Ese: Mbresa nga Gaza

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Noam Chomsky

Mbresa nga Gaza
Mjafton një natë e vetme e kaluar në burg për të shijuar çdo të thotë të jesh nën kontrollin e plotë të një force të jashtme. Mjafton të jetosh një ditë të vetme në Gaza për të kuptuar se çdo të thotë të përpiqesh të mbijetosh në “burgun e hapur” më të madh në rruzull, ku një milion e gjysmë njerëz, në zonën më të populluar në botë, i nënshtrohen vazhdimisht një terrori të egër dhe të paarsyeshëm si dhe ndëshkimit arbitrar, që nuk ka qëllim tjetër veçse poshtërimin dhe degradimin, si dhe objektivin e fundëm të shuarjes së shpresave të palestinezëve për një të ardhme të hijshme dhe zhvleftësimin e mbështetjes globale për një zgjidhje diplomatike që do të garantojë të drejtat e tyre.

Përkushtimi i lidershipit izraelit ndaj një politike të tillë u ilustrua dramatikisht përpara pak ditësh kur ata paralajmëruan se do të “çmenden” nëse palestinezëve u akordohet pranim i pjesshëm në OKB. Ky nuk është lajm i ri. Kërcënimi se do të reagojnë si të “çmendur” (nishtagea) ka rrënjë të thella. Ai daton nga qeveria laburiste e vitit 1950-të dhe shoqërohet nga “kompleksi i Samsonit”; do të shkatërrojmë muret e Tempullit nëse egërsohemi. Atëherë ishte kërcënim i plogët, por sot jo.

Po ashtu, poshtërimi i qëllimshëm nuk është diçka e re, edhe pse vazhdimisht merr forma të reja. Tridhjetë vite më parë, liderët politikë, përfshi edhe disa nga fajkonjtë (njerëzit që e mendojnë luftën si zgjidhjen e vetme) më të shquar, i paraqitën kryeministrit Begin një raport shokues dhe të detajuar sesi kolonët i keqtrajtonin palestinezët në mënyrën më të pashpirt pa pësuar asnjë ndëshkim. Analisti i spikatur politiko-ushatarak Yoram Peri shkroi me neveri se detyra e ushtrisë nuk është mbrojtja e shtetit, “por shkatërrimi i të drejtave të njerëzve të pafajshëm thjesht për faktin se janë Araboushim (term diskriminues me të cilin hebrenjtë identifikojnë arabët) që jetojnë në territore të cilat Zoti na i ka premtuar neve.”

Banorët e Gazës janë përzgjedhur për t’ju nënshtruar një ndëshkimi veçanërisht mizor. ثshtë pothuajse një mrekulli që njerëzit arrijnë të mbijetojnë në kushtet e një ekzistence të tillë. Aftësia e tyre për të mbijetuar është përshkruar tridhjetë vite më parë në kujtimet elokuente të Raja Shehadeh (Rruga e Tretë), bazuar në punën e tij si avokat i përkushtuar ndaj detyrës së pashpresë të mbrojtjes së të drejtave elementare në kuadër të një sistemi ligjor të projektuar për të garantuar dështimin, dhe përvojën e tij personale si Samid, “i palëkundur”, që shikon shtëpinë e tij të shndërrohet në një burg nga pushtuesit mizorë, pa qenë në gjendje të bëjë asgjë, përveçse të gjeje një mënyrë për të mbijetuar.

Qysh nga koha kur shkruante Shehadeh, situata është përkeqësuar se tepërmi. Marrëveshja e Oslos, e trumbetuar me të madhe në vitin 1993, përcaktoi se Gaza dhe Bregu Perëndimor nuk përbëjnë një entitet të vetëm territorial. Në atë kohë SHBA-të dhe Izraeli kishin filluar programin e ndarjes së plotë të tyre, në mënyrë që të bllokonin çdo zgjidhje diplomatike si dhe të ndëshkonin ‘araboushim’-ët në të dy territoret.

