Intervistë me Rexhep Qosën

Kresha

A pretty face can never trick me
Rexhep Qosja: "Pse e quaj Kadarenë, mit i komunizmit"?



Admirina Peçi


Regjimi komunist në Shqipëri ka lënë vulën e tij të dukshme në jetën shoqërore të shqiptarëve. Gjurmë të tij i gjejmë në shumë fusha të artit, historisë, por edhe studimeve. Këto ditë kur gjithkund e nga gjithkah vijnë opinione e deklarata për këto gjurmë -plagë dhe atë çka duhet të bëjmë për t'i shëruar, hasim edhe fraza të tipit "të rishkruajmë historinë". Dikush mendon se historia duhet përmirësuar, korrigjuar, e dikush tjetër mendon se është më mirë t'ia nisim nga e para.
Akademiku, studiuesi dhe shkrimtari Rexhep Qosja, i ka ndjekur prej kohësh këto mendime të shprehura në mediat shqiptare. Ai shprehet i vendosur kundër nocionit "rishkrim të historisë". Në këtë intervistë të gjatë, prof. Qosja ndalet te autorët e ndaluar në kohën e diktaturës, pengjet e tij personale mbi ndonjë shkrimtar që s'ka mundur ta studiojë dhe për vendin që zë letërsia shqiptare në rangun evropian. Duke u nisur nga cilësimi që ai dha për shkrimtarin Ismail Kadare pak javë më parë në një bisedë të hapur me lexuesit dhe gazetarët në Ulqin, ku e quajti Kadarenë "mit i komunizmit", në këtë intervistë Qosja sjell një vijim të asaj që është njohur si polemika më e famshme e këtyre 10 viteve të fundit mes tij dhe shkrimtarit Ismail Kadare mbi identitetin e shqiptarëve, argumentet e reja të tij mbi atë çështje, dhe sidomos mbi islamizmin, pa harruar të ndalet në shijen e hidhur që i ka lënë ai debat, dhe personazhet që morën pjesë në të.


Në Ulqin para pak javësh, gjatë një bisede me lexuesit tuaj dhe gazetarët, shkaktoi reagime përgjigjja që dhatë mbi rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe. I rikthehemi dhe njëherë kësaj çështjeje. Pse thoni se është i gabuar ky koncept?

Qosja: Jam kundër nocionit rishkrim dhe përmbajtjes së tij kur është fjala për shkencat historike, prandaj edhe kur është fjala për historinë e letërsisë. Ta rishkruash një shkencë, do të thotë të fillosh prej A-së, prej fillimit, thuajse nuk ka ekzistuar asgjë më parë në atë shkencë. E ne si popull, nuk po dalim tani prej matriarkatit. Jemi popull historik, me një traditë në organizim shoqëror, në politikë, në shkencë, në kulturë. Para nesh që jetojmë sot dhe para atij që i pari pas rënies së komunizmit ua vari në qafë atë nocion historianëve shqiptarë, sigurisht pasi i kanë fryrë në veshë disa historianë të tjerë, kanë jetuar edhe disa të tjerë, që kanë menduar, që kanë punuar, që kanë shkruar, që kanë shkruar, madje, edhe trajtesa, studime, monografi - vepra historike politike dhe historike letrare. Nuk mund të kalojmë përmbi atë punë krijuese, përmbi ato vepra si të mos ekzistonin ato dhe si të mos kishin jetuar autorët e tyre, sepse mund të na ngjajë t'i përsërisim shumë punë që kanë kryer ata, t'i përdorim shumë nga të dhënat që kanë sjellë ata, që kanë zbuluar ata, shumë nga interpretimet e shpjegimet që kanë bërë ata. Historia e Anglisë e historianit dhe kritikut të lavdishëm anglez, Tomas Babington Makoli, e përbërë prej shumë vëllimesh, është e shkruar në shekullin XIX. Këndshikimi i tij ishte ai i shtresës dhe i partisë së cilës i takonte. Atë vepër monumentale të historiografisë angleze, historianët modernë anglezë sot e quajnë përmbledhje anekdotash. Por, megjithatë, ajo mbetet referenca e tyre e pakaluar. Për shkak se ekziston ajo, këta historianë modernë nuk mund të thonë se po e rishkruajnë historinë e Anglisë: ata thonë se po e korrigjojnë, plotësojnë, përmirësojnë, thellojnë, modernizojnë historinë e Anglisë, duke e liruar prej paragjykimeve, anshmërive, kufizimeve politike, partiake, klasore të tij.
Historia e letërsisë italiane e kritikut Francesko de Sanktis, për konceptin modern të studimit të letërsisë sot çmohet tepër e vjetruar, e tejkaluar, përplot anshmëri e paragjykime. Por, asnjë historian bashkëkohor i letërsisë italiane, me mend në krye, nuk e thotë se për Danten, Petrarkën, Makiavelin, Guiçardinin, Parinin, Foskolon, Leopardin, Manconin mund të shkruajnë thuajse nuk ka ekzistuar Francesko de Sanktis dhe thuajse ai nuk ka shkruar për ta. Historia e popullit, dhe historia e letërsisë do rishikuar dhe ristudiuar prej fillimit e në fund, do korrigjuar, do plotësuar, do rivlerësuar dhe ndryshuar në shumë pikëpamje e në shumë pika, por jo, natyrisht, nga këndshikime të anshme, partiake, ideologjike, politike, klasore. Paraardhësit tonë historianë na bëjnë të mundshme që nga krahët e tyre të shohim më larg, më drejtë, më thellë, më gjithanshëm, më shkencorisht nëse jemi të aftë e të ndershëm si krijues.
Në kohën e Stalinit, Xhugashvilli tri herë ka kërkuar të rishkruhet historia e Bashkimit Sovjetik dhe tri herë është rishkruar. Sot nuk jetojmë në kohën e Stalinit, sado nuk jemi pa njerëz politikë me disa kërkesa të Xhugashvillit.


