اfarë është kombi: teoria e përkufizimit dhe e origjinës së kombeve

اfarë është kombi: teoria e përkufizimit dhe e origjinës së kombeve
Gëzim SELACI

Përmbledhje. Kjo ese do të diskutojë nëse teoritë sociologjike, veçanërisht ajo moderniste dhe ajo etno-simboliste janë teori të vlefshme për të shpjeguar procesin e krijimit të kombeve të ndryshme që janë shfaqur në pjesë të ndryshme të botës dhe në kontekste të ndryshme. Veç kësaj, eseja do të analizojë cilat janë raportet e kombit me format e tjera të identitetit grupor njerëzor, si ai etnik, gjuhësor, rajonal, fetar, e të tjerë. Më tutje, do të këqyr ndikimin e proceseve në modernitet në lindjen e kombeve. Eseja përfundon se një përkufizim i konceptit të kombit që do të vlente në përgjithësi është i pamundur. Dobia e përkufizimeve dhe shpjegimeve të ndryshme mbi origjinën e kombeve qëndron në atë se na mundësojnë të kuptojmë mënyrat dhe rrethanat e ndryshme të krijimit të kombeve.

Përmbajtja
HYRJE
PIKثPAMJET TEORIKE
Primordialistët/Esencialistët
Modernistët/konstruktivisët
(Të imagjinuarit, mitet dhe simbolet e kombit)
Etno-simbolistët
ORIGJINA E KOMBEVE
Pikëpamja objektiviste
Industrializimi
E kaluara e përbashkët
‘Tjetri’ dhe armiku i kombit
Pikëpamja subjektiviste
LINDJA E KOMBEVE – PثRVOJAT E NDRYSHME
Kombi etnik/kulturor dhe kombi qytetar
Kombet në periudhën pas-perandorake
Kombet në periudhën pas-koloniale
PثRFUNDIM

HYRJE

Në rrugëtimin e tyre historik, shoqëritë janë organizuar në familje të zgjeruara e fise, si dhe në komunitete më të gjera në saje të identiteteve kolektive më gjithëpërfshirëse, si identiteti etnik, fetar, i qytet-shtetit, krahinor etj. Kombi, si kategori sociologjike, është burim relativisht i ri i identitetit kolektiv që është shfaqur ne Europë që nga shekulli XVIII. Natyrisht, ideja kombëtare u shfaq si zhvillim dhe vazhdimësi në kursin e nevojës së njerëzve për t’i përkitur ndonjë ‘bashkësie të përfytyruar’.
Sidoqoftë, nevoja për t’i përkitur ndonjë grupi dhe për t’u bashkuar me pjesëtarët e tij nuk është diçka e re në historinë e njerëzimit. Mirëpo, ajo që është dukuri e re është vetë identiteti kombëtar. E reja në lidhje me këtë është dimensioni politik dhe gjeografik, siç pretendon nacionalizmi. Për dallim nga format e tjera të identitetiteve kolektive, kombi është grup njerëzish politikisht të vetëdijshëm[1] që kanë një ndjenjë të përbashkët përkatësie në saje të veçorive dhe rrethanave të caktuara të cilat do të diskutohen më poshtë.
Kur përpiqen të përkufizojnë kombin, teoricienët (historianë, antropologë, sociologë e të tjerë) zakonisht analizojnë origjinën në kuptim të burimit dhe prejardhjes së tij. Ajo çfarë ata kërkojnë të gjejnë është konteksti socio-historik që ka zëvendësuar format e vjetra të identitetit grupor me identitetin kombëtar. Disa argumentojnë se ka qenë vetë procesi i modernitetit[2] që nuk u ka lënë vend autoriteteve dinastike dhe fetare dhe ka detyruar një formë të re legjitimiteti për autoritetet më të gjera qendrore. Kjo zhvendosje ishte ndihmuar ose nga kapitalizmi i shtypit që mundësoi shpërndarjen e librave ne gjuhën ‘kombëtare’ (Anderson 2006) ose nga industrializimi dhe sistemi arsimor (Gellner 2006). Kjo qasje është emërtuar si ‘moderniste’ pasi që prejardhjen e identitetit kombëtar e gjen në kohën moderne në saje të procesit të modernizimit.
Teoricienët e tjerë pajtohen me supozimin qendror të modernistëve sipas të cilit kombi është dukuri moderne, mirëpo kësaj i shtojnë një vërejtje të rëndësishme: ata argumentojnë se kombet nuk kanë dalë nga asgjëkund, por lidhjet paramoderne etnike i kanë transformuar në identitete kombëtare. (Smith 1988)
Ndërkaq, të tjerët formimin e kombeve e shohin si proces më subjektiv. Ata argumentojnë se identiteti kombëtar është pëlqimi i njerëzve për të vazhduar jetën në bashkësi dhe për t’u ndjerë pjesëtarë të të njëjtit komb. Ky solidaritet që çon te formimi i kombeve, një teoricien e ka cilësuar si formë e “referendumit të përditshëm.” (Renan 1990)
Kjo ese do të diskutojë nëse teoritë sociologjike, veçanërisht ajo moderniste dhe ajo etno-simboliste janë teori të vlefshme për të shpjeguar procesin e krijimit të kombeve të ndryshme që janë shfaqur në pjesë të ndryshme të botës dhe në kontekste të ndryshme. Besohet se këto teori të kombit dhe nacionalizmit që janë zhvilluar në gjysmën e dytë të shekullit XX kanë arritur një shkallë më të lartë të sofistikimit shkencor. Veç kësaj, eseja do të analizojë cilat janë raportet e kombit me format e tjera të identitetit grupor njerëzor, si ai etnik, gjuhësor, rajonal, fetar, e të tjerë. Më tutje, eseja do të këqyr ndikimin e proceseve në modernitet në lindjen e kombeve. A është shpjegim i mjaftueshëm dhe i kënaqshëm origjina etnike e kombeve, apo ka elemente të tjera të rëndësishme dhe rrethana që kanë mundësuar epokën e kombeve dhe shtet-kombeve.