Ndëshkimi ndaj banorëve të Gazës u ashpërsua edhe më tej në janar të vitit 2006, kur ata kryen një krim të rëndë: votuan në “mënyrën e gabuar” në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në botën arabe, duke zgjedhur Hamasin. Në shenjë demonstrative ndaj “etjes së tyre për demokraci”, SHBA-të dhe Izraeli, të mbështetur nga një Bashkim Evropian i ndrojtur, menjëherë imponuan një rrethim brutal të shoqëruar me sulme të forta ushtarake. SHBA-të iu rikthyen procedurës standarde të veprimit kur ndonjë popull zgjedh qeverinë e gabuar: përgatitjen e një grushti shteti për të rivendosur rendin.

Banorët e Gazës kryen një tjetër krim të rëndë një vit më vonë duke bllokuar grushtin e shtetit, çka çoi në përshkallëzim të rrethimit dhe sulmeve ushtarake. Situata arriti kulmin në dimrin e 2008-9, me operacionin Cast Lead, një nga shfaqjet ushtarake më të liga dhe burracake të viteve të fundit ku popullsia civile e pambrojtur dhe pa mundësi arratisjeje iu nënshtrua sulmit të pamëshirshëm të njërit prej sistemeve ushtarakë më të përparuar, të pajisur me armë amerikane dhe të mbështetur nga diplomacia e SHBA-ve. Një dëshmi okulare e paharrueshme mbi kasaphanën – “infanticide” nëse përdorim fjalët e tyre – është dhënë nga dy mjekë guximtarë norvegjezë që punonin në spitalin kryesor të Gazës gjatë sulmit të pamëshirshëm izraelit, Mads Gilbert dhe Erik Fosse, në librin e tyre të mrekullueshëm Sytë nga Gaza.

Presidenti Obama ishte i paaftë të thonte një gjysmë fjale, përveçse të përsëriste simpatinë e tij të ndjerë për fëmijët e rrezikuar në qytetin izraelit të Sderotit. Sulmi ndaj Gazës, i planifikuar me kujdes, u ndërpre pak përpara betimit të tij, në mënyrë që ai të mund të thoshte se është koha për të parë përpara dhe jo pas. Ngushëllimi standard i kriminelëve.

Sigurisht, kishte pretekste – gjithmonë do të ketë të tillë. Ai i zakonshmi, që përdoret sa herë që nevojitet, është ‘siguria’: në këtë rast raketat artizanale të lëshuara nga Gaza. Si në të shumtën e herëve ky pretekst vuante nga besueshmëria. Në vitin 2008 mes Hamasit dhe Izraelit u lidh një marrëveshje armëpushimi. Qeveria izraelite formalisht pranon se Hamasi iu përmbajt marrëveshjes. As edhe një raketë e vetme nuk e lëshua derisa Izraeli prishi armëpushimin duke shfrytëzuar shpërqendrimin e krijuar nga zgjedhjet e SHBA-ve në 4 nëntor 2008, me ç’rast pushtoi Gazën duke u bazuar në justifikime qesharake dhe duke vrarë dhjetëra anëtarë të Hamasit. Qeveria izraelite u këshillua nga zyrtarët e saj më të lartë të inteligjencës, sipas të cilëve armëpushimi mund të rinovohej duke lehtësuar bllokadën kriminale dhe duke i dhënë fund sulmeve ushtarake. Megjithatë, qeveria e Ehud Olmertit, që konsiderohet si pëllumb (politikan që beson tek zgjidhja diplomatike), zgjodhi t’i refuzonte këto mundësi, duke preferuar të avantazhojë dhunën nëpërmjet operacionit Cast Lead. Faktet thelbësore të kësaj çështjeje janë shqyrtuar edhe nga analisti i politikës së jashtme Jerome Slater në debatin e fundit mes Harvardit dhe MIT mbi Sigurinë Ndërkombëtare.

Modeli i bombardimit gjatë operacionit Cast Lead është analizuar me imtësi nga mbrojtësi i mirinformuar dhe me reputacion i të drejtave të banorëve të Gazës, Raji Sourani. Ai verën se bombardimet ishin të përqendruara në veri dhe kishin si objektiv civilët e pambrojtur në zonat më të dendura të Gazës ku nuk gjendeshin objektiva ushtarakë. Qëllimi, sugjeron ai, mund të ketë qenë zhvendosja e popullsisë në jug, pranë kufirit me Egjiptin. Gjithsesi Samidinët (të palëkundurit) qëndruan të vendosur, pavarësisht ortekut të terrorit izraelit.

