalët e historianit Edwin E. Jacques (Shqiptarët vëll. I) - ishin “turma kalorësish e fanatikësh, shenjtorësh dhe barbarësh” të cilët “frymëzoheshin nga motive sa të ulëta aq edhe të larta, si urrejtja, aventura, plaçkitja, shpëtimi dhe çlirimi i vendeve të shenjta.”

Na lind pyetja në lidhje me balozin: A kemi të bëjmë me një individ të veçantë, me një personifikim të një grupi ose një trillim pa lidhje me realitetin? Sipas mendimit tim me alternativën e dytë. Unë për veten time besoj se kënga e ka burimin e vet në ngjarjet e kohës së kryqëzatave. Variantet ndër sllavët janë pa dyshim të krijuara shumë me vonë, sepse “harapi” ose “arapi” është një fjalë turke, që me siguri ka ardhur në Ballkan pas periudhës së pushimit turk. (E. اabej: Studime etimologjike II A-B Tiranë 1976 f. 60-61). E gjejmë p.sh. te Buzuku (1555).

Në fund të kapitullit të sotëm do të ju njoftoj për disa detaje që ka kënga e Gjergj Elez Alisë, dhe të cilët mungojnë në këngët për Dojçinin. Sadri Fetiu jep në studimin e tij disa prej atyre që janë më karakteristike:

1. Dialogu midis Gjergjit dhe së motrës në këngën shqiptare nuk përmban asnjë element të formulave të zakonshme epike. Ky dialog është i gjallë dhe dramatik. Fillon me monolog e, në pjesë të veçanta, gërshetohet përsëri me të dhe përfundon me porosi e urdhëra, që heroi i drejton motrës për t’ia përgatitur kalin për dyluftim. Dialogu midis Gjergjit dhe bajlozit fillon dhe përfundon me ironi; edhe në këtë rast nuk kemi asnjë element të formulës epike.
2. Dialogjet ndërmjet motrës dhe dy nallbanëve kanë elemente të formulave, por në rastin e dytë (kur motra bisedon me nallban-jaranin) formula shndërrohet si ligjeratë e drejte në pajtim me gjendjen shpirtërore të motrës. Episodet e nallbanëve në këngën shqiptare nuk i determinojnë veprimet e mëvonshme të heroit. (Krahaso përshkrimin e këngës maqedonase, shënimi im.)
3. Në këngën “Gjergj Elez Alia” nuk përshruhet fare figura e jashtme e bajlozit.
4. Kënga shqiptare përfundon me një epilog, i cili si shtojcë e veçantë e zgjidhjes së veprimit, përmban në vetvete tërësinë e një poezie që artistikisht paraqet fuqinë kulmore të shprehjes poetike të artit popullor. (Krahasoni këtë me vlerësimin tim në tekstin “Edhe një këngë nga Drago Siliqi” në këtë Forum. Shënimi im)
5. Motivacioni i këngës “Gjergj Elez Alija” është mjaft kompleks. Kjo këngë ndërtohet mbi një sistem motivesh, disa prej të cilave janë të afërta ose të ngjashme me motivet e baladave të vjetra shqiptare. I këtillë është motivi i dashurisë ndërmjet motrës dhe vëllait, pastaj ai i vdekjes dhe i respektit memorial të heronjve si dhe motive më të imta siç ështe kulti i armeve. (Krahasoni Këngën e vëllaut të vdekur, shënimi im.)

Me kaq përfundojmë pjesën e tretë të studimit. Në pjesën e fundit do të ju japim tekstin e këngës me disa komente. Mendimet e lexuesve janë të mirëpritura.
__________________
vazhdon....
 