PIKثPAMJET TEORIKE

Dilema themelore në diskutimet mbi kombin dhe teorizimin e tij, ose me fjalë të tjera përpjekjet për të gjetur përkufizimin, origjinën dhe krijimin e kombit, është çështja se deri në ç’masë kombi dhe nacionalizmi janë dukuri moderne? Përpjekja për t’iu përgjigjur kësaj dileme ka rezultuar në ndarjen më fundamentale të teorive mbi kombin: domethënë në mes perspektivës primordialiste, moderniste dhe etno-simboliste. (ضzkirimli 2000 dhe Day and Thompson 2004)

Primodrialistët/Esencialistët

Ata që mbrojnë idenë se kombet janë esenciale, entitete të përjetshme dhe forma të hershme të grupimit shoqëror, ose si rezultat i fushatave politike të nacionaliste ose si krijesa nga lart-poshtë nga shtete tashmë ekzistuese, quhen primordialistë ose esencialistë. Kjo ide ishte propozuar nga romanticistët gjermanë, ndër ta Herder, Fihte dhe Kant.

Modernistët/konstruktivisët

Të tjerët që kombet i shohin si dukuri moderne dhe konstruksione shoqërore[3] emërtohen si modernistë ose konstruktivistë dhe kjo është perspektiva dominuese. Në krye të kësaj qasjeje qëndron Ernest Gellner (vepra e të cilit kombinon elemente nga ajo e Durkhaim-it, Weber-it dhe traditës së antropologjisë sociale), Benedikt Anderson dhe historiani Eric Hobsbawm, ndër të tjerësh. (Day and Thompson 2004) Në të vërtetë, kjo qasje përfshin pikëpamje divergjente, dhe jo një pikëpamje unike, meqenëse ekzistojnë vetëm disa bindje të përbashkëta në mes modernistëve. (ضzkirimli 2000) Sidoqoftë, ajo çfarë kanë të përbashkët ata është besimi se kombet dhe nacionalizmat janë dukuri moderne dhe bashkëkohore. Ata besojnë se kombet janë formuar nga ndryshimet rrënjësore në kohën moderne dhe të cilat kanë pamundësuar vazhdimin e rregullit të kohës dhe i ka shtyrë njerëzit në forma të reja të organizimit të jetës shoqërore e politike. Studiuesit e kësaj kategorie argumentojnë se është bërë e mundshme dhe e domosdoshme të ‘imagjinohen’ ose të ‘përfytyrohen’ forma të reja të organizimit kolektiv – domethënë kombet – duke qenë se ato të vjetrat ishin bërë të pavlefshme nën ndikimin e rrethanave të reja ekonomike (industrializimi, kapitalizmi), politike ose shoqërore (Revolucioni Francez, lindja e shtetit burokratik, shekularizimi) të shkaktuara nga proceset e modernitetit.
Transformimet e theksuara nga secili studiues dhe faktorët që e kanë shkaktuar atë janë goxha të ndryshëm: ndërsa për Gellner-in është industrializimi, modernistët e tjerë e vënë theksin në forca të tilla moderne si kapitalizmi, ose, në rastin e Anderson-it, ‘kapitalizmi i shtypit’. Kjo bëri që koncepti i legjitimitetit të ripëkufizohet në kohën kur parimet dinastike e fetare të legjitimitetit ishin braktisur dhe solli elita të reja (Anderson, 2006). Sistemi arsimor dhe teknologjia e komunikimit u mundësoi këtyre elitave që mesazhin e tyre ta bartin tek popullatat gjithnjë në rritje (Anderson, Gellner, Hobsbawm). Për pasojë, lojalitetet e shkallës më të ngushtë të krijuara nga kontakti ndërpersonal janë zëvendësuar me “lidhjet në shkallë më të gjerë me shoqërinë ‘jopersonale’ dhe ‘anonime’ pjesëtarët e së cilës kurrë nuk do të takohen as që kanë dëgjuar për shumicën e bashkëpjesëtarëve të tyre[4] (Anderson, Gellner, Breuilly, Brass).” (Day and Thomspon 2004)

(Të imagjinuarit, mitet dhe simbolet e kombit)

Ideja se kombet si konstrukte shoqërore ndërtohen mbi mite është propozuar nga dy autorë: Eric Hobsbawm dhe Benedict Anderson. Hobsbawm pohonte se historia ‘e vazhdueshme’ dhe ‘e pashkëputur’ shpesh është trillim që mbështetet në figura gjysmë mitike, dokumente dhe simbole të falsifikuara, si flamuri dhe imazhet, që kanë për qëllim të zgjojnë ndjenja nacionaliste. (Hobsbawm and Ranger 1983)
Anderson (2006) kishte propozuar se kombet janë ‘komunitete të imagjinuara’ që bazohen në mite dhe simbole. Vetë ideja e prejardhjes së përbashkët kombëtare është më shumë mit se sa realitet. Nuk është e sigurt se një komb i caktuar ka prejardhje të kulluar nga paraardhës të njëjtë, duke marrë parasysh se popullatat kanë migruar në territore të ndryshme, janë martuar me grupe të ndryshme etnike, domethënë janë përzier përmes proceseve të ndryshme. Kjo e bën të vështirë që të provohet prejardhja e përbashkët. Njerëzit kanë prejardhje të përzier, kurse idetë e tyre për të kaluarën e përbashkët janë më shumë të imagjinuara, pra mite, se sa fakte.
Miti bëhet i dallueshëm, për shembull, tek ideja e prejardhjes së kulluar etnike te kombet ballkanikë. Duke pasur parasysh shkallën e lartë të martesave të përziera, faktin se identiteti fetar ka qenë parësor për shumë kohë, migrimin e popujve dhe proceset e tjera demografike dhe shoqërore, duket se ky term është goxha mashtrues: serbët, kroatët, boshnjakët mund të mendojnë se etnikisht janë të ndryshëm, por ata janë sllavë të jugut, flasin dialekte të së njëjtës gjuhë, prejardhja e tyre është përzierje sllave, turke, hungareze, shqiptare dhe latine.
Historia interpretohet në atë mënyrë që t’i kontribuojë krijimit të simboleve dhe miteve të kombit. Ngjarjet historike i nënshtron një procesi përzgjedhës që ka për qëllim të trillojë simbole dhe mite mbi vetëdijen dhe prejardhjen kombëtare. (Hobsbawm and Ranger, 1983) Kjo mund të ilustrohet me shembullin vijues: nacionalizmi serb pretendon se Beteja në Kosovë në vitin 1389 ishte koha dhe vendi ku u formua vetëdija kombëtare serbe, ndërsa realiteti është se në atë betejë jo vetëm serbët, por gjithashtu edhe grupe të tjera të krishtera ishin bashkuar për të luftuar kundër ushtrisë osmane, ndër ta edhe shqiptarë. (Malcolm 1998) Një shembull tjetër i këtij lloj diskursi është krijimi i figurës së Skënderbeut si hero kombëtar shqiptar.[5] Lufta e tij kundër Perandorisë Osmane duke bashkëpunuar me popuj të tjerë të Ballkanit, nga ana e rrymave jonacionaliste politike shqiptare është përdorë si argument për të lidhur shqiptarët me nacionalizmin sllav e grek, mirëpo nga ana e nacionalizmit shqiptar si provë e idesë dhe praktikës nacionaliste shqiptare. (Feraj 1999:84)
Sidoqoftë, modernistët të cilët flasin për kombet si komunitete të konstruktuara dhe të imagjinuara nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ‘falsitetin’ e kombeve, apo se ato jan; të shpikura. Më saktësisht, kjo ide më shumë lidhet me Gellner-in dhe Hobsbawm-in, por që refuzohet nga Anderson. (Anderson 2006:6)