Qëllimi i vërtetë mund të ketë qenë dëbimi i tyre diku akoma më larg. Në ditët e para të kolonizimit sionist argumentohej gjerësisht se arabët nuk kanë arsye të qenësishme për të jetuar në Palestinë; ata mund të jetojnë njësoj të lumtur diku tjetër, dhe duhet të largohen – të ‘transferohen’ me xhentilesë sugjeronin pëllumbat. Kjo sigurisht që nuk përbën shqetësim të vogël për Egjiptin, dhe ndoshta është një nga arsyet pse Egjipti nuk e hap kufirin për kalimin e lirë të civilëve dhe mallrave të domosdoshme.

Sourani dhe burime të tjera të besueshme vëzhgojnë se disiplina e Samidinëve (të palëkundurve) përbën një fuçi baruti që mund të shpërthejë papritur në çdo kohë, sikurse Intifada e parë në Gaza në vitin 1989, që erdhi pas shumë vitesh shtypjeje mizore që për botën e qytetëruar nuk ngjalli asnjë shqetësim.

Do të përmendim vetëm njërin nga rastet e panumërt. Pak përpara shpërthimit të Intifadës, një vajzë palestineze, Intissar al-Atar, u qëllua me armë dhe u vra në oborrin e një shkolle nga një banor i kolonisë izraelite që gjendej pranë shkollës. Ai ishte një nga mijëra kolonët izraelitë të sjellë në Gaza në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të mbrojtur me anë të pranisë së madhe ushtarake. Këta kolonë zënë një pjesë të madhe të Rripit dhe shfrytëzojnë burimet e pakta të ujit ‘duke jetuar në 22 koloni luksoze të vendosura mes 1.5 milionë palestinezëve të mjeruar”, siç përshkruhet ky krim nga studiuesi izraelit Avi Raz. Vrasësi i vajzës, Shimon Yifrah, u arrestua, por shumë shpejt u lirua me kusht pasi gjykata vlerësoi se krimi nuk ishte aq i rëndë sa të impononte vendosjen e masës së arrestit me burg. Gjykatësi komentoi se Yifrah synonte ta frikësonte vajzën duke qëlluar mbi të në oborrin e shkollës, dhe jo ta vriste, “prandaj nuk kemi të bëjmë me një kriminel që duhet të ndëshkohet apo izolohet duke e burgosur.” Yifrah u lirua me kusht, ndërsa kolonët e tjerë të pranishëm në sallën e gjyqit brofën në këmbë duke kërcyer e kënduar. Heshtja e përbotshme mbizotëroi. Për më tepër, ishte thjesht çështje rutine.

I tillë është normaliteti. Pasi Yifrah u lirua, shtypi izraelit raportoi se një patrullë ushtarake qëlloi në drejtim të oborrit të një shkolle ku gjendeshin katër djem të moshës 6-12 vjeç, në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor, duke plagosur 4 fëmijë, me sa duket me qëllimin vetëm “për t’i frikësuar.” Nuk u ngrit asnjë akuzë dhe ndodhisë sërish nuk iu kushtua vëmendje. Ishte thjesht një tjetër episod në programin “analfabetizmi si ndëshkim,” raportoi shtypi izraelit. Ky program përfshinte mbylljen e shkollave, përdorimin e bombave të gazit, rrahjen e studentëve me qytën e armëve, mohimin e ndihmës mjekësore për viktimat; dhe sundimin e një regjimi brutal mbi shkollat, që u ashpërsua më tej gjatë Intifadës, nën urdhrat e ministrit të mbrojtjes Yitzhak Rabin, një tjetër pëllumb i gjithadmiruar.

Përshtypja ime e parë, pas një vizite disa ditore, ishte habia, jo vetëm për jetën në ato kushte, por gjithashtu edhe për ngazëllimin dhe gjallërinë mes të rinjve, veçanërisht në universitet, ku kalova pjesën më të madhe të kohës si i ftuar në një konferencë ndërkombëtare. Megjithatë, edhe atje mund të dukeshin shenjat e një shtypjeje të rëndë për t’u përballuar. Raportet tregojnë se të rinjtë ndihen tejet të frustruar duke qenë se nën pushtim e SHBA-Izrael e ardhmja nuk u ofron asgjë. Situata e tyre është e ngjashme me atë të kafshëve në kafaz prandaj mund të ketë një shpërthim që ndoshta do të marrë forma të shëmtuara – duke i ofruar Izraelit dhe apologjetëve perëndimor mundësinë për të justifikuar politikën e tyre dhe dënuar njerëzit e prapambetur kulturalisht, siç Mitt Romney shpjegoi me imtësi.