GJERGJ ELEZ ALIA – PJESA E KATثRT
Le të shikojmë tani këngën nepër vargjet e saj, duke dhënë herë pas here analiza dhe komente:

1-12
”Trim mbi trima ay Gjergj Elez Alija!
Qe nand’ vjet nand’ varra në shtat m’i ka!
Veç nji motër nat’ e ditë te kryet,
ja lan varrat me ujt e gurrës nandvjeçe,
ja lan varrat me ata lott e syve,
ja terë gjakun me ata flokët e ballit,
shtatin vllaut ja shtërngon m’ruba të nanës,
n’petka t’babës trupin ja hijeshon,
armët e brezit ja rendon mbi krye!
Sa herë trupin motra p’e tërnueke,
Dhimbn e varrëve vallaut krejt e harrueke,
dhimba e motrës dekun n’tokë e lëshueke!“

Analiza :
Bie në sy menjëherë stili solemn dhe krenar, një krenari shumë e dishiplinuar që nuk lejon teprime as në formë, as në përmbajtje. Fjalët „trim mbi trima“ përcakton karakterin e Gjergjit. Motër e vëlla jetojnë në varfëri: Motra përdor disa ruba të nanës dhe petka të babës për të lidhur plagët e të vëllaut. – Numri nëntë është konsekuent në variantin shqiptar, ndërsa në variantin maqedon (sipas Fatos Arapit) ky numër përdoret vetëm në vargun 51. – Shumë e dukshme në tërë poemën shqiptare është dashuria vëlla-motër, një dashuri tronditëse që bën vëllanë të harrojë dhimbjet e vdekjes dhe shqetësimet për fatin e motrës kur ai nuk jeton më. Për shqiptarët e ditëve tona është me rëndësi të kujtojnë këtë lidhje vëlla-motër si një traditë burimore në kundërshtim me ato tradita negative me ngjyrim fetar sipas të cilave gruaja është një „tepricë", tradita që cimentojnë epërsinë e burrit mbi gruan...

13-20
„آ dalë zani e paska marrun dhenë,
se ’i baloz i zi â dalë prej detit,
Trim i prapët e belagji puth ish’ kanë,
Ja ki’ qitun dheut nji rreng të randë:
”Tim për tim kah një dash të pjekun,
tim për tim kah një vashë me ja djergun,
ditë me ditë kah nji kreshnik me premun,
javë për javë kah një krahinë me djegun!”

Analiza:
Haraçi që kërkon balozi, dhunuesi i huaj, është i prerë dhe i tmerrshëm. Ai ka si synim të nënshtrojë totalisht territorin e pushtuar, të shfrytëzojë pa mëshirë të mirat e vendit dhe të poshtërojë njerëzit, duke shkelur sa më rëndë mbi jetën dhe nderin e tyre. Këto rreshta kanë një forcë të jashtëzakonshme shprehëse, ato tregojnë lakuriq gjendjen e hatashme të popullit të robëruar. Nuk kam gjetur shprehje aq të forta në asnjë këngë popullore suedeze. – Haraçi duhet të paguhet nga të gjithë (’tim për tim’ d.m.th ’shtëpi për shtëpi’).

21-32

”Edhe Gjergjit rendi te i ka ardhë,
me lot faqet trimit m’iu kanë mbushë.
Erzi i shpisë qysh lshohet n’dorë t’balozit?!
Ja ka nisë e motra e po bërtet,
krejt me lot Gjergjin p’e loton:
-Po qysh mordja, o vlla, me na harrue?
Nanë e tatë kah kalben për nan bli,
trupi i vllaut vorrue qe nandë vjet në shpi,
trupi motrës n’dorë t’balozit t’zi?!
Qysh s’u shemka kulla me na xanë,
qysh s’u kthyeka shpija n’nji muranë,
me t’pshtue erzin, mori e zeza nanë!”

Analiza:

Themeli i shtëpisë shqiptare ishte i ndërtuar mbi trekëndeshin Besa – Ndera – Burrnija. Dhe tani kjo shtëpi ishte në rrezik; a do të shkatërrohej bile themeli? Brengosja dhe dëshpërimi i të dyve duhet parë në këtë kontekst. Kush do të mbronte nderin e shtëpisë kur prindërit janë të vdekur, kur vëllau që nëntë vite dergjet në shtrat dhe motra është mbetur e pambrojtur dhe do të lëshohet në dorë të balozit?