Sidoqoftë, është një grup shkrimtarësh që u mohuan, u keqinterpretuan e madje u burgosën dhe dhunuan për rreth 50 vjet. ا'vend duhet të zënë sot këta autorë të letërsisë shqipe?


Qosja: Sjelljet e regjimeve komuniste ndaj disa autorëve e disa vlerave në krijimtarinë artistike dhe shkencore, qoftë të traditës, qoftë të bashkëkohësisë, ishin tmerrësisht censuruese, rrëgjuese, diskriminuese, prandaj të padrejta, të gabueshme dhe përgjithmonë të papranueshme. Për të qenë e keqja më e madhe ndëshkoheshin edhe krijimtaria dhe vetë krijuesit! Shkrimtarët e mohuar, natyrisht, duhet të studiohen dhe kjo deri diku po bëhet. Krijimtarisë së tyre, në bazë të trajtimit, interpretimit, shpjegimit, vlerësimit objektit, shkencor, duhet t'i jepet vendi që i takon në historinë e letërsisë shqipe. Dhe, kjo do të jetë shumë e rëndësishme për historinë e letërsisë shqipe dhe për lexuesit e saj. Nuk do të jetë mirë në qoftë se rikthimi i të mohuarve, i të dënuarve bëhet me direktiva politike dhe krijimtaria e tyre shpjegohet e vlerësohet nga këndshikime ideologjike, politike e partiake. Kam drojë prej një partishmërie të re në "rishkrimin" e historisë së letërsisë shqipe. Mendimet tona, siç e ka dëshmuar koha, shpesh udhëtojnë prej një skaji në skajin tjetër! Them kështu jo vetëm pse ndër emrat e shumë të mohuarve e të dënuarve në kohën e komunizmit që thuhet, duhet të futen në historinë e letërsisë, ka edhe individë që kanë shkruar, por nuk janë shkrimtarë, që meritojnë të hyjnë në të.


Ju jeni një prej studiuesve më në zë të letërsisë shqipe. اfarë ju prek më shumë në këtë çështje? Ka ndonjë autor që ju ka mbetur merak që nuk e keni studiuar?