Gaza ka pamjen tipike të një shoqërie të botës së tretë, me xhepa pasurie të rrethuar nga skamje e tmerrshme. Gjithsesi nuk është e “pazhvilluar”. Më saktësisht mund të themi se është e “çzhvilluar” në mënyrë sistematike duke huazuar termat e Sara Roy, specialistes akademike në Gaza. Rripi i Gazës mund të ishte shndërruar në një rajon të zhvilluar mesdhetar, me agrikulturë të pasur dhe industri të lulëzuar peshkimi, plazhe të mrekullueshëm siç u zbulua përpara një dekade dhe mundësi të shumta furnizimi me gaz natyror në ujërat territorialë.

Rastësisht ose jo, Izraeli intensifikoi bllokadën e tij detare duke i detyruar peshkarexhat të lundrojnë pranë bregut, në largësi jo më të madhe se 3 milje.

ثndrra për një të ardhme të begatë u shua në vitin 1948 kur Rripit iu desh të përthithte përmbytjen e refugjatëve palestinezë që u larguan të terrorizuar ose u dëbuan me dhunë nga tokat mbi të cilat u ndërtua Izraeli. Dëbimet vazhduan për muaj të tërë pas arritjes formale të armëpushimit.

Faktikisht, dëbimet vijuan edhe pas katër viteve sikurse raporton Ha’aretz (25.12.2008), në një studim objektiv të Beni Tziper mbi historinë e Ashkelonit dhe lidhjen e tij me kananitët. Në vitin 1953, raporton ai, “u bë një llogaritje e ftohtë sipas të cilës rajoni duhet të pastrohej nga arabët.” Emri origjinal, Majdal, u hebraizua në emrin e sotëm Ashkelon. Praktikë e rregullt kjo.

Kjo ndodhi në vitin 1953 kur nuk kishte asnjë të dhënë mbi rrezikun ushtarak. Vetë Tziperi lindi në vitin 1953, dhe ndërsa ecën në rrënojat e një rajoni arab, ai reflekton se “është vërtetë e vështirë për mua, vërtet e vështirë të përfytyroj që ndërsa prindërit e mi festonin lindjen time, banorët e tjerë ngjiteshin në kamionë dhe dëboheshin nga shtëpitë e tyre.”

Pushtimi izraelit i vitit 1967 u pasua nga shkulme të tjera. Pastaj erdhën krimet e tmerrshme që përmendëm më parë, për të vazhduar deri në ditët tona.

Shenjat mund të dallohen me lehtësi, edhe gjatë një vizite të shkurtër. I ulur në një hotel pranë bregut mund të dëgjosh krismat e mitralozave izraelitë që përzënë peshkatarët nga ujërat territorialë të Gazës në drejtim të bregut. Ata janë të detyruar të peshkojnë në ujëra thellësisht të ndotura për shkak të refuzimit izraelit që të lejojë ndërtimin e kanaleve të ujërave të zeza dhe centraleve energjetike që i shkatërruan vetë.

Marrëveshja e Oslos parasheh ndërtimin e dy fabrikave të shkripëzimit, një domosdoshmëri në këtë rajon të nxehtë. Njëra, një fabrikë moderne, është ndërtuar në Izrael. E dyta është në Khan Yunis, në jug të Gazës. Inxhinieri i ngarkuar për të siguruar ujë të pijshëm për popullsinë më shpjegoi se kjo fabrikë është projektuar për të mos shfrytëzuar ujin e detit, por duhet të bazohet tek uji i nëndheshëm, një proces më i lirë, por që degradon më tej furnizimin me ujë duke garantuar probleme të rënda në të ardhmen. Megjithatë, sërish furnizimi me ujë mbetet i kufizuar. Agjencia e Punës dhe Ndihmës së Kombeve të Bashkuara (UNRWA), që kujdeset për refugjatët (por jo banorët e tjerë të Gazës), kohët e fundit hartoi një raport ku paralajmëron se dëmet e shkaktuara ndaj burimeve ujore shumë shpejt mund të bëhen të “pariparueshme” dhe se në mungesë të masave të menjëhershme, në vitin 2020 Gaza mund të shndërrohet në një vend të pabanueshëm.