(Pjesa e katërt vazhdon)
__________________
 
GJERGJ ELEZ ALIA - PJESA E KATثRT (vazhdim)
(Vazhdimi i pjesës së katërt)

Në këtë segment të këngës dëgjojmë dialogun e gjallë plot dashuri vëlla-motër:

33-73

Dy copësh zemra djalit iu ka da,
Dy sytë në ballë motrës ja ka lshue,
Dy rigë lot për faqe te i kanë skhkue.
Dy fjalë kullës djali ja ka fjakrue:
-He, ju u nxisha, mori sarajet e mija,
me lymashk u mbloshi n’fund e n’krye,
brevë e gjarpën paçi motër e vëlla,
pikët ndër shtroje kaq shpejt qysh m’i lshuet?!
- Jo, more vlla, lum motra, i ka përgjegjë,
t’ka lodhë jermi e s’po di ç’je kah folë;
se përjashta shi nuk asht tuj ra,
sytë e motrës po t’pikojnë, more vlla!

Qatherë Gjergji dorën ja ka shtërngue,
mirë po e limon me ato duert e shtatit,
mirë po e kqyrë me ata dy sytë e mallit!
Kurr ma themshim djali s’i ka folë:
- Amanet, mori motër, pse po kan?
Zemrën dysh, mori motër, pse ma dan?
Që nandë vjet, puth trupi â tu m’u kalbë,
Gjergji i yt tjetër pushim nuk ka,
veç si gjethi i ahit n’log t’shullanit.
A thue s’pate me ngranë e me pi?
A t’la keq ty vllau për veshë e mbathë?
A mos t’u randue, ndoiherë me fjalë,
motërzezës vallau me iu mërzitë,
huj për burrë ndoshta puth me t’ra?

Sa mirë motra vllaut po m’i përgjegjë,
dorën e vllaut tu balli e paska vndue;
- Amanet ku je, mori njomëzëja e ahit,
po e kaq fort, thue, jermi t’ka ngushtue?
Hisha gjallë në dhe, n’t’u martue motra!
Mjaft kam pasë, o vlla, me ngranë, me pi,
mjaft kam pasë me veshë edhe me mbathë,
kurr ma randë se sot ti folë nu’ m’ke!
Tjetër babë nuk kam, as tjetër nanë,
amanet, more vlla, mos m’pasë randë,
për nji dert puth sot po due me t’kajtë!
Qysh s’u njom ky shtat qe nand’ pranvera?
Si s’u mkamb ky trup me dal’ tu dera?
Si s’u tha kjo motër, thafa-e vera?
Po un’ balozit qysh i shkoj tu dera?


Analiza ime:
Këtu s’ka nevojë për shumë komente, kënga flet për vetveten. Vetëm duhet theksuar me ç’farë gjalleri dhe dashuri flasin motër e vëlla me njeritjetrin. Në këtë dialog nuk ka shabllone (mjaft forma të ngurtësuara ekzistokan në poezinë popullore në përgjithësi). Kjo bisedë motër-vëlla ka ngjyrën e freskët të jetës, të emocioneve njerëzore. Në fjalët e Gjergjit dhe të motrës dëgjojmë shqetësimet e tyre për vatrën, shtëpinë, dhe kujdesin e tyre për njeritjetrin. Dhe unë si suedez me njohuri për mentalitetin tradicional shqiptar, mund të dalloj në fjalët e tyre krenarinë tipike shqiptare, qëndrimin pa kompromise në mbrojtje të nderit të familjes dhe të individit. Uria, sëmundja dhe hallet e tjera të jetës mund të durohen – por motra në duart e balozit do të thotë thjesht mynxhyrë!



74-104

Braf në kamb’ por djali konka çue:
- T’e marrsh gjogjun, motër, të mejdanit,
fill n’gjytet me te, motër, të m’bijsh
e t’më shkojsh tu nallban probatini.
Fal’ me shndet, thuej, Gjergji të ka çue,
me ma math’ me petkoj prej tumakut,
me m’ia u shti thumbat-o prej çelikut,
se n’mejdan balozit due me i dalë.
S’u gjegj gjogun vllathi me ta mbathë,
Hypi atit, bjeri n’der’jaranit.