Qosja: Në Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës, disa personazhe janë figura reale, të njohura, të vendlindjes sime. Për këtë arsye, një numër i këngëve të kësaj epopeje kombëtare
janë ditur përmendësh atje. I kam ditur në fëmijëri dhe i di edhe sot përmendësh shumë vargje të Fishtës. Kur më është lejuar paraqitja e tezës së doktoratës në vitin 1969, kam kërkuar të më bëhet e mundshme ta trajtoj krijimtarinë e tij. Nuk më është lejuar kjo për shkak të, si më është thënë, qëndrimit të tij ndaj malazezve dhe serbëve. Dhe mandej, për tezë doktorate kam paraqitur krijimtarinë e Asdrenit, edhe pse më parë kisha pasur në dorë vetëm përmbledhjen e tij me vjersha, që kishte përgatitur Dhimitër Fullani, por asnjërën prej veprave të botuara për së gjalli të tij. Për t'i siguruar përmbledhjet e tij jam detyruar të shkoj dy herë në Bukuresht e, pastaj, në Tiranë në janar të vitit 1970, që të hetoj lëndën për të dhe për krijimtarinë e tij në Arkivin e Shtetit dhe në Bibliotekën Kombëtare. Më ka mbetur shumë merak pse nuk më është dhënë mundësia të merrem me krijimtarinë e Fishtës. Vepra e tij i jep studiuesit shumë, shumë mundësi për përimtime, interpretime, shpjegime, vlerësime të larta të mjeshtërisë së tij të jashtëzakonshme poetike dhe për kritikë të konservatorizmit dhe klasicizmit anakronik në një pjesë të poezisë dhe të dramaturgjisë së tij.




Gjithmonë keni qenë pjesë e debateve mbi çështje e probleme të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Por debati mbi identitetin e shqiptarëve duket ka lënë gjurmë të dukshme. A i qëndroni ende atyre çka keni thënë mbi identitetin e shqiptarëve në librin "Ideologjia e shpërbërjes" e, mandej, në polemikën me shkrimtarin Ismail Kadare?