Etno-simbolistët

Etno-simbolistët, mund të konsiderohen ose si qasje e veçantë ose si pjesë e pikëpamjes konstruktiviste/moderniste. Kjo shkollë pohon se kombet janë formuar nga elitat nacionaliste duke u bazuar në lidhjet apo përkatësitë etnike para-moderne të një popullate të caktuar. (ضzkirimli, 2000) Pra, ata pajtohen me karakterin modern të nacionalizmit (si ideologji dhe lëvizje), por pohojnë se kulturat e mëhershme etnike sigurojnë themelin mbi të cilën ngrehen identitetet e sotme kombëtare.
Përfaqësuesi kryesor i kësaj perspektive është sociologu Anthony D. Smith, i cili pohon se ndërsa kombet mund të jenë moderne, origjina e tyre nuk është e tillë, por gjurmët e tyre mund të gjenden në etnitë e mëhershme. Për Smith-in, kombet nuk janë ‘shpikur nga asgjëja’, por proceset karakteristike të modernitetit (të përshkruara nga modernistët) i transformojnë këto etni në kombe, por pa i shkatërruar ato. (Smith 1991)
Teoricienë të këtij mendimi e kanë përkufizuar kombin në mënyra të ndryshme, duke përdorë kritere të ndryshme për të shpjeguar karakteristikat e tij, përkufizimin dhe proceset përkatëse. Tiparet e përbashkëta të popullatave janë parë si karakteristika kryesore të kombit dhe rëndom ato kanë qenë prejardhja, gjuha, kultura dhe feja e përbashkët. Sidoqoftë, këto kritere janë tejet të diskutueshme, ngaqë – përveç efektit bashkues – ato mund të kenë edhe efekt ndarës. Për shembull, ndërsa gjuha e përbashkët mund të përfshijë në një komb popullata të shumëllojshme për sa i përket karakteristikave të tjera (fetare, kulturore, etj.), megjithatë, ajo mund të përjashtojë popullata tërësisht homogjene për sa i përket po të njëjtave karakteristika, por që nuk kanë gjuhë të përbashkët. Në anën tjetër, gjuha e përbashkët nuk mjafton për të krijuar identitet të përbashkët kombëtar, përkundër tipareve të tjera të përbashkëta, siç është prejardhja e përbashkët, përkatësia etnike etj. Ilustrim i kësaj mund të jetë rasti i sllavëve të jugut (kroatët, boshnjakët dhe serbët).[6] Disa gjuhë janë të veçanta dhe përjashtuese për identitetin kombëtar të disa kombeve, siç është rasti me gjuhën shqipe që është e veçantë për shqiptarët dhe që përjashton të tjerët që nuk flasin shqip, gjuha baske për baskët e kështu me radhë. Sidoqoftë, popuj të ndryshëm mund të kenë gjuhë të përbashkët (për shembull anglishten), megjithatë të mos konsiderohen pjesëtarë të të njëjtit komb; ndërsa një komb mund të flasë disa gjuhë, siç është rasti me kombin indian. Gjuha është parë si ‘nishani’ më i rëndësishëm i kombit, posaçërisht në Europën Lindore, ndërsa në raste të tjera mund të shihet si faktor ndarës, ose së paku, si jo relevant në krijimin e kombit.
E njëjta mënyrë analize mund të përdoret për të shqyrtuar karakteristikat e tjera të kombeve, si kulturën, fenë e të tjerat si dhe raportet e tyre me identitetin kombëtar.
Siç shihet, përkufizimi i kombit nuk është detyrë e lehtë, nga shkaku i kompleksitetit dhe kuptimeve kundërthënëse të tipareve dalluese të tij.

ORIGJINA E KOMBEVE

Duke gjurmuar origjinën historike të nacionalizmit, teoricienët kanë analizuar faktorët që kanë sjellë apo kanë ndihmuar shfaqjen e kombeve. Disa nga këta faktorë mund të shihen në këtë pasqyrë të gjendjes në Europën pas mesjetare: pas rënies së botës së krishtere që mbizotëronte në mesjetë, themelimi i kishave kombëtare si entitete të ndara i kishte ndarë kombet e kontinentit; kapitalizmi i shtypit, domethënë shpikja e makinave të shtypit që mundësonin botime masive në seri bënte të mundur shpërndarjen në shkallë të gjerë të ideve të njëjta, duke krijuar kështu një kulturë homogjene; gjuha vendase po përdorej gjithnjë e më shumë në komunikime zyrtare. Strukturat dinastike dhe monarke po dobësoheshin në shekullin XVIII.
Duke u përpjekur të gjejnë gjurmët e para të kombeve në kuptimin gjeografik, shumë studiues, ndër ta Gellner (2006), besojnë se është Europa vendi ku kombet u shfaqën më së pari, pasi që nacionalizmi lidhet me modernizimin i cili nënkupton procesin e shkëputjes nga shoqëria tradicionale bujqësore, që më së pari ngjau në Europë. Natyrisht Gellner lindjen e kombeve e shpjegonte me nacionalizmin: “ثshtë nacionalizmi ai i cili lind kombet, dhe jo e kundërta. Pa dyshim se nacionalizmi shfrytëzon përhapjen e kulturave të hershme dhe të trashëguara, ndonëse i shfrytëzon në mënyrë shumë të përzgjedhur, dhe shumë herë i transformon ato në mënyrë radikale.” (Gellner 2006:54) Nacionalizmi nuk është një sentiment i shprehur nga kombet para-ekzistuese, por në të vërtetë ai krijon kombe ku ato nuk kanë ekzistuar më parë.
Për dallim nga Gellner, Anderson (2006) beson se ishte ‘bota e re’ (Amerika) vendi ku filloi procesi i krijimit të kombeve dhe se kombet më së pari u shfaqën te Kreolët e Amerikës Qendrore dhe Latine në gjysmën e dytë të shekullit XVIII teksa idetë e iluminizmit ishin sjellë aty nga spanjollët. Mirëpo, argumenti i Anderson-it që lindjen e kombeve e arsyeton me rënien e dinastive dhe fesë, si dhe lindjes së literaturës mund të jetë shpjegim i vlefshëm në kontekst të Amerikës, megjithatë, ajo nuk shpjegon shfaqjen e kombeve në disa pjesë të botës ku shumica e popullatës nuk kanë ditur shkrim-lexim, si për shembull në Afrikë. Sidoqoftë, fakti se literatura e shtypur ka ekzistuar qysh në shekullin e XVI dhe nuk ka pasur ndikim në lindjen e kombeve, sugjeron se kombet dolën nga ‘etni të caktuara, të ndikuara nga zhvillimi i literaturës amtare dhe trysnia nga shteti’ (Hastings, 1997).