E në sheher çika konka ra
Edhe â shkue tu nallban probatini.
- Puna e mbarë të kjoftë, more kumbar!
- Të mbarë paç, ti mori vasha e largë!
- Falëmeshhndet ty Gjergji të ka çue,
me ma mbathun gjogun mirë e mirë,
me ma vndue patkojt-o prej tumakut,
me m’ja shti thumbat prej çelikut,
se n’mejdan balozit due me i dalë!
Mbrapshtë po folë aj nallban probatini:
- Për n’m’i falsh, moj vashë, dy sytë e ballit,
ta kam pshtue vlla-Gjergjin prej mejdanit,
e baj gjokun me fjurue si era!

Se me idhnim çika e kite marrë!
-ا’je kah thue, bre burrë, goja t’u thaftë!
Jam kanë nisë tu dera e probatinit,
qe nandë vjet, puth gjogu ksajt s’â ra,
m’ fal se ndeshkam derën e magjupit!
Se kta sy nji herë un ua kam falë
tatës e nanës, puth kalben varrësh mbi dhe!

Analiza ime:
Nallban probatini është njëri i pabesë. Megjithëse ai është vëllami i Gjergjit, vëllau i tij sipas traditës me gjak, ai tani përpiqet të shfrytëzojë situatën për të kënaqur epshët e tij të ulëta. Duke parë bukurinë e vajzës ai e harron besën e shkruar me gjak. Dhe bukuria e motrës së Gjergjit zbulohet në botën e saj të madhe shpirtërore, në ndërshmërinë e saj, në dashurinë dhe respektin që ka ajo për të vëllanë dhe prindërit e vdekur. Propozimin e nallbanit ajo e hedh poshtë me përbuzje, duke e mallëkuar (“goja t’u thaftë!”).

(Vazhdon)
 
GJERGJ ELEZ ALIA – PJESA E KATثRT (fundi)

Lufta ka mbaruar dhe trimi kthehet në shtëpi:

156-188

Qatherë trimi â nisë me dredhë tu shpija
edhe shokët të gjithë m'i ka bashkue:
- Pa ndigjoni, more shokët e mij!
Falë u kofshin sarajet e mija!
Falë u kofshin tanë paret e mija!
E u koftë falë krejt malli e gjaja e shpisë!
Amanet motra e Gjergj Elez Alisë!
Edhe shtatit trimi i paska dhanun,
motërzezën ngrykas kesh me e marrun,
të dy zemrat priherë por janë ndalun,
vlla e motër dekun paskan ramun!
Kurkuj shpirti ma mirë s'i ka dalun!
Gjamë të madhe shokët puth m'i kanë ba!
Po ja çilin nji vorr bukur të gjanë,
Vlla e motër ngrykas për me i xanë
E ‘i muranë të bukur e kanë mbarue,
vlla e motër kurr mos me u harrue.
E ‘i bli t’bukur, puth m’ja vndojnë tu kryet,
zogu i verës gjithmonë me pushue.

Kur ka nisun mali me u dushkue,
â ndalë qyqja n’muranë t’vorrit të ri,
ka gjetë blinin të tanë degash tha.
Ka flurue përmbi ‘i saraj të zi,
Ka gjetë kulmin të tanë shembë për dhe.
M’nji prezor si m’paska hypë,
ka përbe shtegtarin kah po shkon:

- Amanet, more shtegtari i malit!
N’kofsh tuj kndue ksajt, kajkën me e pushue.
N’kofsh tu kajtë ksajt, gjamën për me e xanë!
Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!