Qosja: Tezave që kam paraqitur në atë, si e quani Ju, debat edhe iu qëndroj, natyrisht, edhe do të mund t'u shtoja argumente plotësuese. Ishte ai një debat në të cilin u inkuadruan shumë publicistë, njerëz të politikës, disa shkrimtarë dhe studiues. Pjesëmarrja aq e gjerë në atë debat, sigurisht, nuk ishte e rastit. Në librin "Ideologjia e shpërbërjes" shtrohej një tezë thuajse e paprekur në jetën tonë intelektuale dhe politike. Dhe, kjo tezë, mandej, konkretizohej me shembuj që shumë veta nuk do të donin t'i dëgjonin. Shtrohej teza: 1. tejshquarja, tejtheksimi i vetëdijes fetare në jetën tonë si popull me tri fe, i përcjellë me propagandë midis fesë katolike dhe fesë myslimane; 2. përpjekja për rrënimin e gjuhës standarde kombëtare dhe krijimin e gjuhës standarde kosovare a gegërishte në përgjithësi dhe 3. ideja e krijimit të kombit kosovar mund të luajnë rol dekompozues, shpërbërës në jetën kombëtare shqiptare, me pasoja që nuk mund t'i parashohim plotësisht sot. Kjo tezë mbështetej në një varg të dhënash nga jeta jonë e përditshme politike, kulturore dhe fetare. Në libër kritikoheshin vetje politike për animet e tyre fetare në jetën politike dhe për shpërfilljen e haptë të fesë myslimane gjithnjë në përpjekje që ashtu t'u servilizonin disa qarqeve konservatore të jashtme dhe, më në fund, tregohej karakteri i papranueshëm politik propagandistik i ftesës së përsëritur shpesh edhe në disa media për kthim në fenë e të parëve. Shkrimtarit Ismail Kadare iu kishte dukur se i është dhënë rast i mirë që t'u "dëshmonte" lexuesve dhe, sidomos, disa qarqeve të huaja se qytetërimi (dhe identiteti) shqiptar është një qytetërim i pastër evropian, pa asgjë në vete nga qytetërimi islam! Përbërësit e shumtë karakteristikë të fesë dhe të qytetërimit islam, që kishin sjellë shekujt në jetën historike të popullit shqiptar, në qytetërimin dhe në identitetin e tij, ai i kishte fshirë me vendosmëri bolshevike. Evropa e tij, në librin e tij polemik me titullin "Identiteti evropian i shqiptarëve", ishte konceptuar si një klub i krishterë, në të vërtetë si një kështjellë mesjetare, në të cilën nuk mund të ketë vend për myslimanët! Për të ishte i papranuar koncepti i elitës intelektuale dhe politike evropiane, në sajë të cilit Evropa e bashkuar shihet si projekt i hapur dhe si një përmbledhje identitetesh kulturore pa mbikomb. Ishte e qartë se me librin e tij "Identiteti evropian i shqiptarëve", Ismail Kadare kishte sjellë në polemikë ide të disa qarqeve ultrakonservatore evropiane, të cilat i cilëson mosdurimi dhe përbuzja e fesë myslimane, të cilat kur flasin për myslimanët në Evropë flasin për "makthin mysliman"! Në përpjekje e sipër që t'u pëlqente sa më shumë atyre qarqeve ultrakonservatore, Ismail Kadare do të bëjë në librin e tij disa pohime dhe do të përdorë disa cilësorë të zatetur përçmim dhe urrejtje për fenë, kulturën dhe qytetërimin mysliman dhe për përbërësit e tyre shumë të dukshëm në qytetërimin dhe në identitetin shqiptar! Dhe kështu, racizmi fetar dhe kulturor ishin bërë ideologji e tij në shkrimin me titullin mashtrues "Identiteti evropian i shqiptarëve". Ata që dinë më shumë për mëtimet shumëvjeçare të Ismail Kadaresë për t'u pastruar nga mëkatet e mëdha intelektuale e morale për shkak të shërbimeve që me vepra e me veprimtari i kishte bërë ideologjisë komuniste në variantin stalinist nuk e kanë të vështirë të kuptojnë arsyen e zhytjes së tij në batakun e racizmit fetar dhe kulturor ndaj të cilit do të reagojnë mjaft lexues shqiptarë në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë. Dikush do të mund të thoshte, siç madje është thënë, se ideologjinë raciste kundërmyslimane të Ismail Kadaresë mund ta shikojmë si koniunkturë të tij, me të cilën nuk duhet marrë seriozisht, por nuk mund të mos e kemi parasysh se në kushtet e sotme kjo ideologji nuk ishte e pa pasoja edhe kombëtare edhe ndërkombëtare për shqiptarët. Ndër shkaqet e refuzimit të vendeve arabe dhe të numrit më të madh të vendeve islamike në botë që të njohin Kosovën e pavarur, përpos politikës shpërfillëse disavjeçare të Shqipërisë e të Kosovës ndaj fesë myslimane dhe vendeve myslimane, nuk mund të mos shihen edhe racizmi fetar e kulturor kundërmysliman i Ismail Kadaresë, naivitetet politike fetare të ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe propaganda politike-fetare e disa klerikëve dhe zyrtarëve partiakë jo vetëm në Kosovë për kthim në fenë e të parëve! Mund të shpresojmë se numri më i madh i shteteve arabe dhe i shteteve të tjera myslimane do ta njohin Kosovën e pavarur - çka është e rëndësishme edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë, por idetë raciste të shkrimtarit Ismail Kadare dhe privatësitë naive politike fetare të ish-kryetarit të LDK-së, i cili shtetin laik, modern të Kosovës, e konceptonte me fotografinë e Papës në Presidencën e Kosovës, do të mbeten si një kujtim tragjik në kulturën dhe në politikën tonë. Po lirohemi prej asaj ideologjie raciste duke paguar çmim: duke çuar emisarë në vendet arabe për të kërkuar prej tyre, në të vërtetë për t'iu lutur atyre, që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Të shpresojmë se lutjet tona do të pranohen qoftë edhe pse kryetari i tanishëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, më në fund prej Presidencës së Kosovës i hoqi fotografitë e figurave fetare - të Papës Gjon Palit II dhe Nënës Terezë, duke ia kthyer ashtu Kosovës karakterin e shtetit laik. I shkreti Ismail! Sa shpesh po kthehet historia kundër tij!






Më keni thënë në një prej bisedave tona se ai debat ju ka lënë një shije të hidhur. Pse?