Pikëpamja objektiviste

Disa autorë, krijimin e kombeve e shpjegojnë me kritere që mund t’i quajmë ‘objektive’, si industrializimi, e kaluara e përbashkët, raca, gjuha, feja, etj. Sipas kësaj pikëpamjeje, identifikimi i njerëzve si pjesëtarë të një kombi të përfytyruar bëhet i mundshëm në saje të disa kushteve që mund të quhen ‘kritere objektive’. Autorët theksojnë kushte ‘objektive’, si etniciteti, gjuha, klasa, rajoni, raca, besimet fetare që ndikojnë në formimin e kombeve, faktorë. Mirëpo, ata nuk janë të një mendimi për sa i përket shkallës së kontributit të tyre në formimin e identiteteve kombëtare dhe rolin e tyre në definicionin e kombit. Pikërisht nga kjo rrjedhin definicionet e shumta të kombit në literaturë. (ضzkirimli 2000:58)
Autorë të tjerë theksojnë kritere ‘subjektive’ në përkufizimet e tyre për kombin, si për shembull vetëdija, miratimi i njerëzve për të jetuar bashkë, e kështu me radhë. Siç po kuptohet pra, këtu flitet për përkufizime të kombit që kanë të bëjnë jo me kritere objektive, por me vullnetin e njerëzve për të qenë pjesë të një kombi. (ضzkirimli 2000:58)
Të diskutojnë në vazhdim disa nga kriteret objektive që mendohet se janë krijuar kombet dhe të shohim se deri në cilën masë ato mund të shpjegojnë lindjen e kësaj forme të identitetit.

Industrializimi

Autorët si Hobsbawm dhe Gellner sugjerojnë se krijimi i kombit është pasojë e industrializimit. Sidoqoftë, problemi me këtë pikëpamje është se shumë kombe janë shfaqur në rajonet e paindustrializuara, si ato në Europën Qendrore dhe Lindore. Madje, vetë Gellner kishte qenë i vetëdijshëm për vështirësinë e lidhjes së shfaqjes së kombeve me industrializimin e shoqërive, prandaj kishte vërejtur se “nacionalizmi nuk e ka shoqëruar gjithnjë industrializimin; zviceranët ia kanë dalë edhe pa të.”[7] (Gellner 2006:XXV)
“Kombet dhe nacionalizmi nuk janë të natyrshëm, sepse nuk janë tipare të përhershme të gjendjes njerëzore, por janë shfaqur me kalimin në periudhën industriale. Kjo nuk nënkupton se shpjegimet për lindjen e kombeve lidhen ngushtë me industrializimin. Në të vërtetë, është kjo që i bën ata të duken të natyrshëm në sytë e pjesëtarëve të shoqërisë industriale dhe mu ky të qenë ‘i natyrshëm’ i jep nacionalizmit fuqinë. Por, çfarë ka tek tranzicioni në industrializëm që kombet dhe nacionalizmin e bën gati universal në periudhën e modernitetit?” (Gellner 2008: XXIII) Për Gellnerin, nacionalizmi nuk është shprehje e kombeve, klasave apo elitës intelektuale, dhe rrënjët e tij nuk gjenden në studimin e kombeve, kapitalizmit, klasës ose ideve. Por, si të kuptohet ai? Gellner në shpjegimet e tij përkitazi me krijimin e kombeve bënte një lidhje shkakësore sipas së cilës rrethanat në modernitet, si kapitalizmi dhe industrializmi, kushtëzojnë lindjen e nacionalizmit, ndërsa ky kushtëzon lindjen e kombeve. Për të shpjeguar këtë lidhje Gellner duhej të identifikonte tiparin qendror të modernitetit dhe pastaj të përpunojë një argument që demonstron funksionalitetin e nacionalizmit në modernitet. (Gellner 2008: XXI)
Gellneri modernitetin e kuptonte si formë të dalluar të kulturës dhe organizimit shoqëror. Ai konsideronte se nacionalizmi është në funksion të modernitetit. Ndonëse pajtohej me Kedourie (2004) se nacionalizmi është dukuri moderne dhe se ai i kishte krijuar kombet, dhe jo anasjelltas, Gellner nuk pajtohej se kjo ndodhte në saje të fuqisë së nacionalizmit si ide, ose shpesh klasës intelektuale si bartës të kësaj ideje. Ideja e nacionalizmit ishte produkt, dhe jo prodhues i modernitetit. Suksesi i tij nuk i atribuohet fuqisë intelektuale të tij, por funksionit të tij përbrenda rregullit moral shoqëror.