Analiza ime:
Gjergji mblodhi shokët e tij për takimin e fundit. Ai u dha atyre kullat, paret, gjithë mallin e gjënë e shtëpisë. Dhe amanet motrën.... Ai dinte se jeta e tij po soset.
Gjergji u hodh për të përqafuar motrën. Të dyve zemrat u pushuan përnjëherësh. Vëlla e motër ranë përdhe të vdekur. Shokët i vajtuan me gjëmë të madhe, pastaj ata hapën një varr të gjerë.
Siç theksohet në vëllimin “Epika legjendare, I”, Tiranë 1966: “Nderimi që i bëhet pas vdekjes është shprehje e nderimit dhe e mirënjohjes së gjerë shoqërore për ata që bien si burrat në fushën e nderit, për mbrojtjen e idealeve të larta njerëzore.”
Holandezët marinarë-tregtar kanë një shprehje shumë kuptimplotë latinisht: Navigare necesse est, vivere non. Shqip: “Me lundrue asht e nevojshme, me jetue jo.” Në të njejtën mënyrë mund të thuhet për mentalitetin e trimave shqiptarë: “Me mbajt besën, nderën e burrninë asht e nevojshme, me u mbajt i gjallë jo.”
Bukuria ideo-estetike e Këngës së Gjergj Elez Alisë rritet edhe më shumë kur marrim parasysh karakterin dhe pozitën e motrës. Megjithëse ajo në këngë është e paemër dhe zbaton porositë dhe urdhërat e të vëllaut, ajo ka një forcë morale dhe një qëndrim të paepur që e vendos krah për krah me Gjergjin. Ajo nuk është person sekondar, ajo deri në fund rradhitet me të vëllanë, bëhet e barabartë me të. Kujdesi i Gjergjit për motrën bazohet në dashuri, jo në frikë për një turp të mundshëm. Motra, me karakterin e saj të lartë, nuk len shteg për dyshime.
Krahasime mund të bëhen me këngën e vëllaut të vdekur (Konstandinin, Halil Garrinë). Mirëpo, motra e Gjergj Elez Alisë me pozitën e vet në këtë dramë poetike nuk ka shoqe në poezinë popullore shqiptare.
Nën bli pushonin motër e vëlla, të përqafuar në vdekje. Varri u rrethua nga një mur, një grumbull gurësh, që të mos harrohej kurrë sa shumë e kish dashur motra vëllanë dhe sa shumë e kish dashur vëllau motrën.
Qyqja, kur nisi të dushkohet mali, qëndroi mbi muranë e varrit të ri. Ajo e gjeti blirin të tharë, kulmin e kullës (sarajës) së Gjergjit të shembur përdhe. Qyqja atëherë zuri vend në një dritare, duke kënduar një përbetim shtegtarit që shkonte udhës:
Dëgjo, o shtegtar i malit! Në qofsh duke kënduar, kur të afrohesh kësaj anë, pushoje këngën tënde! Në qofsh duke qarë, kur të afrohesh kësaj ane, shtoje edhe më shumë vajin dhe gjëmën!
Dhe qyqja mbaron këngën e vet me rreshtat më të bukura që kam gjetur në poezinë popullore botërore. Ky mbarim i mahnitshëm është një monument për rapsodin e panjohur shqiptar, me siguri analfabet, i cili diku në Malësi të veriut krijoi vjersha me një bukuri të paparë:
“Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!”

Populli i përvuajtur shqiptar është një popull shumë i pasur. Thesaret që kanë shqiptarët nuk shihen nga të gjithë. Prapë jam i bindur se Kënga e Gjergj Elez Alisë, po të ishe e shkruar anglisht ose frengjisht, do të numërohej ndër xhevahirët e poezisë botërore.
Kjo këngë për fisnikërinë e shpirtit shqiptar ka një mesazh për rininë e sotme shqiptare: Krenoheni! Ju keni pasuri që as koha nuk do të prekë! Dhe në të njëjtën kohë kjo këngë është një kushtrim. Jo për luftë por për rilindjen e shumëvonuar shqiptare me mjete paqësore. Nëntë plagët mbi trupin e Gjergjit janë trashëguar brez pas brezi. Sot këto plagë mund të quhen: varfëria, papunësia, korrupsioni, hakmarrja, shfrytëzimi i femrave, mosbesimi, demoralizmi, mërgimi dhe prapambetja shoqërore. Nëntë plagë mbi trupin shqiptar sot.
U ngrit nga shtrati i vdekjes Gjergj Elez Alia. Ngriheni shqiptarë! Pse po pritoni?
 