Qosja: Ai debat më ka lënë shije të hidhur, në radhë të parë, për dy arsye: e para, për shkak të shtrembërimit, falsifikimit të tekstit tim, sidomos të librit të dytë, "Realiteti i shpërfillur", nga ana e disa pjesëmarrësve në debat dhe, e dyta, për shkak të vrazhdësisë që tregonin të njëjtit! Disa prej tyre janë paraqitur me nga dy a tri shkrime kundër meje pa iu përgjigjur unë asnjëherë. Dhe, herën e dytë ishin shumë më të vrazhdë se të parën e herën e tretë, më të egër se të dytën. Pse e bënin këtë? Padyshim për t'iu servilizuar atyre dy-tre zyrtarëve të lartë, që e quajtën të nevojshme të futen në debatin për t'ia dhënë krahun Ismail Kadaresë e për të më dënuar mua! Po përmend me këtë rast paraqitjen e dyfishtë të një ish-ambasadori, të shkarkuar nga detyra për shkak të korrupsionit. Meqenëse me shkrimin e parë kishte harruar ta rëndonte barrën e hudhur në shpinën time aq sa do t'u pëlqente atyre zyrtarëve, prej të cilëve varej karriera e tij e ardhshme diplomatike a ekonomike, ai do të kujdeset fort ta rëndojë në shkrimin e dytë! Nuk kam marrë vesh, sepse nuk më intereson natyrisht, se me çka është shpërblyer për këtë shërbim aspak diplomatik!
Por, ai debat më ka sjellë edhe shumë kënaqësi. E para, pse e ka komprometuar mosdurimin publik të një feje - të fesë myslimane në jetën tonë kombëtare dhe të botës arabe e myslimane në përgjithësi nga ana e një numri intelektualësh dhe zyrtarësh në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë; dhe e dyta, pse e ka tejrritur numrin e përndjekësve të mi. Unë e di, shumë i sigurt, se sa më numërmadhe dhe më e zhurmshme të jetë sot falanga zyrtare e përndjekësve të ideve të mia, të mendimeve të mia, të veprimtarisë sime intelektuale, aq më i rëndësishëm dhe më i çmuar do të jam unë si intelektual dhe shkrimtar nesër.





Gjatë bisedës në Ulqin mbi rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe, u ndalët tek rasti i shkrimtarit Ismail Kadare, duke e cilësuar mit i komunizmit. Kjo deklaratë hasi menjëherë në reagime në shtypin e Tiranës dhe të Prishtinës. Pse e cilësoni mit të atij regjimi?



Qosja: Nuk shoh ndonjë të keqe në atë pohim. Mit në këtë rast do të thotë shumë i popullarizuar. Ata që kanë sadopak njohuri për mitet bashkëkohore dhe për krijimin e tyre, ata e dinë se këto mite nuk krijohen vetvetiu: i krijojnë zakonisht, mediat. Meqenëse në komunizëm mediat ishin mjeti i regjimit, me to çohej shumë lart apo rrëzohej shumë poshtë ai apo ajo që donte regjimi. Kjo ishte proceduara mitologjike në të cilën është përdorur edhe Ismail Kadare në kohën e komunizmit. Dhe, siç dihet, ai me shumë qejf e ka pranuar përdorimin në këtë procedurë. Së paku ashtu na bind krijimtaria e tij letrare e publicistike dhe veprimtaria e tij politike shoqërore.

Vijon





/balkanweb/
 
Rexhep Qosja: E papranueshme ideologjia komunisto- staliniste e Kadaresë

Në maj të 1980-ës, në vitin e vdekjes së Josif Broz Titos, Rexhep Qosja ka dhënë një deklaratë për ish-liderin komunist të ish-Jugosllavisë. Qosja thotë se sa ishte gjallë Tito, “nuk ia kam përmendur kurrë emrin”. Por cila është e vërteta e asaj deklarate? Në pjesën e dytë të intervistës, akademiku i mirënjohur jep argumentet e tij mbi atë deklaratë, dhe pse e mbështet ende sot. Më tej, Qosja flet mbi marrëdhënien e tij si kritik me veprën e Kadaresë, mendimin e tij mbi romanin “Kështjella”, të cilin e vlerëson pozitivisht dhe kritikën e hershme mbi romanin “Dasma”, së cilës i qëndron ende, pse ai pohon se letërsia jonë nuk ka shkrimtarë të rangut evropian, dhe një analizë e hollësishme mbi të gjitha idetë e shkrimtarit Ismail Kadare, me të cilat ai nuk pajtohet...

(Vijon nga numri i kaluar)