Izraeli lejon futjen e betonit për projektet e UNRWA, por jo për banorët e Gazës që gjenden përballë sfidës së rindërtimit të ndërtesave dhe infrastrukturës. Ato pak makineri të rënda që gjenden nëpër rrugë pushojnë të plogëta sepse Izraeli nuk lejon futjen e pjesëve të këmbimit. E gjitha kjo është pjesë e një programi të përgjithshëm të cilin zyrtarët izraelitë e emërtojnë Dov Wisglass, sipas emrit të një këshilltari të ish-kryeministrit Ehud Olmert, dhe që ka nisur të zbatohet pas vitit 2006 kur palestinezët nuk pranuan t’iu bindeshin urdhrave. “Ideja” , tha ai, “është t’i vëmë palestinezët në dietë, por jo t’i lëmë të vdesin urie.” Kjo nuk do të ngjante mirë.

Plani po ndiqet në mënyrë të përpiktë. Sara Roy ofron prova të mjaftueshme në studimet e saj akademike. Së fundmi, pas shumë vitesh përpjekjeje, Gisha, organizata izraelite e të drejtave të njeriut arriti të bindë gjykatën që të nxjerrë një urdhër ku i kërkohet qeverisë të publikojë të dhënat e saj mbi planin dietik dhe mënyrën si ai po implementohet. Gazetari i vendosur në Izrael, Jonathan Cook, pohon se “zyrtarët e shëndetësisë kanë llogaritur sasinë minimale të kalorive që 1.5 milionë banorëve të Gazës iu nevojiten për të shmangur mosushqyerjen. Këto shifra më pas u përkthyen në kamionë me ushqime që Izraeli duhet të lejonte të futeshin çdo ditë në Gaza. Mesatarisht 67 kamionë – shumë më pak se gjysma e minimumit të kërkuar – futen çdo ditë në Gaza, ndërkohë që përpara fillimit të bllokadës ky numër ishte mbi katërqind. Gjithsesi, sipas raportimeve të zyrtarëve të OKB-së kjo shifër mbetet tejet e fryrë.

Studiuesi i Lindjes së Mesme, Juan Cole, vëzhgon se si rezultat i planit dietik “ rreth 10% e fëmijëve palestinezë të Gazës nën moshën 5-vjeçare kanë probleme me rritjen për shkak të mosushqyerjes…Përveç kësaj anemia është përhapur frikshëm duke prekur mbi 2/3 e të miturve, 58.6% të fëmijëve që ndjekin shkollën dhe mbi 1/3 nënave shtatzëna.” SHBA-të dhe Izraeli duan të sigurohen që asgjë tjetër përveç mbijetesës të mos jetë e mundur.

“Duhet të kemi parasysh,” vëren Raji Sourani, “ se pushtimi dhe bllokada e gjithanshme është një sulm në zhvillim e sipër ndaj dinjitetit njerëzor të popullit të Gazës në veçanti dhe palestinezëve në përgjithësi. ثshtë degradim, poshtërim, izolim dhe fragmentarizim sistematik i popullit palestinez.” Ky përfundim konfirmohet edhe nga shumë burime të tjera. Në një nga gazetat mjekësore më të mëdha në botë, The Lancet, një mjek nga Stanfordi, u tmerrua nga ajo që pa dhe e përshkroi Gazën si “diçka të ngjashme me një laborator ku vëzhgohet mungesa e dinjitetit,” një gjendje që ka efekte shkatërruese për mirëqenien shoqërore, fizike dhe mendore. “Vëzhgimi konstant nga qielli, ndëshkimi kolektiv përmes bllokadës dhe izolimit, bastisja e shtëpive dhe ndërhyrja në mjetet e komunikimit, pengimi i atyre që dëshirojnë të udhëtojnë, të martohen apo punojnë, e pamundësojnë jetesën e denjë në Gaza. Araboushim-ët duhet të mësojnë të mos i ngrenë kryet.