E kaluara e përbashkët

Kur flitet për të kaluarën e përbashkët të kombit, zakonisht bëhet fjalë për përkatësinë e përbashkët etnike, kulturore, historike e kështu me radhë. Ideja se përkatësia etnike është paraardhëse e kombit, dhe se kombi bazohet në rizbulimin dhe riinterpretimin e së kaluarës etnike është sugjeruar nga Anthony D. Smith. Etnia përkufizohet si një grup njerëzish me identitet kulturor dhe/ose gjuhë të përbashkët. Kombi formohet nga një ose më shumë etni dhe është një komunitet shumë më i vetëdijshëm se sa përkatësia etnike. Përkatësia etnike është një nga aspektet më të rëndësishme të identitetit kulturor ose shoqëror. Prandaj, termi etni shpesh përdoret si sinonim për kombin. Por, njerëzit me përkatësi të përbashkët etnike mund të jetojnë në shtet-kombe të ndryshme dhe mu për këtë arsye mund të trajtohen si pjesëtarë të kombeve të ndryshme.
Autorët pajtohen përkitazi me ndikimin e përkatësisë etnike, gjuhësore, e fetare në formimin e kombeve. Sidoqoftë, ata nuk janë të një mendimi në lidhje me shkallën në të cilën ato kanë kontribuar në formimin e identiteteve kombëtare dhe rëndësinë apo lidhjen e tyre në përkufizimin e kombit. Që këtej rrjedhin përkufizimet e ndryshme të kombit në literaturë.
Siç u tha në fillim të kësaj eseje, qasjet teorike që bazohen në të kaluarën e përbashkët të popujve si bazë për krijimin e kombeve shkaktojnë vështirësi pikërisht ngase është e vështirë të merret një nga komponentët e krijimit të kombeve si kriter i përgjithshëm. Të marrim gjuhën, fenë ose përkatësinë etnike për shembull. Asnjëra nga këto e vetme nuk është e mjaftueshme për të krijuar një ndjenjë të identitetit kombëtar. Për më tepër, në disa kombe, gjuha, feja dhe/ose përkatësia etnike janë faktorë çintegrues. Ja përse disa nacionalizma nuk i përdorin njërën nga ato ose të tria së bashku si elemente përbërëse të identitetit kombëtar.
Ndonëse, kjo qasje është e vlefshme për sa i përket shumë kombeve në botë, ajo ka dobësi: është provuar se përkatësia etnike nuk është kusht as i domosdoshëm as i mjaftueshëm i ndjenjës së kombësisë. Përkatësia etnike mund të jetë bazë e vlefshme për të krijuar kombin në rastin e japonezëve, armenëve, grekëve, shqiptarëve, por ajo nuk ka luajtur rol në krijimin e kombeve moderne, si për shembull kombi francez që është kelt, iberik dhe gjermanik ose kombi gjerman që është gjermanik, kelt dhe sllav ose kombi amerikan që është një kazan shkrirës i gjithfarë etnish dhe kulturash. Në disa raste, madje edhe perceptimi i etnicitetit të përbashkët nuk garanton identitetin e përbashkët kombëtar, siç është rasti me Somalinë.
Andaj, shtrohet pyetja: përse disa etni shndërrohen në kombe, ndërsa të tjerat jo? Hastings (1997) sugjeron se shndërrimi i etnive në kombe ose në pjesë integrale përbrenda kombeve bëhet e mundshme kur “gjuha e tyre popullore kalon nga përdorimi në të folur të përditshëm në përdorim të shkruar, derisa ajo fillon të përdoret rregullisht për të prodhuar literaturë, dhe veçanërisht për përkthimin e Biblës.” (Hastings 1997:12) Nëse ky transformim nuk ndodh, atëherë as transformimi nga etnia në komb nuk do të ndodhë kurrë. Gjuha e shkruar është aq e rëndësishme për krijimin e kombeve në saje të ndjenjës së veçantisë historike dhe kulturore që ajo e shkakton në komunitetet që e lexojnë atë.
Pra, si përfundim, ndërsa jo të gjitha etnitë shndërrohen në kombe, me sa duket njëfarë potenciali dhe burimi është i nevojshëm për të mundësuar këtë transformim dhe për të rezistuar përfshirjen e etnive në një sistem tjetër kulturor dhe politik.
Natyrisht, jo të gjitha kombet janë krijuar në këtë mënyrë. Kjo mënyrë etnocentrike e krijimit të kombeve është tipike për mënyrën se si kombet e Europës lindore dhe qendrore, si gjermanët, rusët e italianët, e kanë përkufizuar vetveten, në terme të prejardhjes së përbashkët (në teori) dhe gjuhës (në praktikë). Në anën tjetër, kjo është e kundërt me konceptin francez e britanik të kombit, i cili është përkufizuar në terme të kufijve territorial dhe me pëlqimin që të jetohet bashkë, për çfarë që do të flitet më vonë në këtë ese.

‘Tjetri’ dhe armiku i kombit

Procesi i identifikimit kombëtar është përfshirës dhe përjashtues. Ai përfshin popuj me së paku disa karakteristika të përbashkëta dhe përjashton të tjerë, ngaqë kombi e përkufizon vetveten duke u dalluar nga ‘tjetri’ i cili sidomos përfaqësohet sidomos nga kombet fqinjë. ‘E jona’ i referohet çdo gjëje që perceptohet dhe konsiderohet si pjesëtar (hero etj.) ose simbol i rëndësishëm (mite, toponime etj.) i një kombi të caktuar. Të gjitha kombet kanë të përbashkët perceptimin e ‘tjetrit’, dhe shpeshherë të kundërshtarit.
Ekzistimi i kundërshtarit që përfaqëson armikun e kombit i kontribuon rritjes së ndjenjës kombëtare. Vuajtjet e përbashkëta kanë një fuqi të madhe për të bashkuar një komb, kurse armiku i përbashkët është forcë e pamohueshme solidariteti dhe mobilizimi. Nacionalizmi shpesh është shfaqur kur një komb është ndier i kërcënuar nga armiqtë e perceptuar si të tillë. Kjo mund të ilustrohet me shembullin e nacionalizmit amerikan dhe kundërshtarët e tij, që nga imperializmi spanjoll e britanik, nazizmi, komunizmi, dhe në ditët e sotme, ndoshta fundamentalizmi islamik. Nacionalizmat e Europës Qendrore dhe Lindore, rajone këto në të cilat perandoritë rajonale (Osmane, Ruse dhe Austro-Hungareze) kanë sunduar me shekuj, armikun e portretizonin tek këta pushtues të huaj. Sidoqoftë, në raste të caktuara kundërshtari është i brendshëm, dhe jo doemos i jashtëm.