Një prej polemizuesve në Tiranë, Sadik Bejko, pas këtyre deklaratave ju akuzoi se ju i keni thurur lavde Titos, (pushtuesit sipas tij) në kohën kur Kadare mbështeste revoltat kosovare të ’81-shit. A keni një përgjigje publike për këtë?
-Po t’ju përgjigjesha edhe sadikave që më sulmojnë, do të më duheshin së paku tridhjetë daktilografë.
Megjithatë, keni pasur një deklaratë për Titon...
-Tani po ju përgjigjem Ju. Kam dhënë në muajin maj më 1980-ën, në vitin e vdekjes së Titos dhe gati një vit para demonstratave të studentëve tonë në mars të vitit 1981, një deklaratë për vdekjen e Titos, të cilit nuk ia kam përmendur kurrë emrin për së gjalli. Atë deklaratë natyrisht do ta nënshkruaja edhe sot. Nuk kam qenë as titist, as enverist. Koncepti im mbi lirinë dhe humanizmin gjithmonë është frymëzuar nga veprat e filozofëve e shkrimtarëve të mëdhenj e jo nga regjimet politike. Por, sot, kur po shoh çka po shoh dhe kë po shoh në politikë duke vjedhur e plaçkitur e shfrytëzuar më vjen dëshirë të flas mirë e më mirë edhe për Titon edhe për Enverin. Titoja nuk e ka pushtuar Kosovën - e ka gjetur të pushtuar prej Serbisë. Titoja e ka thënë menjëherë pas luftës në bisedë me Enver Hoxhën se do të pajtohej me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por këtë nuk do ta lejonte Serbia. Titoja i ka thënë Fadil Hoxhës në vitin 1968 se do të pajtohej që Kosova të bëhej republikë, por kjo do ta çonte në këmbë Serbinë. Në sajë të përkrahjes së Titos, Fadil Hoxha me një numër të udhëheqësve të tjerë shqiptarë, e ka çuar Kosovën deri aty ku e gjeti terrori serb posa vdiq Titoja: me autonomi të vitit 1974, me Universitet, me Akademi të Shkencave e të Arteve, me Institutin Albanologjik dhe me Institutin e Historisë, me shumë botime, revista e gazeta, me urbanizim të shpejtuar të Kosovës, me gjuhë letrare kombëtare, me numër të madh të shkollave fillore e të mesme, me spitale e klinika , me arte dhe shkencë gjithnjë e më të zhvilluar, në të cilat nuk bënte kërdinë realizmi socialist. Për të gjitha këto arsye prej vdekjes së tij e deri sot, në Serbi nga autorë serbë dhe miq të Serbisë janë botuar mija artikuj, studime, vjersha, drama, vepra historike përplot urrejtje për të. Jo rastësisht Lordi Kerington, përfaqësuesi i Evropës në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së Jugosllavisë në vitin 1991, do të deklarojë: tani po e kuptojmë se me kë krejt kishte punë Titoja dhe sa i madh ishte ai.
ا’do të thotë për një studiues t’i kundërvihet në ide një shkrimtari, veprës së të cilit i ka kushtuar vite të tëra pune, si në rastin tuaj veprës së Kadaresë?
-Jam kritik e historian i letërsisë dhe më vjen keq pse nuk i kam kushtuar më shumë punë krijimtarisë së Ismail Kadaresë. Kam shkruar një kritikë shumë negative për kiç romanin e tij “Dasma”, me të cilin ai ia sillte Shqipërisë revolucionin kinez të Mao Ce Dunit, një kritikë pozitive për romanin e tij Kështjella në shqip, një për përkthimin në serbokroatisht të kësaj vepre, një deklaratë mbrojtëse në Zërin e Amerikës pas daljes së tij në Francë dhe një artikull me rastin e 70 vjetorit të lindjes. Në intervista të ndryshme, kohë pas kohe, kam thënë ndonjë fjalë të shkurtër për të. Krejt ç’kam shkruar për krijimtarinë e tij deri te debati i para një viti e gjysmë, mund të kap rreth 20 faqe. Do të doja të kisha shkruar më shumë. Dhe, kam menduar të shkruajë më shumë, një monografi, por nuk më ka lejuar angazhimi në disa projekte historiko-letrare dhe në publicistikën për çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare. Kjo nuk do të thotë se kam hequr dorë prej dëshirës që të shkruaj ende për të.
اfarë shihni si të papajtueshme në idetë e tij?
ثshtë e papranueshme ideologjia e tij komuniste, e versionit stalinist, deri në rënien e komunizmit në Shqipëri, e mbrojtur me vepra letrare dhe me shkrime publicistike!