Kishte shpresa se qeveria e re e Morsit në Egjipt, më pak e lidhur me Izraelin se diktatura e Mubarakut që mbështetej nga perëndimi, mund të hapte pikëkalimin e Rafahut, lidhjen e vetme të banorëve të Gazës me botën e jashtme që nuk i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë të Izraelit. Ka pasur njëfarë lehtësimi, por nuk është i mjaftueshëm. Gazetarja Laila el-Haddad shkruan se rihapja nën qeverinë e Morsit është thjesht “rikthim në status quo-në e përpara disa viteve: vetëm palestinezët që zotërojnë karta identiteti të njohura nga Izraeli mund të kalojnë përmes Rafahut,” duke përjashtuar një numër të madh palestinezësh, përfshi edhe familjen e el-Haddadit në të cilën vetëm njëri nga bashkëshortët zotëron një kartë të tillë.

Për më tepër, vijon ajo, “vendkalimi nuk lidhet me Bregun Perëndimor dhe kalimi i mallrave të ndaluara nga pikat e kontrollit izraelit nuk është i lejuar në përputhje me ndalesat mbi qarkullimin e materialeve të ndërtimit dhe eksportit.” Shtrëngimi i të drejtës së lëvizjes në Rafah nuk ndryshon faktin se “Gaza mbetet nën kontroll të vazhdueshëm detar dhe rrethim ajror, si dhe vazhdon të jetë hermetike ndaj kapitalit kulturor, ekonomik dhe akademik të pjesëve të tjera të territoreve të pushtuara, në shkelje të obligimeve të SHBA-së dhe Izraelit sipas marrëveshjes së Oslos.”

Pasojat janë dhimbshëm të qarta. Në spitalin e Khan Yunisit, drejtori, që është gjithashtu edhe shef i kirurgjisë, përshkruan me zemërim dhe pasion sesi mungojnë edhe ilaçet për qetësimin e dhimbjeve të pacientëve, pa përmendur pajisjet kirurgjikale, duke i lënë mjekët të paaftë për të bërë diçka dhe pacientët në agoni. Historitë personale i shtojnë gjallërinë stofës së përgjithshme të indinjatës që përjeton si rrjedhojë e paturpësisë së pushtimit barbar. Një shembull është dëshmia e një gruaje të re e cila flet me dëshpërim për babanë e saj, që duhet të ndihej krenar për faktin se ajo është gruaja e parë në kampin e refugjatëve që merr një diplomë masteri, por që fatkeqësisht ka vdekur përpara disa muajve, në moshën 60-vjeçare, duke luftuar kundër kancerit. “Izraeli nuk e lejoi të kurohej në spitalet e tij. M’u desh të ndërprisja studimet, punën dhe jetën time për të qëndruar pranë shtratit të tij. U ulëm të gjithë pranë tij, përfshi vëllain tim mjek dhe motrën farmaciste, krejt të pafuqishëm dhe të pashpresë teksa e shikonim të shuhej në vuajtje. Ai vdiq gjatë bllokadës çnjerëzore në verën e vitit 2006 për shkak të mungesës së shërbimit mjekësor. Mendoj se të ndihesh i pafuqishëm dhe i pashpresë është ndjenja më vrastare që qenia njerëzore mund të përjetojë. Kjo ndjesi të vret shpirtin dhe të shkërmoq zemrën. Mund të luftosh pushtimin, por nuk mund të luftosh ndjesinë e pafuqisë. Nuk mund as ta tretësh këtë ndjesi.”

Neveri të shoqëruar me fajësi ndiej nga e gjithë kjo paturpësi. ثshtë brenda kufijve të fuqisë tonë t’i japim fund këtyre vuajtjeve dhe të lejojmë Samidinët (të palëkundurit) të jetojnë në paqe dhe me dinjitet siç e meritojnë.


*Noam Chomsky e vizitoi Rripin e Gazës në datat 25-30 tetor, 2012.

Përktheu: Fatjon Nanaj
 
Titulli: Ese: Mbresa nga Gaza

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.
 
Titulli: Ese: Mbresa nga Gaza

Zot, ndihmoju !:(

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top