Pikëpamja subjektiviste

Kombi mund të përcaktohet si komunitet i cili plotëson së paku disa nga kushtet objektive që u shtjelluan më lartë, domethënë ato që e bëjnë të mundshme krijimin e kombeve. Mirëpo, e meta e pikëpamjes që përkufizon kombin me këta përbërës objektivë është se nuk ka një kriter të vetëm ose grup kriteresh të cilat i përmbushin të gjitha kombet. Veçori të caktuara mund të përmbushen nga kombe të caktuara por jo nga të gjitha. Prandaj, zor se mund të flitet vetëm për kritere objektive në analizën për krijimin e kombeve.
Si alternativë ekziston një qasje subjektiviste që thekson se kombi është një grup njerëzish të cilët e mendojnë këtë grupim si komb në saje të dëshirës dhe vendimit të tyre për të jetuar bashkë si dhe solidarësisë shoqërore. Teoricienët e kësaj pikëpamjeje ‘voluntariste’ marrin një qëndrim tjetër dhe argumentojnë se kombi krijohet nga një proces më subjektiv, domethënë nga vetëdija kolektive, atëherë kur popujt lidhen me identitetin kombëtar dhe me atdheun. Filozofi John Stuart Mill ka shkruar se kombi përbëhet nga njerëz që pajtohen të jetojnë nën një qeveri të përbashkët…” (Mill 1910) Këtë qasje e përkrah edhe historiani Ernest Renan i cili në shekullin XIX ka shkruar se lidhja me një komb është çështje solidarësie dhe e ndjenjave të përbashkëta, dëshira e shprehur qartë për të vazhduar jetë të përbashkët. “[Një komb] mendon të kaluarën, por shprehet në të tashmen …dëshira e shprehur qartë për të vazhduar jetën e përbashkët.” (Renan 1990)
Sidoqoftë, pikëpamja subjektiviste ka të metat e saja. Ajo supozon se kombet krijohen nga asgjëja nuk merr në konsideratë kushtet objektive paraprake që e mundësojnë manifestimin e këtij procesi, e që (së paku në kontekstin europian) janë tregtia, komunikimi dhe udhëtimi i lehtësuar, lojaliteti ndaj autoriteteve qendrore që ka zëvendësuar lojalitetet provinciale, veçanërisht për sa i përket klasës së mesme. Për më tepër, ekzistimi i kundërshtarit që përfaqëson armikun kombëtar i kontribuon rritjes së ndjenjës kombëtare.
Në vend se të zgjedhim ndërmjet këtyre dy pikëpamjeve objektiviste dhe subjektiviste, qasje më e drejtpeshuar do të ishte nëse i shohim ato si jopërjashtuese të njëra-tjetrës. “Kombi mund të përkufizohet si komunitet që plotëson kushtet objektive (si industrializimi apo kujtesa e përbashkët) dhe nëse beson se është komb në saje të pasjes së këtyre veçorive të përbashkëta.” (Archard 2000:159)


LINDJA E KOMBEVE – PثRVOJAT E NDRYSHME

Pothuajse të gjithë kombet lidhen me një territor të caktuar, atdheun kombëtar ose diasporën jashtë tij. Me kohë, ideja e kombit bëhet koncept i rëndësishëm politik në Europë dhe gjetiu. Kështu, nacionalizmi, si ideologji dhe lëvizje, e sheh kombin jo vetëm si shprehje për një grup të caktuar njerëzish, por si një entitet politik me të drejtë sovraniteti që synon krijimin e shtetit kombëtar dhe beson se kufijtë kombëtarë do të duhej të korrespondonin me kufijtë shtetërorë. (Gellner 2006:1) Shtet-kombi është shteti që identifikohet si atdheu i një kombi të caktuar. Shumica e shteteve moderne hyjnë në këtë kategori. Kur shtetet hahen për territore, pretendimet mund të bazohen në argumente historike se cili komb ka jetuar aty më i pari.
Anglia dhe Portugalia, në saje të posedimit të identitetit kombëtar, nga shumë shihen si shtet-kombe të hershme. Të tjerët, shtet-kombin e shohin si dukuri më të vonshme të shfaqur tek në shekullin XIX në Europë dhe në shekullin XX në pjesët e tjera të botës, në mesin e ish-kolonive e gjetiu.