Roli i qyqes
Dua të shtoj disa fjalë nga libri i vlefshëm "Personifikimi në poezinë popullore shqipe" nga Rrustem Berisha (Prishtinë 1976), ku studiuesi shkruan për personifikimin e qyqes:
"Vetëm rreth personifikimit të qyqes, gjeneza e së cilës, sipas gojëdhënave, konsiderohet se është nga njeriu, janë thurur shumë këngë në të cilat personifikohet ajo. Në rend të parë, qyqja paraqet kuptimin e shkretërimit, fikjes, mbylljes së derës së një shtëpie, shuarjen e jetës së njeriut, kurse në jetën e përditshme, paaftësi totale të njeriut. Vaji i saj thërret kob, zi. Në këngën e Gjergj Alez Alisë, qyqja u drejtohet udhëtarëve dhe i bën me dije për një tragjedi që ka ndodhur aty; u jep një porosi me rëndësi të vecantë që bazohet në respektin që duhet t'i bëhet trimit të madh edhe pas vdekjes:

"Amanet more shtegtari i malit!
N'kofsh tuj kndue ksajt, kajkën e e pushue!
N'kofsh t'u kajtë ksajt, gjâmën për me e xânë!
Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m'bjeshkë,
Kah verova gjithkund vrri e n'vrri,
Kah mjerova gjithkun shpيe n'shpi,
Kërkund s'ndesha m'Gjergj Alez Ali!"

Qyqja rri mbi muranë të varrit ku pushojnë vëlla e motër. Ajo kur vjen si bredhëse që ishte, gjen blirin me degë të thata, kulmin e nxirë dhe të rrëzuar të sarajit, dhe, kjo pamje shkretërimi e nxiti të vajtojë për shtëpinë e fikur pa e nxitur kurrkush. Ajo frymëzohet si njeri dhe qan fatin e trimit. Tragjedinë që e kishte filluar këngëtari, e përfundon vetë shpendi me një fuqi të jashtëzakonshme, elegjiake, shpendi që e ka të vetmen prirje vajtimin. Me gojen e qyqes janë përfshirë me një fjalë karakteristikat e Gjergjit, janë shprehur në stilin popullor si mjaft të spikatura dhe në formë përmbledhëse: "Kërkund s'ndesha m'Gjergj Alez Ali!" Edhe pse më parë i dimë parimet etike të këtij luftëtari, karakterin, qëndresën, qyqja e ka dhënë në mënyrë të prerë, se pas vdekjes së tij nuk mbeti trim si ky, trim që don motrën, që del për ballë armikut. Kështu në atë pamje pikturale e cila na paraqitet si rrënim i cdo gjëje që ishte pronë e Gjergjit, ngritet vepra e tij e madhe dhe e pa shoqe. Dhe, pikërisht për madhështinë e tij shpirtërore e strategjike këndon një shpend që di t'ia thotë dhimbës bukur."

Kjo nuk mund të shprehet më mirë. Rrustem Berisha me këtë analizë na jep dicka me shumë rëndësi, dhe për këtë arsye i citova këtu fjalët e tij për rolin e qyqes në Këngën e Gjergj Elez Alisë.
__________________
Ullmar Qvick
 
Ja edhe nje pjese e kenges se Gjergj Elez Alise e marre nga Lahuta e malesise "