ثshtë e papranueshme teoria e realizmit socialist, së cilës po ashtu i ka kushtuar shkrime “teorike” dhe publicistike dhe të cilën është kujdesur ta arsyetojë edhe me një varg vjershash dhe prozash.
ثshtë e papranueshme ideologjia e tij fetare me të cilën i është paraqitur opinionit shqiptar shpejt pas rënies së komunizmit sepse, si e tillë, do të luante rol përçarës në jetën kombëtare shqiptare. Në qoftë se deri në përmbysjen e komunizmit ka bërë shumë përpjekje, me vepra letrare, me publicistikë dhe me veprimtari politike që ta bindë popullin shqiptar se ideologjia komuniste, e versionit stalinist, do ta bëjë të lumtur, pas rënies së komunizmit ai po përpiqet ta bindë këtë popull se në “parajsë” do ta çojë një ideologji tjetër: ideologjia fetare katolike! اuditërisht disa klerikë, disa publicistë dhe disa profesorë universiteti, siç shihet prej shkrimeve a deklaratave të tyre, mendojnë se e ka sinqerisht!
ثshtë i papranueshëm racizmi i tij fetar dhe kulturor, i shprehur pa ngurrim në librin polemik “Identiteti evropian i shqiptarëve”.
ثshtë e papranueshme ideologjia e tij antiamerikane, deri në rënien e komunizmit, në sajë të cilës SHBA-të trajtohen fuqi imperialiste, dhe është e papranueshme ideologjia e tij antiarabe, antikineze dhe antimyslimane sot, e dëshmuar në të njëjtin libër. E të tjera.
Më jepni një vlerësim të përgjithshëm për veprat e Kadaresë. A keni diçka për të shtuar në studimet tuaja për këtë shkrimtar? Cila është vepra që vlerësoni më shumë tek Kadare dhe cila është vepra që mendoni se e ka dëmtuar reputacionin e tij si shkrimtar?
-Veprat e shkrimtarëve nuk lexohen gjithmonë njësoj. Brezat e ardhshëm nuk i lexojnë ato siç i kanë lexuar gjyshërit apo, madje, baballarët e tyre. Koha e re, ndryshimet që bëhen në jetën shoqërore, u sjellin atyre ide dhe ndjeshmëri të re,që ndikojnë fort në leximin e tyre. Veprat e Ismail Kadaresë, si të çdo shkrimtari tjetër të kohës së komunizmit, lexohen dukshëm më ndryshe se ç’ janë lexuar dhe përjetuar në atë kohë. Edhe unë, vetë, nuk i lexoj, nuk i kuptoj dhe nuk i përjetoj sot krejt njësoj si atëherë. Për shkak të ideve, të ideologjisë dhe të ndjeshmërisë, që është e përmbajtur në to, për shkak të patosit e retorikës që i karakterizon, një numër i vjershave, i tregimeve dhe i romaneve të Ismail Kadaresë sot marrin çmim dukshëm më të vogël artistik se në atë kohë. Disa prej tyre, madje, mund të konsiderohen vepra politike me vlerë fare të paktë artistike apo fare pa të. Atdhetarizmi i ashtuquajtur partiak, që dikur e ka shtuar fort numrin e lexuesve të tij, dhe e përshkon një pjesë të veprave të tij, sot është përbërës shumë zhvlerësues i tyre.
ا’t’i bësh, ky është fati i shumë shkrimtarëve, që kanë jetuar në sistemin totalitar komunist.
Megjithatë, Ismail Kadare ka një numër të veprave, që do t’i qëndrojnë kohës me vlerën e tyre artistike. Po vendi i tij në historinë e letërsisë shqipe do të jetë dukshëm më i rrudhur se deri sot. Vepra e tij që çmoj më së shumti është Kështjella tani me titull tjetër, kurse vepra e tij më e dobët, prej se cilës ka hequr dorë edhe vetë ai, është “Dasma”. Po Ismail Kadare bën gabim pse lufton me pendë, me gojë, me bashkëpunëtorë e me rrogëtarë kundër atyre që nuk ngurrojnë të shfaqin mendime negative për një pjesë të krijimtarisë së tij letrare, për atdhetarizmin e tij partiak bolshevik në atë krijimtari, për publicistikën e tij, për ideologjitë e tij të llojllojshme – herë staliniste, herë raciste, herë kundërfetare, herë fetare, për rolin e tij në jetën letrare dhe kulturore kombëtare në kohën e komunizmit. E konsideroj fatkeqësi të tij të djeshme e të sotme pse ka jetuar dhe vazhdon të jetojë i rrethuar me servilë, puthadorë, lajkatarë, të cilët ia bëjnë qejfin duke e lavdëruar në mënyrë vulgare dhe duke përndjekur ata që nuk ngurrojnë të mendojnë e të shkruajnë edhe ndryshe për të dhe krijimtarinë e tij. Sa më mirë do të kishte qenë për të sikur të kishte vepruar si ai romaku i mençur, i cili me ligj kishte kërkuar të ndalohej lavdërimi i tij prej lajkatarëve. Nuk ka dashur ta dijë dhe nuk do ta dijë Ismail Kadare se lavdërimi dhe mbrojta nga maksat dhe sadikat shumë më tepër e ulin se ç’e lartësojnë!