Kombi etnik/kulturor dhe kombi qytetar

Në teori, dy janë shpjegime se si krijohen dhe manifesohen kombet. Njëra është kur pjesëtarët e një kombi kanë një ndjenjë të përkatësisë së përbashkët dhe identifikohen me karakteristika të përbashkëta, siç është prejardhja e përbashkët, raca, kultura, gjuha ose feja. Kjo formë e manifestimit është quajtur me termin komb etnik ose kulturor dhe pandeh se proceset identifikuese trashëgohen dhe nuk mund të përzgjidhen, ndërsa njësia politike e administrative që e formon ajo është quajtur shtet-komb. Ky lloj shteti u shfaq në kontekst të kombeve që ishin ndarë në territore e disa shtete. Si rezultat i kësaj ndarjeje, identiteti kolektiv ishte bazuar në parime etnike dhe kulturore. Kjo donte të thoshte se thelbi i kombit ‘tonë’ mendohet të jetë ruajtur i pastër nga shkrirja dhe përzierja me kombe të ‘tjera’. Me fjalë të tjera, kurdo që identiteti kolektiv nuk mund t’i referohet një shteti kombëtar, ai bazohet në parimin kulturor, duke e konsoliduar, kështu, një komunitet homogjen kulturor si bazë për shtet-kombin e ardhshëm.
Sidoqoftë, ky shtet-komb nuk korrespondon gjithnjë me kufijtë ‘e vërtetë’ të territoreve ku shtrihet kombi që pretendon ta përfaqësojë. Në procesin e formimit arbitrar ose jo të shteteve, ku jo gjithmonë demografia luante rol vendimtar, shumë kombe ishin ndarë, siç ishte rasti me irlandezët, shqiptarët e të tjerë.[8]
Forma tjetër e krijimit dhe manifestimit të kombit është kur pjesëtarët e një kombi kanë ndjenjë të përbashkët të përkatësisë që buron nga ndjenja e fatit të përbashkët. Ky model zakonisht emërtohet si komb qytetar dhe përfshin të gjithë ata që pranojnë kredon politike të kombit pavarësisht gjuhës ose përkatësisë etnike të tyre. Ky është një proces në të cilin në një territor të caktuar me kufijtë të njohur jetojnë grupe të ndryshme njerëzish. Parimi i identitetit kolektiv në këtë territor është politik: qytetarët i nënshtrohen njësoj sundimit të Ligjit në atë territor.
Shpesh për të krahasuar këto dy modele të krijimit të kombeve përmenden mënyrat se si Franca e Italia, në njërën anë, dhe Gjermania, në anën tjetër, kanë përkufizuar kombësinë e tyre dhe kanë arritur te shtet-kombet përmes rrugëve të ndryshme varësisht nga rrethanat e veçanta të secilës prej tyre. Franca ka përfshirë këdo brenda një territori të caktuar, prej të cilës më vonë ka krijuar kombin, ndërsa Gjermania ka përfshirë vetëm popujt që kishin të përbashkët tipare të caktuara etnike ose kulturore. Koncepti francez ishte parë si përfaqësues i përvojës së Europës ‘perëndimore’ dhe ishte quajtur model qytetar e territorial i kombit që prodhon nacionalizma ‘territorialë’, ndërsa koncepti gjerman është prototip i përvojës ‘lindore’ dhe ishte quajtur model etnik-gjenealogjik që prodhon nacionalizma ‘etnik’. (Smith 1991: 11,79-84) Sidoqoftë, kjo nuk domethënë se të gjitha shtetet e Europës Perëndimore kanë ndjekur rrugën franceze, por as që të gjitha shtetet e Europës Lindore kanë ndjekur rrugën gjermane të krijimit të kombeve.
Dallimet në mes kombeve etnike/kulturore (komuniteteve të trashëguara) dhe kombeve qytetare (shoqërive të një territori) kanë implikime të mëdha në atë se si kuptohet pluralizmi dhe si rregullohen dallimet në shoqëri, në karakterin e shoqërisë civile dhe përkufizimin e qytetarisë. Konsiderohet se kombet qytetare pranojnë më lehtë popullata të ndryshme në gjirin e tyre në saje të identitetit politik. Megjithëkëtë, këto vende gjithashtu kanë një ndjenjë të zhvilluar të identitetit etnik dhe kulturor. Për më tepër, qëndrimi karshi imigrantëve dhe qytetarëve të natyralizuar tregon se këta të fundit nuk janë aq të barabartë me të zotët e shtëpisë. Këtë e ilustron natyralizimi i kushtëzuar me provimet e shtetësisë (që provojnë njohjen e kulturës dhe gjuhës së shtetit përkatës), betimin dhe parakushte të tjera (qëndrimi i pandërprerë për një periudhë të caktuar në shtet, puna vullnetare, etj.) si dhe ndalimi i disa zakoneve të pakicave, që forcon idenë e për një ‘Leitkultur’, sido që mund të definohet kjo.
Zakonisht supozohet se formimi i kombeve në Amerikë dhe Europën Perëndimore ka pasur efekte integruese dhe kohezive, meqenëse koncepti i kombit qytetar ose kombi i përkufizuar territorialisht ka bashkuar grupe të ndryshme etnike dhe kulturore në kombe, në saje të ndjenjës së tyre të përkatësisë së përbashkët që buron nga ndjenja e fatit të përbashkët. Mbase, kjo është arsyeja përse disa autorë i referohen këtij modeli të kombësisë si ‘nacionalizëm i mirë’, në krahasim me ‘nacionalizmin e keq’ që ka rrënjë etnike. (Gellner 2006: 96-97)

Kombet në periudhën pas-perandorake

Në Europën Qendrore dhe Lindore, në të cilat perandoritë e mëdha të osmanëve, rusëve dhe austriakëve kanë sunduar me shekuj, si dhe në rajonet e copëtuara politikisht të qytetërimeve italiane dhe gjermane, lëvizjet nacionaliste kërkonin që hartën politike ta vizatonin sërish përgjatë linjave gjuhësore dhe kulturore, dhe në periudhën nga vitet 1820 deri 1920 ata, përgjithësisht, ishin të suksesshëm në këtë.
Më vonë, ndërsa federatat komuniste po krijoheshin, ato përfshinë në vete popullata të ndryshme etnike, kulturore dhe fetare. Sidoqoftë, kjo u pagua me një çmim kur këto federata u shpërbënë dhe popujt e ndryshëm të rajonit kërkuan një parim alternativ si bazë për solidaritet dhe për t’i dhënë kuptim rendit të ri. Atë parim e gjetën tek nacionalizmi i bazuar në identitetet etnik. Prandaj, popujt iu kthyen prapa identiteteve të tyre kombëtare, duke theksuar krijimin e miteve në lidhje me karakteristikat që përkufizojnë identitetin e tyre unik karshi kombeve fqinje. Këto parime të reja kërcënuan këto federata, ndërsa në rastin e Jugosllavisë efekti ishte i vrazhdë dhe i përgjakshëm.

Kombet në periudhën pas-koloniale

Rasti i Azisë dhe përvoja e Afrikës është e ndryshme, teksa ato luftonin të ngadhënjenin kundër kolonialistëve. Nacionalizmi i ‘Botës së Tretë’ ishte përkushtim për vetëvendosje, por ‘nacionalizmi’ i mëvonshëm u lidh me procesin e ndërtimit të kombit (nation-building), domethënë me përpjekjen që përmes miteve dhe simboleve të krijohet një ndjenjë solidarësie dhe qëllimi të përbashkët ndërmjet popujve të shumëllojshëm dhe shpesh armiqësorë.
Nacionalizmi anti-kolonial ishte kuptuar në dy mënyra: nën rastet kur imperialistët ishin të gatshëm të shkonin, nacionalizmi mund të konsiderohej si formë e re e nacionalizmit qytetar, mu sikurse lëvizjet amerikane për pavarësi. Mirëpo, nëse shtetet imperialiste kundërshtonin kërkesat për pavarësi, nacionalizmi ishte quajtur mjet i fuqive komuniste. Ky ishte mendimi për Korenë në fillim të viteve 1950-ta dhe më vonë për Vietnamin kur SHBA zuri vendin e Francës në Indokinë. (Gellner 2006:XIX)

PثRFUNDIM

Pavarësisht teorive të ndryshme, asnjëra nga veçoritë që teoricienët i kanë përmendur si faktorë kontribuues në formimin e kombit nuk është i mjaftueshëm në vete për të krijuar një komb dhe asnjë nga perspektivat teorike nuk janë të vlefshëm si shpjegime të përgjithshme për krijimin dhe përkufizimin e kombeve. Merr qasjen ‘etnike’ për shembull; ndërsa është shpjegim i vlefshëm për disa kombe, nuk mund të thuhet se vlen për kombe të tjera. E njëjta vlen për qasjen e ‘kapitalizmit të shtypit’, e kështu me radhë.
Kjo argumenton se sa e vështirë është, për mos me thënë e pamundur, të nxirret një teori metanarrative që do të qarkonte përkufizimet dhe prejardhjet e të gjitha kombeve në përgjithësi. Mund të themi se kjo vështirësi rrjedh pikërisht ngase nuk ka karakteristika thelbësore të kombit që do t’i jepnin këtij nocioni një shpjegim të vlefshëm në mënyrë të përgjithshme.
Sidoqoftë, ajo çfarë bëjnë pikëpamjet teorike ekzistuese mbi kombet dhe nacionalizmat është se na mundësojnë të kuptojmë mënyrat e shumta që kombet e ndryshëm janë formuar varësisht nga rrethanat e ndryshme historike, shoqërore, ekonomike dhe politike.