Kish dale nji Harap prej detit
trim i zi e belaxhi
edhe qitka ' i porez t'rande
ka tri buke pogace per shpi
shate mbase vene per dite me i pi
ka i taroc per mish te zi'
ka nji dash n'mjesdite m'ia pjekun
ka nji skjap per darke m'ia repun.
Njiqind vete n'mejdan ka pre
njiqind vithna qiti faret
njiqind shpia edhe ka djegun.
Kur vojt rendi n'Shqipatri
njati Gjergj Elez Alise
leter t'vrashte i paska cue
ndiej , yi or' Gjergj Elez Ali
mbas dy javesh si t'bjere kjo leter
ti n'mejdan mue ke me m'dalun
pse ty kullat do t'i djegi
mal e verri pse do t'i shkeli
dhen e dhi pse do t'i mjeli
pse edhe gruen rob do ta marr!
Letra Gjergjit n'dore ka ra
Edhe Gjergj fort a vra
fort a vra kur e ka kendue.
Dy jave vehten e ka mbajtun
buke prej derrit ai tue hanger
mish taroci ai tue granun
vene tri vjece tue pi
edhe atin e ka mbajtun
tagji urizit n'strajce tue i qitun
Vene me pi per uje tue i dhanun
Krye dy javesh , mbushun dy jave
vehten Gjergj e ka provue
nji lis t'madh kish ' pase n'oborr
me dy dueret Gjergji e ka kapun
me gjithe toke e ka zhgulun
opet n'vend edhe e ka ngulun.
Kenka mbathe e kenka veshun
paska veshun petka arit
paska ngjeshe shpaten florinit
zgjidhka gjokun pullali
ia ven frenin traqind pullash
ia mberthen me shtate kollona
edhe nanes ai po i ban za
hallalle, nane , ti me me ba
mire e keq , shka kemi folun!
E i ka puthun nanes doren
Amanet , mori ti loke
n'kjofte gjikue me m'pre harapi
lot per mue ti mos me derdhun!
-"Hajt , mor'bir , Zoti te ruejte
se s't'korite , jo , lokja jote"
E ka marre topuzin n'dore
e ka hypun mbi shpine t'atit
edhe a nisun per t'gjate t'shpatit
tue zbardh drita prej sabahit
i ka vojtun n'dere Harapit
"Nadja mire , Harap i zi!
Nuk ke ngae me ndeje sot n'hi
por cau del n'ate fushe t'mejdanit
sot ka dy jave si m'ke cue fjale
sot ty kryet due me ta pre!
Kur ka pa Harapi i detit
n'dere njate Gjergj Elez Aline
shif shka bani atehere Harapi
lekura buejesh per at ka lidhun
Asht tute ati i Gjergj Elezit
e kah Gjergj paska shkue
Mos u tut , bre zogu i atit
gjaja e cofte kurrgja s'mund t'baje
I asht turre harapi i zi
e m'topuz m'ta edhe ka shti
Gjergj kryet po e ka alun
permbi krye topuzi rreshqiti
T'iu drodh Gjergj Elez Alia
dale-kadale , Harapi i zi!
se m'thone Gjergj Elez Ali
E m'topuz m'ta edhe ka shti
M'lug t'dy kraheve ia ka ngjitun
tre pash para n'dhe e ka ngulun
dekun n'toke ra atebote harapi
ka marre djali edhe ka zdrypun
ia ka pre ate krye te zi.
hukubet Zoti e kisht' falun
tri pellambe buzen kishte pasun
kisht'pase veshin sa' i zhgun burri
sa dy vete me te me u mbelue
Kur ka ndie Mbret Sulejmani
paska shkue m'ate dere Stambolle
trim ka e trima s'ka
por si ka trima n'Shqipni
s'i ka Krajli as s'i ka Mbreti
s'i ka toka as s'i ka deti.

keto shkrime jane mare nga studiuesi dhe albanologu i shquar z.Ullmar Qvick
 
- Amanet, mori motër, pse po kan?
Zemrën dysh, mori motër, pse ma dan?
Që nandë vjet, puth trupi â tu m’u kalbë,
Gjergji i yt tjetër pushim nuk ka,
veç si gjethi i ahit n’log t’shullanit.
A thue s’pate me ngranë e me pi?
A t’la keq ty vllau për veshë e mbathë?
A mos t’u randue, ndoiherë me fjalë,
motërzezës vallau me iu mërzitë,
huj për burrë ndoshta puth me t’ra?


Kjo esht pjesa qe e mbaj mend ... tem shum e bukur Bledi :)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top