Jeni shprehur se në letërsinë shqipe nuk ka shkrimtarë të rangut evropian. Atëherë pse përkthehet dhe botohet letërsia shqiptare në Evropë e më gjerë?
Romanet e shkrimtares amerikane, Daniela Stil, janë përkthyer në shumë gjuhë në botë, por vlera e tyre artistike është fare e vogël. Romani i Den Braunit, “Kodi i Da Vinçit” , është përkthyer në mbi pesëdhjetë gjuhë, por artistikisht është roman fare modest. Letërsia shqipe, sipas të gjitha gjasave, me letërsinë maqedone dhe malazeze është letërsi ballkanike me më së pakti përkthime. Veprat e shkrimtarëve të letërsive të vogla kur përkthehen zakonisht nuk përkthehen për shkak të vlerës së tyre artistike. Evropa ka mjaft vlera artistike. Ka vepra e kryevepra. Veprat e shkrimtarëve të letërsive të vogla përkthehen për arsye politike dhe etnografike. Edhe veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer në radhë të parë për arsye politike. ا’vlerë ka romani i tij më i vëllimshëm Dimri i madh? Gati kurrfarë vlere artistike. Megjithatë, është përkthyer në sa gjuhë. Apo Pasardhësi? Letërsia jonë është një letërsi e vogël në të cilën ende nuk janë krijuar vepra që mund të quhen vepra me vlerë artistike botërore a evropiane. Njëmijë e një fatkeqësi jetësore dhe historike deri sot i kanë penguar krijuesit e saj që të krijojnë vepra me aso vlere. Të shpresojmë se brezat që po rriten dhe brezat që do të vijnë do të kenë fat më të mirë.
Edhe pse klima e debateve në Shqipëri është e ashpër dhe shpeshherë e padenjë, a do të ishit gati të rihapnit diskutime të gjera mbi një çështje të re? Sipas jush, cili problem do të meritonte debat në këto momente?
-Do t’i propozoja tri çështje për debat. اështja e parë: Rehabilitimet; çështja e dytë: Tekstet historike dhe historike-letrare në shkolla të mesme dhe, çështja e tretë: kriza morale e shoqërisë shqiptare – politika dhe mediat.
Porsa jeni kthyer nga Vuthajt, vendlindja juaj, ku keni kaluar thuaj gjithë verën. Këtë stinë ju e kaloni shpesh atje. اfarë i karakterizon ditë –netët tuaja në Vuthaj? Cilat janë fijet lidhëse që ekzistojnë mes jush dhe atij fshati?
-Alpet shqiptare, thonë gjeografët tanë e kanë shkruar edhe gjeografë të huaj, hyjnë ndër viset më të bukura në Evropë, me shumë bjeshkë, male, lugina, me bimësi të dendur e të llojllojshme, me lule gjithfarë ngjyrash, me lumenj dhe burime të kthjellta si loti. E dua atë pastërti, atë bukuri, atë virgjëri natyrore. Dhe, i dua ata njerëz që jetojnë aty.
Për shumëkënd stina e pushimeve do të thotë një arrati e shkurtër nga e përditshmja dhe punët. E keni konceptuar ndonjëherë kështu?
-Verën në vendlindje nuk e konceptoj si ikje nga puna. Përkundrazi: e konceptoj si mundësi për punë. Qershori në Prishtinë, për shkak të vapës dhe ajrit të rëndë, më sjell shumë lodhje. Si shkoj në Vuthaj më kthehen fuqitë dhe më pushojnë të gjitha dhembjet trupore. Pas tri ditëve të para, punoj çdo ditë 9 deri në 12 orë. Pjesën tjetër të kohës e kaloj me mysafirë dhe në ecje kryesisht bregut të lumit.
اfarë po shkruani këto kohë, letërsi apo studime?
- Bëj gati për botim një libër me studime historiko-letrare.
Prishtinë, 1 shtator 2008

gazeta shqiptare
 
Titulli: Intervistë me Rexhep Qosën

Ky eshte njeri nder akademiket me te zote qe ka shqiptaria po me fjalet e veta e ka bere qe respekti per te te jete nen zero i deshtuar si politikan njeri i fort i lapsit
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top