Bibliografi

Anderson B., (2006) Imagined Communities, Reflections on the Origin and Spread of Nationalism. London, New York: Verso.
Archard, D., (2000) Nationalism and political theory. In O’Sullivan, N., ed. Political Theory in Transition. London and New York: Routledge, pp.155-171.
Breuilly, J., (1993) Nationalism and the State. Manchester: Manchester University Press
Calhoun C., (1997) Nationalism. Minneapolis: University of Minnesota Press.
Feraj, H., (1999) Skicë e mendimit politik shqiptar. Shkup: Logos-A.
Fishman, J., A., (1972) Language and Nationalism. Rowley: Newbury House Publishers.
Gellner, E., (2006) Nations and Nationalism. Blackwell Publishing.
Gellner, E., (1994) Encounters with Nationalism. Oxford: Blackwell Publishers.
Giddens, A., (2005). The Consequences of Modernity. Cambridge: Polity.
Day, G. and Thompson, A., (2004) Theorising Nationalism. New York: Palgrave Macmillan.
Hearn, J., (2006) Rethinking nationalism, a critical introduction. New York: Pallgrave Macmillian
Hastings, A., (1997) The Construction of nationhood, ethnicity, religion and nationalism. Cambridge: Cambridge University Press
Hutchinson, J. and Smith A.D., eds., (1994) Nationalism, Oxford, New York: Oxford University Press
Hobsbawm, E. and Ranger, T., (eds), (1983) The Invention of Tradition. Cambridge: Cambridge University Press
Hobsbawm, E., J., (1990) Nation and Nationalism since 1780, Programme, Myth, reality. Cambridge: Cambridge University Press.
Ignatieff, M., (1995) Blood and Belonging. Oxford: Oxford University Press.
Keane, J., (1993) Nations, Nationalism and the European Citizen. CSD Research Papers, 2: University of Westminster.
Kedourie E., (2004) Nationalism. Massachusetts: Blackwell Publishers
Kupchan, C. A. (ed), (1995) Nationalism and Nationalities in the New Europe. Cornell University Press.
Kymlicka, W., (1995) Multicultural Citizenship. Oxford: Oxford University Press
Mayall, J., (1990) Nationalism and international Society. Cambridge: Cambridge University Press.
Malcolm, N., (1998) Kosovo, a Short History. London: Pan Books.
Milic, A., (1996). Nationalism and Sexism: Eastern Europe in Transition. In Caplan, R. and Feffer, J., Europe’s New Nationalism, States and Minorities in Conflict, New York, Oxford: Oxford University Press.
Mill, J.S. (1910) Utilitarianism, Liberty and representative Government. London: Dent.
ضzkirimli, U., (2000) Theories of Nationalism, A Critical Introduction. New York: Palgrave.
Renan, E., (1990) What is a Nation. In Bhaba, H.K., ed. Nation and Narration, London: Routledge, pp.8-21.
Smith, A.D. (1988) The Ethnic Origins of Nations. Oxford: Blackwell.
Smith, A. D., (1991) National Identity. England: Penguin Books.
Smith, A. D., (1995) Nations and Nationalism in a Global Era. Cambridge: Polity Press.
Smith, A.D., (1999) Myths and Memories of the Nation. Oxford: Oxford University Press.
Spencer, P. and Wollman, H., (2006) Nationalism a Critical Introduction. London: Sage Publications.

[1] Megjithatë, kombi nuk është domosdoshmërisht njësi politike/administrative që është karakteristike për shtetin.
[2] Termin ‘modernitet’ e kam përdorur sipas kuptimit historik dhe gjeografik që e përdor Giddens (2005:1, 55-58) për t’iu referuar organizimit të jetës shoqërore karakteristike për Europën që nga shekulli XVII e tutje dhe që atëherë edhe për pjesë të tjera të rruzullit. Karakteristikat kryesore të modernitetit janë institucionet ekonomike: kapitalizmi, industrializmi dhe institucionet e tjera shtetërore si: kontrolli i mjeteve të dhunës nga ana e shtetit modern etj. Ndërsa kam shmangur termin kohë moderne që më shpesh i referohet periudhës menjëherë pas Mesjetës.
[3] Termi ‘konstruksion shoqëror’ emërton nocione dhe entitete konvencionale të krijuara nga njerëzit në një kontekst të caktuar kulturor dhe shoqëror dhe që ekzistojnë ngaqë njerëzit besojnë se ekzistojnë dhe funksionojnë në saje të marrëveshjes së tyre për t’u sjellë sikur të ekzistonin ato.
[4] Mu në këtë kuptim Anderson e përdor shprehjen ‘komunitete të imagjinuara’ për t’iu referuar kombeve. Pra, ‘të imagjinuara’, ngase pjesëtarët e një kombi kurrë nuk do të takohen dhe as që kanë dëgjuar për shumicën e bashkëpjesëtarëve të tyre, por vetëm imagjinojnë ekzistimin e tyre dhe të identitetit të përbashkët. (Anderson 1983)
[5] Për një arsyetim se si Skënderbeu u shndërrua në simbol kombëtar nga të gjitha rrymat politike shqiptare shiko Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar (Shkup: Logos-A, 1999), f. 82-84.
[6] Këto tre kombe kanë të përbashkët gjuhën, por në procesin e krijimit të miteve kombëtare, priren të dallojnë gjuhën e tyre ‘amtare’ nga ‘dialektet’ e tjera.
[7] Gellner, E., Thought and Change. Cituar në Gellner 2006:XXV.
[8] Kjo është një vërejtje e rëndësishme, ngase në shumë raste kjo ka qenë burim konfliktesh etnike, veçanërisht në Europën jug-lindore dhe ish Bashkimin Sovjetik pas shpërbërjes së shteteve komuniste, por edhe gjetiu, si në Kurdistan e Palestinë që janë kombe pa shtet.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top